Mbi liberalizmin

Ashtu si e thotë edhe vetë emri i tij, liberalizmi si koncept politik në qendër të vëmendjes e ka lirinë. Esenca e liberalizmit është pra liria individuale e njeriut dhe liria kolektive apo grupore për të jetuar dhe për t’u sjellur sipas bindjeve të veta. Sigurisht, liria si koncept nuk nënkupton që jemi të lirë të bëjmë çfarë të duam dhe të jemi të dëmshëm apo të rrezikshëm për të tjerët. Sipas konceptit liberal liria jonë mbaron aty ku fillojnë detyrimet ndaj të tjerëve. Megjithatë, në kohën kur ky koncept është paraqitur si mënyrë e udhëheqjes së shtetit, ka qenë një revolucion i vërtetë për njerëzimin i cili në ato kushte të atëhershme nuk ka jetuar i lirë.

Në kohën e feudalizmit të vonshëm liria ka qenë koncept i përballueshëm vetëm për një pjesë krejtësisht të vogël dhe më të privilegjuar të popullatës. Bile edhe ata nuk kanë qenë krejtësisht të lirë sepse normat strikte shoqërore e kanë definuar jetën e tyre dhe ka qenë e pamundur që këto norma të anashkalohen. Por për pjesën më të madhe të popullit liria ka qenë ideal i paaritshëm, sepse vetë ligjet dhe natyra e shteti e kanë vendosur dhe legalizuar pabarazinë mes njerëzve dhe privilegjet e trashëguara të dikujt ndajt të tjerëve. Liberalizmi pra është koncepti që e ka ndryshuar historinë dhe ka vendosur rregulla të reja për funksionimin e shtetit dhe shoqërisë. Liberalizmi mbetet edhe më tej koncepti i vetëm modern politik i cili është ende në fuqi në vendet më të zhvilluara në botë, duke qenë se asnjëherë nuk mund të paraqitet një koncept tjetër që do ta zëvendësonte nevojën e njerëzimit për liri.

Në thelbin e liberalizmit janë disa postulate kryesore: respekti për të drejtat dhe liritë individuale dhe grupore, egalitarizmi politik, ndarja e pushtetit, sekularizmi, pluralizmi demokratik, egalitarizmi juridik , sundimi i së drejtës dhe ligjshmëria, ekonomia e tregut të lirë, liria e shprehjes, liria e besimit, liria e bashkëpunimit dhe organizimit, si dhe barazia dhe mosdiskriminimi mes njerëzve. Liberalizmi si koncept kërkon që njerëzit të jenë të lirë për të qenë ata që janë, të mos frikësohen dhe rrezikohen për atë që përfaqësojnë dhe ta kultivojnë lirshëm identitetin e tyre.

Në një shtet liberal institucionet demokratike funksionojnë në bazë të rregullave të pluralizmit demokratik dhe egalitarizmit politik ku në zgjedhje të lira qytetarët vendosin se kush do të udhëheqë me shtetin. Në ato zgjedhje vlen parimi një qytetar – një votë sepse në demokraci të gjithë janë të barabartë dhe nuk ka statuse të privilegjuara shoqërore në kuptimin e vlefshmërisë së votës. Të gjithë janë të lirë ta shprehin mendimin dhe bindjen e vetë politike dhe për këtë të mos persekutohen ashtu siç bëhet në shtete hegjemoniste ku vetëm një strukturë politike lejohet të veprojë dhe të udhëqheqë. Në shtetet liberale pushteti është i ndarë dhe eksistojnë mekanizma të qarta të kontrollit mes pushteteve me qëllim që pushteti të mos bëhet autokratik dhe hegjemonik. Në një shtet të mirëfilltë liberal legjislativi dhe gjyqësori nuk janë asnjëherë mjete të pushtetit ekzekutiv por janë kontrollorë të reptë të tij. Në një shtet liberal feja është e ndarë nga shteti por të gjithë qytetarët gëzojnë lirinë fetare, për të kultivuar këtë pjesë të identitetit të tyre. Në një shtet liberal respektohen liritë dhe të drejtat individuale të njeriut ndërsa njihen edhe të drejtat grupore që kanë për qëllim mbrojtjen dhe kultivimin e identiteve të shumta në shoqëri me diversiteti kulturor dhe gjuhësor.

