Thaçi: BDI trembi dhe shantazhoi votuesit shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në zyrat e BE-së në Shkup takoi Drejtorin e Drejtorisë për zgjerim në Komisionin Evropian Kristian Danielson të cilin e shoqëronin Ambasadori i BE-së në vend Aivo Orav si dhe shefi i departamentit për agjërim të BE-së dhe përgjegjës për Maqedoninë, David Cullen.

Në takim u bisedua për çështjet aktuale politike dhe zgjedhjet e fundit në vend.

“Kryetari i PDSH-së i paraqiti faktet për manipulimin e procesit zgjedhor në shumicën e vendvotimeve ku votojnë shqiptarët nga ana e partisë qeveritare BDI. Në këtë kontekst Kryetari potencoi edhe instrumentet që janë përdorur siç janë trembja, kërcënimi dhe shantazhi, që paraqesin shkeljen e normave demokratike.” lajmërojnë nga kabineti i Thaçit.

Gjithashtu në takim u diskutua rreth zhvillimet rajonale, zhbllokimin e procesit integrues të vendit si dhe tema të tjera me interes.

“Kryetari Thaçi paraqiti shqetësimet për mungesën e perspektivës euroatlantike dhe se në këtë drejtim zgjidhja e çështjes së emrit është me rëndësi të madhe, pasi që hap rrugën e integrimeve dhe siguron një perspektiv më të mirë të vendit, si dhe forcon sigurinë dhe stabilitetin rajonal.” lajmërojnë nga kabineti i Thaçit.

Ai gjatë bisedës ka ripërsëritur qëndrimin se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të mbajë qasje konstruktive në veprimin e saj politik dhe se do të jetë pjesë e një procesi demokratik në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button