Tetë vjet “Meta.mk” – gazetari profesionale e përgjegjshme ndaj interesit publik

Partneri më i madh mediatik i Portalbit, agjencia e lajmeve “Meta.mk” këto ditë feston tetë vjet nga themelimi i saj. Zyrtarisht me punë filloi në 11 nëntor të vitit 2014 në kuadër të Fondacionit “Metamorfozis”, i cili është edhe themeluesi i saj. Në punën e deritanishme në redaksinë e “Meta.mk” gjurmët e tyre i kanë lënë me dhjetëra gazetarë dhe gjithsej kanë publikuar mbi 79.000 tekste – lajme, intervista, analiza, reportazhe, storie hulumtuese, si dhe tekste të marra nga kolegët e “Vërtetmatësit” dhe “Portalb.mk”, por edhe nga media të tjera vendore dhe të huaja.

Kryeredaktori i parë i “Meta.mk”, Zoran Andonovski, me rastin e ditëlindjes së tetë tha se “Meta” para së gjithash u shfaq si nevojë, si një mundësi që mediat dhe qytetarët të marrin informacion burimor dhe të verifikuar në një kohë të dominimit absolut të një agjencie lajmesh të vetme dhe partiako-qeveritare dhe një numër mediash të robëruara të detyruara të marrin informacion vetëm prej saj.

“Fakti që për pothuajse një dekadë “Meta” i ka qëndruar besnike parimeve burimore të gazetarisë profesionale, të plotësuara me përdorimin e mjeteve dixhitale dhe mjeteve të tjera moderne, vetëm sa e arsyeton mbështetjen e marrë që në fillim nga ata që besonin në “misionin” e saj“, tha Andonovski.

Promotore e gazetarisë si një e mirë publike

“Meta.mk”, bashkë me “Vërtetmatësin” dhe “Portalb.mk” në vitin 2019 mori çmimin vjetor “Roberto Beliçanec” për promovues mediatik të gazetarisë si e mirë publike, të cilin e jep Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik. (SPGPM).

Krahas teksteve në gjuhën maqedonase “Meta.mk” publikon edhe përmbajtje gazetareske në gjuhën angleze, e kohë pas kohe edhe në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Për vite me radhë agjencia e lajmeve në vazhdimësi, e pothuajse si asnjë media tjetër në vend, po punon edhe në përmbajtje gazetareske të bazuara në të dhëna, me ç’rast bashkë me materialin tekstual përgatit edhe infografikë dhe përmbajtje të tjera vizuale për informimin më cilësor të publikut. “Meta.mk” është e pranishme edhe në internet, kudo që janë aktivë qytetarët e Maqedonisë – që nga “Facebook”-u, “Twitter”-i dhe “Youtube”-i, e deri tek “Instagram”-i dhe “TikTok”-u për publikun më të ri.

Në portofolin e saj produksional, e në bashkëpunim me portalin në gjuhën shqipe “Portalb.mk”, Agjencia e Lajmeve “Meta.mk” deri më tani ka prodhuar 61 episode të emisionit për të rinj “Shortcut”, i cili transmetohet çdo të enjte nga ora 19 në rrjetet tona sociale. Si një nga mediat e pakta maqedonase “Meta.mk” me ekipe të përbashkëta gazetareske me “Portalb.mk” prodhon përmbajtje mediatike në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe. Në mendojmë se numri më i madh i problemeve më të mëdha që i shqetësojnë qytetarët dhe për të cilat shkruajmë i tejkalojnë barrierat gjuhësore, etnike, rajonale, kulturore dhe pengesat e tjera në shoqërinë në Maqedoni.

Informim i përkushtuar i të rinjve

Agjencia e lajmeve “Meta.mk” periudhën e kaluar i është përkushtuar posaçërisht trajtimit të temave sociale për të cilat shumica e mediave maqedonase nuk gjejnë hapësirë të mjaftueshme gjatë mbulimit të gjerë të përditshëm të ngjarjeve ditore politike dhe përmbajtjeve për klikime. Redaksia i përkushtohet shumë informimit të të rinjve për temat si arsimi formal dhe joformal, mbrojtja e të drejtave të njeriut, inovacionet teknologjike, problemet me të cilat përballen studentët, nxënësit e shkollave të mesme, por edhe të gjitha ato komunitete që janë në margjinat e shoqërisë në Maqedoni, si dhe tema që i përfshijnë të gjitha aspektet e mundshme të mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit.

Si një agjenci e pavarur e lajmeve në skenën mediatike në vend, “Meta.mk” ofron informacione të prodhuara në mënyrë profesionale, origjinale dhe të vërtetuara, me qëllim që të ndihmojë në perceptimin e proceseve politike si parakusht për pjesëmarrje të konsiderueshme qytetare. Duke e ndjekur zhvillimin e ri pozitiv të shtëpive mediatike në mbarë botën, redaktorët e “Meta.mk” muajin e kaluar filluan prodhimin e rregullt të verifikimeve të fakteve, të cilat publikohen si përmbajtje tekstuale nën emrin “Meta fakt”.

Falënderim për besimin

“Duke pasur parasysh tregun jo aq të zhvilluar mediatik në vend, ku një pjesë e madhe e redaksive do të publikonin gjithçka vetëm për një klikim më shumë – gjë që keqpërdoret rregullisht nga qendra të ndryshme të fuqisë – ne me vetëdije vendosëm të punojmë ndryshe”, tha Goran Rizaov, kryeredaktori i “Meta.mk”.
“Dëshirojmë që vëmendjen e publikut ta drejtojmë në tema dhe probleme që janë jashtëzakonisht të rëndësishme zgjidhja e të cilave nënkupton një jetë më cilësore për qytetarët”, tha Rizaov dhe shtoi se “përmes edukimit të gazetarëve të rinj dhe drejtimit të tyre drejt standardeve etike dhe profesionale ne po luftojmë kundër degradimit të profesionit tonë”.

“Njëkohësisht duam t’i falënderojmë lexuesit tanë për besimin e tyre në këto tetë vite. Falënderojmë për profesionalizmin dhe përkushtimin edhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit mediatik që kanë qenë dhe janë pjesë e “Meta.mk”, si dhe kolegët nga “Portalb.mk”, “Vërtetmatësi” dhe Fondacioni Metamorfozis.” thonë nga redaksia.

Të gjitha përmbajtjet e publikuara të cilat janë punuar nga kuadrot tona mediatike janë të mbrojtura me licencën Creative Commons “Shëno burimin – Jokomerciale 2.5”, e cila i lejon përdoruesit, dhe veçanërisht mediat e tjera, të kenë të drejtë të shkarkojnë përmbajtjen e plotë ose një pjesë të saj me kusht që ta shënojnë burimin.

Redaksia e Portalbit i dëshiron shumë suksese dhe vite të mbara redaksisë së Meta-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button