Riorganizimi i administratës në RMV: Më pak drejtorë në institucione

Disa institucione dhe agjenci do të bashkohen në një, do të ketë edhe agjenci që do të mbyllen, gjegjësisht do të transferohen si sektorë në ndonjë ministri tjetër, do të ulet numri i drejtorëve, e shumë të punësuar do të transferohen nëpër vende të tjera pune, njofton Portalb.mk.

Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ministria e Ekonomisë janë ministritë e para që marrin pjesë në pilot procedurën për riorganizim në kuadër të IPA-projektit, të financuar dhe të mbështetur nga Bashkimi Evropian, në të cilin merr pjesë e gjithë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç njoftoi edhe në konferencën e sotme, Sllagjana Taseva, kryetarja e “Transparency International Macedonia” dhe udhëheqësja-e projektit, me këtë procedurë janë bërë analiza të të gjitha 17 ministrive për atë se si mund të riorganizohen, me qëllim që të sigurohet menaxhim i politikave, llogaridhënie, mbikëqyrje dhe kontroll, të cilat do të jenë plotësisht nën një kapelë, ose nën kontrollin e vetë ministrave, me çka, sipas tyre, do të mundësohet një linjë e qartë e llogaridhënies, realizimit të obligimeve dhe një linjë e qartë e buxhetimit. Me këtë, siç thotë ajo, do të evitohet praktika e krijimit të institucioneve të pavarura jashtë ligjit.

Siç edhe kishim praktikë të krijojmë institucione të pavarura, agjenci me ligje të veçanta, ashtu që e gjithë ajo do të sillet rreth një ligji dhe do të krijohet një arkitekturë dhe strukturë krejtësisht e re e punës së administratës shtetërore që do të mundësojë që ajo të jetë më ekonomike, efikase, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve, deklaroi ajo.

Në praktikë, siç informoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, kjo do të thotë se disa institucione dhe agjenci do të bashkohen në një.

“Për shkak se tani për tani ka konstatime nga ekspertët se e kryejnë të njëjtën punë dhe duhet të jenë një, a jo dy ose tre në disa raste. Gjithashtu, do të ketë agjenci që do të mbyllen, gjegjësisht do të transferohen si sektorë në ndonjë ministri, sepse ekspertët edhe në këtë rast konstatojnë se ndonjë agjenci nuk ka nevojë të ketë shtatë anëtarë të Këshillit drejtues dhe drejtor, gjegjësisht se në atë agjenci me rëndësi është vetëm administrata”, deklaroi ai.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të sjellë kjo ulje të numrit të të punësuarve, ministri u përgjigj se do të ketë ulje të numrit të drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues, e jo të të punësuarve.

“Të punësuarit do të transferohen. Domethënë, me riorganizimin asnjë i punësuar nuk do të largohet nga puna sepse në pushtetin qendror ne kemi deficit të të punësuarve, kështu që mund të ketë zhvendosje, mirëpo të punësuarit do të mbeten. Por, po, do të ketë drejtorë që sot janë drejtorë, e në vitin 2024 nuk do të jenë më drejtorë sepse në atë institucion nuk do të ketë më drejtor”, deklaroi ai.

Si shembull e theksoi Këshillin ekzistues të inspektorateve, i cili, me riorganizimin nuk do të ekzistojë, gjegjësisht, siç tha, administrata që është në këtë këshill do të transferohet në ministri, siç është edhe RRAHM, i cili do të transferohet në Ministrinë e arsimit dhe shkencës.

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadori David Geer, theksoi se institucionet efikase shtetërore janë me rëndësi kyçe për zhvillimin e çdo vendi dhe posaçërisht për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ai tha se ato gjithashtu do të jenë më rëndësi thelbësore për progresin e vendit në rrugëtimin e tij drejt BE-së.

Kjo është me rëndësi të veçantë sepse nuk ka ligj të posaçëm të BE-së në lidhje me strukturën kushtetuese, e as edhe nuk ekziston ndonjë model i veçantë midis vendeve të BE-së, që domethënë se ka një larmishmëri të pasur të zgjedhjeve që bazohen te kriteret themelore të sigurimit të llogaridhënies dhe efikasitetit të administratës publike. Ai tha se BE-ja luan një rol të rëndësishëm në këtë proces nëpërmjet financimit të ekspertëve si pjesë të këtij shqyrtimi funksional.

Euroambasadori potencoi se duhet të priten plotësime për ministritë e mbetura, e sipas tij, reforma në administratën publike është në palcën e këtij projekti.

“Pa zhvillimin e një administrate të dobishme dhe efikase procesi i anëtarësimit nuk do të jetë i suksesshëm jo vetëm për shkak se duhen reforma, jo vetëm për shkak të infrastrukturës e cila duhet të ndërtohet dhe që e përfshin administratën, por edhe për shkak të asaj se vendi i ardhshëm anëtar duhet të ketë administratë me kapacitet që do të sigurojë implementimin e të drejtës evropiane dhe do të sigurojë që vendi të jetë partner i barabartë që mund t’i shfrytëzojë mundësitë që jepen me anëtarësimin”, porositi Ambasadori.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi theksoi se funksionimi i mirë i institucioneve është parakusht për krijimin dhe implementimin e suksesshëm të politikave që e promovojnë zhvillimin ekonomiko-social në vendin tonë.

Raportet e fundit të Komisionit Evropian në vazhdimësi u referohen prioriteteve për rritjen e profesionalizmit dhe avancimin e administratës shtetërore, që është e mundur vetëm nëpërmjet vendosjes së linjave të qarta të përgjegjësisë dhe rritjes së nivelit të transparencës, si dhe uljes së numrit të tyre, deklaroi ai.

Gjithashtu, Grubi njoftoi se pas përfundimit të këtij pilot projekti, Qeveria do të duhet që ta fillojë procesin e riorganizimit nga janari i vitit 2024.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button