Agjencia e Sigurisë në Maqedoninë e Veriut i pranoi lëshimet në rastin e oligarkut ukrainas

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, ka pranuar se gjatë dhënies së mendimit pozititiv për dhënien e shtetësisë oligarkut kundërthënës ukrainas, Oleksandr Onyshenko, janë bërë “lëshime të sigurisë”, raporton REL.

“Faza e fundit e verifikimit, konsultimi me partnerët e NATO-s, nuk është bërë dhe është faji i një individi”, tha Dimovski të premten para Komisionit parlamentar që ndjek punën e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

Raportimi i tij para komisionit u kërkua nga deputetët e opozitës pas reagimeve të shumta në opinion se Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka dhënë shtetësi maqedonase oligarkut ukranias, Oleksandr Onyshenko, i kërkuar nga Kievi për shpëlarje parash dhe pasurim nga biznesi i gazit.

Ai është futur edhe në listën e zezë nga SHBA-ja, më 31 maj të vitit 2021, si pjesë e një rrjeti rus që kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Oligarku ukrainas po ashtu ka edhe shtetësi ruse.

“Në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare janë marrë masat dhe është identifikuar personi që ka vënë nënshkrimin, për të përcaktuar përgjegjësinë. Jemi duke hetuar nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për ndonjë çështje tjetër. Nuk duam që për hir të një rasti të tillë, ajo që është bërë me punë të mundimshme në tre vitet e fundit, të prishë imazhin e agjencisë.”

“Personi i përfshirë në këtë rast do t’u nënshtrohet masave ligjore. Tani duhet të përcaktohet nëse është një lëshim, një qëllim apo një interes fitimprurës. Këtë do ta kuptojmë dhe nuk do të ndalemi së hetuari rastin”, deklaroi Dimovski pas ndërprerjes së seancës së Komisionit parlamentar kushtuar dhënies së shtetësisë për ukrainasin.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura me kërkesë të Dimovskit për shkak se, sipas tij, informacionet janë të klasifikuara, por në kanalin e Parlamentit në YouTube është dëgjuar debati i mbledhjes dhe institucionet po hetojnë nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo të qëllimshëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se lista e zezë amerikane nuk është kusht që dikujt t’i ndalohet shtetësia maqedonase.

“Të jesh pjesë e listës së sanksioneve, nuk do të thotë se automatikisht je edhe me dosje kriminale. Nuk dua të flas për arsyet pse ai gjendet në listën e zezë amerikane. Ajo nuk është punë e Maqedonisë së Veriut, por çështje e partnerëve tanë. Mua më intereson çfarë thonë institucionet maqedonase. Institucionet tona e kanë thënë versionin e tyre përmes mendimit, përmes dokumentit të shkruar mbi të cilin edhe është marrë vendimi për dhënien e shtetësisë”, u shpreh Spasovski.

Por, ndryshe nga kreu i Policisë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, tha se nuk duhet të injorohet fakti se oligarku ukrainas është në listën e sanksioneve të SHBA-së, një shtet që, siç tha ai, ka bërë shumë për Maqedoninë e Veriut.

Pendarovski deklaroi se nëse vërtetohet përgjegjësia e drejtorit të agjencisë, Viktor Dimovski, ai do të mbajë këtë barrë dhe nuk do të mund të emërohet për ambasador në Francë, për ku është propozuar nga institucionet tjera.

“Nëse gjatë procedurës që po udhëhiqet, del se ai është përgjegjës, nuk do të ketë vetëm përgjegjësi morale, pasi janë dy punë, je ose nuk je përgjegjës. Nëse është përgjegjës, ai nuk do të jetë ambasador. Përgjegjësia në këtë rast është e madhe. Kemi të bëjmë me dhënien e shtetësisë një njeriu, biografinë e të cilit e dimë. Është në listën e zezë pasi është i lidhur me individë dhe grupe të tjera jo vetëm me zgjedhjet presidenciale në Amerikë më 2016. Nëse njeriu ndërhyri në zgjedhjet në SHBA, me çfarë sy do t’i shikojmë amerikanët?! Ata nuk do të na shohin me të njëjtin sy si deri më tani”, theksoi Pendarovski.

Opozita maqedonase, ndërkohë, e akuzoi kreun e Agjencisë, Viktor Dimovski, se ka rrënuar imazhin e agjencinë me dhënien e mendimit pozitiv për pajisjen me shtetësi maqedonase të ukrainasit Oleksandr Onyshenko.

“Nga njëra anë, gojën e kanë përplot me BE dhe NATO dhe nga ana tjetër, janë gati të bëjnë çdo gjë për krimin dhe paratë. Pra, ata janë gatshëm të shkelin të gjitha këto parime dhe të punojnë me njerëz të krimit, edhe pse të paktën në mënyrë deklarative i mbrojnë në publik parimet e tyre gjoja në mbrojtje të vlerave dhe sundimit të ligjit”, tha Hristian Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Oligarku ukrainas, Oleksandr Onyshenko, ishte deputet në Parlamentin e Ukrainës në vitin 2012 nga Partia e Rajoneve të ish-presidentit pro-rus Viktor Janukoviq.

Pas ndërrimit të qeverisë në vitin 2014, ai u bë partner biznesi me presidentin e ri, Petro Poroshenko, deri në vitin 2016, kur Komisioni ukrainas kundër korrupsionit hapi lëndë kundër tij. Më pas ai u arratis në Spanjë.

Autoritetet spanjolle kishin vendosur ekstradimin e tij bazuar në fletarrestin ndërkombëtar nga Kievi, por Onyshenko arriti të ekstradohet në Gjermani. Ky shtet në vitin 2020 ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për ekstradim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button