Reklamat qeveritare do t’i kushtonin RMV-së mbi 5 milionë euro, 80% të parave do t’i merrnin 5 televizione

Deputetët e shumicës parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë dorëzuar propozim-ndryshime të Ligjit për Shërbime Audio dhe Audiovizuale, e cila është caktuar si pikë e rendit të ditës në seancën e sotme të 91-të të Kuvendit. Ndryshimet ligjore janë propozuar nga pesë deputetët të pushtetit, a me atë kërkohet që të fshihet neni 102 i Ligjit, me të cilin është ndaluar derdhja e parave shtetërore për fushata në mediat private, njofton Portalb.mk.

Shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM në 100 ditët e para të marrjes së qeverisjes në shtator të vitit 2017-të e miratuan nenin 102 të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, me të cilën u ndalua praktika e deriatëhershme e pushtetit të VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit për reklamim qeveritar në media.

Në ndryshimet e propozuara ligjore thuhet se Qeveria ka për obligim që gjatë një viti kalendarik të zbatojë së paku 1 a më së shumti 4 fushata nga interesi publik në nivel qendror. Kuvendi, nga ana tjetër, do të formojë Komision të veçantë për miratimin e fushatave të interesit publik në nivel qendror.

Me ndryshimet qendrore, përveç që largohet ndalesa e reklamimit të këtillë, vendoset edhe obligim që shteti dhe komunat të kenë një deri në 4 fushata publike në vit të cilat do të transmetohen në televizionet dhe radiot komerciale. Financimi i fushatave me interes publik do të sigurohet nga buxheti në lartësi prej 0,1%.

Buxheti për vitin 2023 parashikohet të jetë 5,3 miliardë euro. Sipas përllogaritjes, i bie që të harxhohen 5,3 milionë euro për reklama qeveritare. Mbi 4,2 milionë euro prej kësaj shume, do t’i shfrytëzonin 5 televizionet nacionale të RMV-së Telma, Alfa, Alsat, Kanal 5 dhe Sitel.

Shuma për reklama do të rritet ose zvogëlohet në raport me rritjen ose zvogëlimin e buxhetit.

Prej tyre, 80% janë për qëllime të fushatave të interesit publik të cilat do të transmetohen vetëm në televizionet nacionale, ndërkaq 20%, për televizionet rajonale dhe radiot në nivel shtetëror dhe rajonal.

Në lidhje me ndryshimet e propozuara, ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir, tha për “Slloboden Peçat” se ndryshimet ligjore të propozuara me procedurë të shkurtër ngritin çështje të rëndësishme lidhur me pavarësinë e mediave dhe më gjerë me interesin publik.

“Siç theksuam më herët, këto ndryshimet duhet të jenë kompaktibile me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së dhe të bëhen në bazë të konsensusit politik dhe pas konsultimee me të gjithë aktorët relevant”, deklaroi ambasadori Gir.

Përndryshe, zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski dhe bashkëpunëtori qeveritar për energjetikë, Viktor Andonov sot paralajmëruan aktivitete informative-edukative të Qeverisë nën sloganin “Kursejmë bashkë sot që të kemi nesër”. Qeveria paralajmëroi se do t’i edukojë dhe motivojë  qytetarët që në mënyrë më efikase ta shfrytëzojnë energjinë elektrike dhe të kursejnë rrymë, por nga qeveria tani për tani nuk paralajmëruan se këto aktivitete do të transformohen në fushata reklamuese me spote të paguara në televizione dhe radio.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button