RMV, ndryshimet e ligjit për shujtë studentore të subvencionuar do të miratohen me procedurë të shkurtuar

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut votoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për subvencionimin e shujtës së studentëve që të kalojë me procedurë të shkurtuar, raporton MIA. Në seancën e 91-të, propozimi u miratua me 54 vota dhe Kuvendi obligoi Komisionin për Financim dhe Buxhet, si trup punues amë, dhe Komisionin Juridik-Ligjvënës  për ta diskutuar propozimin.

Propozues të Ligjit janë deputetet Daniela Koleva, Daniela Nikolova, Dragica Gjavoçanova, Emilia Rambabova, Zhaklina Lazarevska, Zekir Ramçiloviq, Lidija Tasevska, Latife Shikovska, Marija Kostadinova, Marija Koçovska, Monika Zajkova, Muhamet Kadriov dhe Sanela Shkrel.

Deputetja Zhaklina Lazarevska e ka shpjeguar arsyetimin e propozimit që të miratohet pas procedurës së shkurtuar, duke thënë se shujta e studentëve duhet të jetë ushqim studentor, jo ndihmë financiare.

“Shujta studentore duhet të jetë ushqim studentor, ndërsa jo ndihmë financiare. Ne e bëmë këtë në vitin 2021 me një ndryshim, me qëllim që gjatë pandemisë t’u mundësojmë të gjithë studentëve të marrin mjete që do t’u mundësonin atyre të përballonin një shujtë cilësore studentore. Ai ligj dhe ai ndryshim ishte i përkohshëm dhe ajo që duam të bëjmë me atë ligj që e tërhoqëm është që në këtë kohë, në këtë situatë ku ndodhet shteti, ushqimet e subvencionuara të studentëve duhet të pranohen në solidaritet, studentëve që  më së shumti u nevojitet  që të ketë vlerë më të lartë se ajo që ishte parashikuar me ndryshimet në vitin 2021”, tha Lazarevska.

Ajo bëri me dije se i respektuan kërkesat e studentëve dhe në këtë moment, siç tha ajo, “ofrojmë vetëm një zgjidhje kalimtare që nënkupton vazhdimin e pagesës së shujtës të subvencionuar të studentëve në të njëjtat kushte si më parë, duke theksuar se do të jetë e vlefshme deri në mars të vitit 2023”.

“Gabuam, kërkojmë falje, por nga ai gabim dolëm më të fortë sepse studentët u ulën dhe biseduan me ne, biseduam dhe disi arritëm në një zgjidhje të përbashkët”, tha Lazarevska.

Sipas deputetit Nikolla Micevski, kjo do të thotë vetëm zgjatje e revoltës së studentëve.

“Nuk ka fitore,  ua zgjatni afatin, ju zgjatni protestën e studentëve, revoltën sepse deri në mars, kështu që ju thoni vetes nga marsi do të blejmë ndonjë muaj dhe pastaj do të kemi ndonjë strategji tjetër ndaj studentëve”, tha Micevski.

Ndryshe, pas takimit të dy ditëve më parë në Kuvend mes kryeministrit, përfaqësuesve të kuvendeve studentore, deputetëve dhe ministrave, një pjesë e studentëve u shprehën të pakënaqur me rezultatin dhe vendimet e marra. Ata me anë të një kumtese paralajmëruan marsh masiv për nesër, i cili do të fillojë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Studentët protestuan të hënëm. Dhjetëra studentë përballë Parlamentit dërguan mesazhe përmes pankartave “Nuk mëson kur ke uri dhe të ftohtë”, “Ushqim studenti apo bast politik”, “Na dridhemi nga i ftohti, jo nga frika”. Fjala “Rezistencë” ishte pikturuar edhe në rrugën përballë Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button