Të rinjtë nga Ballkani Perëndimor në Tiranë diskutuan perspektivat rinore të rajonit

Në dy ditët e fundit, 120 të rinj nga Ballkani Perëndimor morën pjesë në konferencën e organizuar si pjesë e Programit rajonal për demokracinë lokale në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2). Është një iniciativë rajonale që zbatohet në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, dhe që punon për të forcuar partneritetet ndërmjet autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile, që synon veçanërisht rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse, transmeton Portalb.mk.

Konferenca u hap nga Bora Muzhaqi, Ministre e shtetit për rininë dhe fëmijët në Shqipëri, e cila theksoi rëndësinë e modelit LOD të përdorur nga Bashkimi Evropian për financimin e organizatave rinore.

Hillen Franke, shefe e Sektorit për Shoqëri civile, përfshirje sociale dhe zhvillim të Kapitalit njerëzor në Komisionin Evropian tha se të rinjtë janë prioriteti më i lartë për BE-në.

“Rinia nuk ka qenë kurrë më lart në agjendën e BE-së, duke qenë se viti 2022 është Viti evropian i rinisë. Kjo vlen edhe për angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor, ku Tirana u shpall Kryeqyteti i Rinisë Evropiane për vitin 2022. Të rinjtë do të vazhdojnë të jenë në qendër të mbështetjes së BE-së për rajonin. Projekti ReLOaD2 është një nga nismat tona kryesore rajonale për të mbështetur shoqërinë civile, por gjithashtu ka një fokus të fortë tek të rinjtë. Me këtë projekt promovohet me sukses roli i dy palëve kyçe të interesit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane – shoqëria civile dhe të rinjtë”, theksoi Franke.

Programi ofroi një hapësirë ​​për të rinjtë për të shkëmbyer mendime mbi sfidat dhe praktikat që lidhen me pjesëmarrjen e tyre në komunitet përmes disa paneleve dhe seminareve. Duke filluar me një shfaqje artistike të ansamblit të të rinjve nga Tirana dhe duke përfunduar me një dialog të fokusuar, të rinjtë përçuan mesazhin se duhet të dëgjohen më shpesh.

Përfshirja e të rinjve në territorin e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në një nivel të pakënaqshëm, por ngjarja nxori në pah shembuj pozitivë të angazhimit të të rinjve, gjë që tregon se këmbëngulja dhe zhvillimi i pavarur janë gjithmonë të rëndësishme.

“Kjo është një histori për të rinjtë që duan të kontribuojnë për të ardhmen dhe janë të vetëdijshëm se mund ta bëjnë këtë vetëm nëse zëri i tyre dëgjohet dhe nëse janë pjesë e proceseve vendimmarrëse,” thotë Sunçica Kovaqeviq, aktiviste rinore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button