Skriningu, Maqedonia e Veriut vazhdon panel-diskutimet kushtuar Klasterëve 4 dhe 5 të BE-së

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, sot do të hapë panelin e dytë në kuadër të ngjarjes: “Në rrugën evropiane: Reforma të reja, mundësi të reja!”, kushtuar Klasterit 4, “Agjenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme” dhe Klasterit 5, “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, transmeton Portalb.mk.

Tema e dy panel-diskutimeve është: “Agjenda e gjelbër-Resurset e rinovueshme, ushqimi i Maqedonisë, tregjet evropiane”, ku panelistët do të flasin për progresin dhe sfidat në klasterët 4 dhe 5, progresin e arritur, tejkalimin e dobësive të theksuara në drejtim të harmonizimit dhe miratimit të legjislacionit evropian dhe sfidave që na presin, pasi anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është me interes të qartë për ne dhe se duhet të punojmë bashkërisht dhe me përkushtim në këtë proces.

Në kuadër të sesionit të parë kushtuar klasterit 4, panelistë do të jenë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe koordinator i Klasterit 4, Naser Nuredini, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, Olimpia H. Zaevska, ligjëruese në Shkollën e biznesit të Kopenhagës, kryetari i komunës së Vallandovës dhe anëtar i bordit të BNJVL-së Pero Kostadinov dhe drejtori i Agjencisë për energjetikë Dario Nikolovski.

Në seancën e dytë kushtuar klasterit 5 për resurse, bujqësi dhe kohezion, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Ljupço Nikolovski, drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural – IPARD, Nikica Baçovski, Orhideja Kaljoshevska nga Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor, drejtori i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë, Nikolçe Babovski dhe kryetari i OJQ-së “Rrjeti Rural” Petar Gjorgievski.

Ky është panel-diskutimi i dytë, i pari u mbajt muajin e kaluar, me temë: “Me të gjitha kapacitetet deri në standardet evropiane – institucione që ofrojnë për qytetarët”, dedikuar klasterëve 1 dhe 6, gjegjësisht “Vlerat themelore” dhe ” Marrëdhëniet e jashtme” dhe muaji i ardhshëm do të pasohet nga i treti për klasterët 2 dhe 3, gjegjësisht “Tregu i brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.

Sekretariati për çështje evropiane me mbështetjen e projektit “Mbështetje nordike për progresin e Maqedonisë së Veriut” të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbime të projekteve UNOPS, organizon një sërë panel-diskutimesh nën moton: “Në rrugën evropiane: Reforma të reja, mundësi të reja!”.

Një nga objektivat kryesore të skriningut është përcaktimi i dallimit që ekziston në secilin nga kapitujt e negociatave, ndërmjet legjislacionit të vendit kandidat dhe atij të BE-së. Pas analizës, shteti kandidat pritet të tregojë nëse do të mund të pranojë legjislacionin e BE-së në një kapitull të caktuar dhe të harmonizojë dallimet e vërejtura në legjislacion apo synon të kërkojë periudha të caktuara kalimtare për harmonizimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit.

Edhe pse Maqedonia e Veriut filloi negociatat me Bashkimin Evropian së bashku me Shqipërinë dhe së bashku ndjekin takimet e skriningut shpjegues, ato ndahen për skriningun bilateral dhe secili vend vazhdon të udhëheqë veçmas këtë fazë të skriningut.

Sipas kalendarit të Komisionit Evropian, procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është planifikuar të zgjasë deri në fund të nëntorit 2023.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej më 11 nëntor, e deri më 9 dhjetor të këtij viti, vazhdon faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button