Vështirë të shpjegohet pse Ukraina s’e njeh Kosovën, deklaroi ambasadori ukrainas në Serbi

Ambasadori ukrainas në Serbi, Volodymyr Tolkach, deklaroi se është vështirë të shpjegohet pse Ukraina nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, ndonëse Prishtina “po e mbështet me zemër Ukrainën”, raporton Koha.net.

Siç raportoi “Danas” të enjten, ambasadori u shpreh se e mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse sipas tij, Ukraina i përmbahet parimit të integritetit territorial të Serbisë.

“Sot shtrohet pyetja se kush është në anën e kujt dhe është e vështirë t’u shpjegohet qytetarëve ukrainas pse Kievi nuk e mbështet zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina e mbështet Ukrainën kudo. Pavarësisht nga të gjitha këto, Ukraina respekton normat ndërkombëtare. Ne gjithashtu mbështesim dialogun në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nga i cili presim sukses”, deklaroi Tolkach.

Sipas tij, bashkëpunimi aktual mes Ukrainës dhe Kosovës është në nivel të ulët.

Ai pati deklaruar gushtin e këtij viti se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për përkrahjen, por qëndrimi ukrainas s’ka ndryshuar.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka deklaruar javë më parë se në Ukrainë po mbështetet ideja për ta njohur Kosovën, por që sipas tij, zyrtarisht nuk është parë ndonjë gatishmëri.

Kosova u rreshtua krah Ukrainës e kundër Rusisë, që në nisje të agresionit rus (24 shkurt), nëpërmjet vendosjes së sanksioneve.

Ndërsa, Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që ende s’i ka vendosur sanksione Rusisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button