Në thelb të liberalizmit është edhe egalitarizmi juridik ku kërkohet me ngulm që ligji të vlejë njësoj për të gjithë. Këtë teori në të drejtën penale e kanë zhvilluar Bekaria dhe bashkëkohanikët e tij të cilët kanë vendosur parimin e ligjshmërisë, që sot e kësaj dite është baza e gjithë të drejtës penale. Ata kanë kërkuar që ligji të vlejë njësoj për të gjithë, nga pallati deri te kasollet, dhe kanë theksuar që nuk është shumë me rëndësi që ligji të jetë i reptë, por është me rëndësi jetike që ligji të jetë efikas dhe gjithmonë i zbatueshëm. Një shtet liberal është shteti ku këto parime funksionojnë dhe ku ka sundim të së drejtës.

Shtete liberale të kohës sonë janë ato shtete ku të gjithë duan të migrojnë. Janë shtetet e perëndimit ku demokracia dhe ligji funksionon dhe ku edhe të huajt e gjejnë veten dhe arrijnë të integrohen në shoqëri. Në ato shtete të gjithë e ndjejnë se si është të jetosh në liri dhe të jesh ai/ajo që je.

Edhe pse e dua liberalizmin si koncept, sepse ai e vë në shprehje rëndësinë e lirisë, njerëzit dinë te jenë edhe “liberalë” selektivë. Kështu ata mendojnë se liria e dikujt është më e rëndësishme se e dikujt tjetër dhe se të gjithë njerëzit janë të barabartë, por disa ama duhet të jenë pak më të barabartë se të tjerët. Kështu ndonjëherë ata mendojnë se disa të drejta të dikujt janë më të rëndësishme se të drejtat e diktujt tjetër dhe se jo bash të gjithë meritojnë të jenë të lirë dhe të jetojnë ashtu siç janë. Liberalizmi nuk njeh selektivizëm, ose jeni liberal ose nuk jeni. Nuk mund të jeni liberal dhe të krëkoni barazi etnike por njëherit të mos jeni dakord me barazinë gjinore. Nuk mund të luftoni për mosdiskriminim në bazë fetare e megjithatë të jeni diskriminues dhe homofob ndaj personave që kanë orientim seksual të ndryshëm nga ju. Ose jeni liberal ose nuk jeni, nuk mund të jeni dhe të mos jeni në të njejtën kohë. Sepse në ato vende liberale ku të gjithë duan të migrojnë njihen dhe mbrohen të gjithë të drejtat e të gjithë komuniteteve, ndërsa neve na pëqlen te jetojmë në një ambient të tillë që mes tjerash, për shkak të këtyre koncepteve liberale, siguron edhe mirëqenie të paparë ekonomike.

Nëse jemi “liberalë” selektivë atëherë më të përshtatshme për konceptet tona janë ato shtete që i quajmë demokraci joliberale. Në shtetet të tilla, si për shembull në Hungari por edhe në shtete tjera të ngjashme, shteti funksionon i bazuar në institucione demokratike, pra ka zgjedhje ku zgjidhen bartësit e pushtetit dhe formalisht eksistojnë ligjet dhe ndarja e pushtetit, por në fakt, këto institucione nuk janë të lira për të vepruar por janë të varura nga pushteti ekzekutiv. Në shtetet të tilla të drejtat dhe liritë e njeriut zbatohen në mënyrë selektive dhe jo të gjithë qytetarët janë njësoj të mbrojtur, sepse disa janë më të barabartë se të tjerët. Po ta shikoni përqindjen e migrimit të popullatës tonë, shumë pak migrojnë në vende me demokraci joliberale në krahasim me migrimin në vendet me demokraci të mirëfilltë liberale si Gjermania për shembull.

Prandaj është mirë që të të zgjedhim një opsion të qartë, jemi ose nuk jemi liberalë. Nëse jemi atëherë është e qartë që nuk mund të jemi selektivë. Nëse nuk jemi, atëherë është e qartë që nuk jemi të mendimit se liria duhet të vlejë njësoj për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button