Komisioni Evropain me një sërë kritikash për komunat e Maqedonisë së Veriut

Komunat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me një sere problemesh dhe çështjesh të cilat duhet adresuar dhe përmirësuar. Sa i përket kësaj, kritika ka edhe në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vetëqeverisjet lokale duhet të punojnë si dhe pikat ku ata kanë bërë përparim. Portalb.mk më poshtë ju sjell një pasqyrë të asaj se çfarë thotë ky raport për sa u përket komunave në vend.

Raporti thekson se vendi duhet të finalizojë procesin e reformës në sistemin e vetëqeverisjes lokale.

“Ndryshimet në ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale synojnë sigurimin e burimeve shtesë financiare për komunat dhe fuqizimin e menaxhimit të financave publike në nivel qendror. Duke u mbështetur në këtë, Qeveria duhet të përparojë me riorganizimin e përgjithshëm të kompetencave ndërmjet nivelit qendror dhe atij subnacional”, thuhet në raport.

Sipas raportit, komunat janë përballur me vështirësi të mëdha financiare si pasojë e inflacionit dhe rritjes së kostove të energjisë.

“Polarizimi mes komunave, të udhëhequra më së shumti nga opozita pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2021, dhe qeverisë i ka komplikuar negociatat për të rënë dakord për masat për të adresuar këtë çështje”, vë në dukje raporti.

Për sa u përket buxheteve komunale, Ministria e Financave lançoi një mjet të ri transparence për borxhin publik dhe publikoi raporte tremujore për ekzekutimin e buxheteve të pushtetit lokal.

Vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar transparencën dhe integritetin e institucioneve publike. Ndërsa Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit po punon për forcimin e integritetit profesional në komuna dhe se që nga qershori 2022, 66 komuna kanë miratuar politikë integriteti.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Delegimi i autoritetit vendimmarrës te menaxhmenti i mesëm si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal është ende i kufizuar. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të integruar në mënyrë efikase llogaridhënien menaxheriale në të gjithë administratën publike.

Raporti inkurajon autoritetet lokale të përfshijnë organizatat e shoqërisë civile në proceset e politikë-bërjes.

Pushteti lokal dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të përmirësojnë bashkëpunimin me qendrat e punës sociale për të zhvilluar dhe mbështetur shërbime të reja sociale në të gjithë vendin, duke përfshirë shërbimet për të mbështetur fëmijët në rrezik, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara që janë viktima të diskriminimit dhe segregacionit.

“Autoritetet lokale duhet të përdorin strategjinë kombëtare për të përmirësuar gjendjen në nivel komunal, ku përfaqësimi i komuniteteve pakicë mbetet i pamjaftueshëm”, thekson raporti.

Decentralizimi i Komisionit Kombëtar, përmes krijimit të komisioneve lokale në nivel komunal, ende duhet të zbatohet në mënyrë efektive në terren.

Sipas Raportit, komunat duhet të sigurojnë zbatimin dhe shërbimet që i takojnë për sa i takon Strategjisë Kombëtare të Drogës 2021-2025 dhe Planit të Veprimit 2021 – 2023 që u miratuan në korrik 2021.

Ka mekanizma lokalë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ekipet e veprimit në komunitet janë ngritur në katër komuna të ndjeshme (Çair, Gostivar, Kërçovë dhe Kumanovë) dhe kanë përgatitur planet e tyre të veprimit.

“U bënë përpjekje për ngritjen e strukturave dhe mekanizmave për t’u marrë me riintegrimin në nivel lokal me një qasje të gjithë shoqërisë dhe përfshirjen e shoqërisë civile. Nëntë ekipe lokale multidisiplinare janë krijuar në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Ohër, Strugë, Kërçovë, Pllashinë dhe Makedonski Brod me qëllim që të ofrojnë mbështetje për të kthyerit dhe familjet e tyre dhe po fillojnë me aktivitetet e tyre. Është i nevojshëm koordinimi ndërmjet organeve të ndryshme të krijuara në nivel vendor, si dhe vënia në funksion e tyre plotësisht. Nevojitet një sqarim më i mirë i kompetencave, detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm”, thekson raporti.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Raporti thekson se duhet të përmirësohet mirëmbajtja dhe shërbimi i rrugëve lokale.

Sipas raportit kapacitetet e autoriteteve kontraktore në nivel qendror dhe lokal duhet të forcohen.

“Kapaciteti për të menaxhuar proceset e prokurimit publik duhet të rritet më tej, veçanërisht në nivel lokal, në mënyrë që të sigurohet një qasje më koherente në menaxhimin e ciklit të prokurimit. Cilësia e dokumentacionit të tenderit mbetet një sfidë për autoritetet më të vogla kontraktuese”, thuhet në raport.

Sipas raportit, progres i kufizuar është arritur me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit buxhetor si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

“Pavarësisht punës së vazhdueshme për të ofruar udhëzime të mëtejshme, zbatimi efikas i llogaridhënies menaxheriale mbetet sfidë për përdoruesit e buxhetit në nivel qendror dhe lokal”, thuhet në raport.

Sa u përket ndryshimeve klimatike, raporti nënvizon se vendi në vitin e ardhshëm duhet në në veçanti të përshpejtojë përpjekjet për reduktimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe qendror dhe reduktimin e ndotjes.

Për cilësinë e ajrit, vazhduan përpjekjet për të përmirësuar inventarin e emetimeve të ndotësve të ajrit. Është përgatitur plani për cilësinë e ajrit për vitin 2021 për Manastirin. Në komunat e Berovës dhe Prilepit janë instaluar dy stacione automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit të ambientit, së bashku me ndërrimin e instrumenteve matëse në disa nga stacionet ekzistuese të monitorimit.

Për menaxhimin e mbeturinave, raporti thekson se janë bërë disa aktivitete por duhet ende shumë punë.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në gusht 2021, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i dha vendit dy vjet shtesë për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit. Por siç thuhet, zbatimi i rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim dhe reagim më të fuqishëm nga autoritetet kombëtare dhe lokale.

Njëfarë progresi është arritur në kornizën legjislative me miratimin e ligjit për financimin e vetëqeverisjes lokale.

“Vendi duhet të finalizojë procesin e reformës në sistemin e vetëqeverisjes lokale. Ndryshimet në ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale synojnë sigurimin e burimeve shtesë financiare për komunat dhe fuqizimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor”, thekson raporti.

Ka pasur disa përparime në përfshirjen e romëve, por raporti thekson se shumica e vendbanimeve rome ende nuk janë të mbuluara me plan urbanistik.

fushën e arsimit, raporti thotë se  shpenzimet janë tepër joefikase, kryesisht për shkak të formulave të vjetruara për rishpërndarjen e fondeve të arsimit publik nga komunat.

Raporti inkurajon komunat të ndërmarrin hapa për të respektuar plotësisht detyrimet e tyre për zhvillimin dhe zbatimin e programeve të efikasiteti së energjisë.

Ndërsa theksohet se gjatë vitit të ardhshëm vendi duhet të përshpejtojë reformat në  përmirësimin e procesit të decentralizimit përmes një kornize të besueshme financimi për komunat dhe forcimi i dialogut politik për zhvillimin rajonal.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button