RMV, në tremujorin e dytë të këtij viti nga pikëpagesat rrugore janë mbledhur 12 milionë euro

Ndërmarrja Publike për rrugë shtetërore (NPRrSh) në tremujorin e dytë të këtij viti ka inkasuar taksa në vlerë prej 745.037.340 denarë (12 milionë euro). Mjetet e grumbulluara janë 20.99 për qind e totalit të të ardhurave të planifikuara sipas kësaj baze për këtë vit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat nga taksat janë më të larta për 13,6 për qind, përkatësisht për 89.166.912 denarë, transmeton Portalb.mk.

NPRrSh në kuadër të nismës Ballkani i Hapur është një nga institucionet që duhet të zbatojë projektin e përbashkët për ngritjen e një pajisjeje të vetme të mbledhjes së taksave në vend, në Serbi dhe në Shqipëri.

Fillimi i projektit ishte paralajmëruar për në fund të shtatorit të këtij viti, por është ende në përgatitje e sipër.

“Projekti është ende në fazën e rregullimit të sistemeve, krijimit të ueb aplikacionit dhe harmonizimit ligjor”, thanë për MIA-n nga NPRrSh.

Projekti duhet të sigurojë qarkullim më të shpejtë të automjeteve që, me mbledhjen elektronike të taksave, gjegjësisht me përdorimin e  transponderëve të mikrovalëve (TAG), do të kalojnë pa u ndalur në pikë pagesat e vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur. Përdorimi i një pajisjeje për pagesë në të gjitha vendet anëtare, përveç fluksit më të shpejtë të trafikut, do të nënkuptojë edhe më pak ndotje, më pak konsum të karburantit, ulje të rolit të faktorit njerëzor etj.

Me procesin e modernizimit të stacioneve të pagesave në Korridorin 8, i cili filloi nga NPRrSh, të gjitha stacionet e pagesave duhet të kenë të njëjtin sistem elektronik të mbledhjes së taksave, siç është vendosur në Korridorin 10.

Të gjitha stacionet ekzistuese të pagesave në Korridorin 8 do të rikonstruktohen për instalimin e sistemit elektronik të tarifave, në kabina dhe në korsitë e kalimit. Aktualisht, siç thonë nga NPRrSh, janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e projektit të modernizimit.

Sipas raportit për punët financiare të NPRrSh-së për tremujorin e dytë të këtij viti, përveç taksave, NPRrSh ka të hyra edhe nga taksa rrugore që paguhet me regjistrimin e automjeteve, në shumë prej 461.682.144 denarë, ose 3,48 për qind më shumë në krahasim me të ardhurat e kësaj baze në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të hyrat e NPRrSh-së nga akciza për derivatet e naftës, në tremujorin e dytë të këtij viti, janë 1.079.735.226 denarë. Dhe mbi këtë bazë, kompania ka rritur të hyrat, për 2,21 për qind ose për 23.358.983 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button