Një fjalor mbi mitologjinë dhe demonologjinë shqiptare

Fjalorët dhe enciklopeditë, që duhet të ofrojnë të dhëna të thukëta, të besueshme, objektive dhe neutrale, vlerësohen si vepra të domosdoshme për një kulturë. Grumbullimi dhe organizimi i dijes kërkon punë sistematike dhe të mundimshme. Megjithatë, përpilimi i këtyre veprave nuk është vetëm punë disipline dhe durimi. Përpiluesit duhet të kenë dije të thelluara mbi zërat për të cilët shkruajnë.

Fjalorët specifikë, më së shpeshti, përgatiten nga institucionet dhe nga grupe autorësh. Por, vepra të këtilla shumë cilësore kanë krijuar edhe individët. Njëri prej tyre është Azem Qazimi, krijues dhe studiues nga Struga, i cili jeton në Tiranë.

Azem Qazimi, krahas librave tjerë, e ka botuar edhe Fjalori i mitologjisë dhe demonologjisë shqiptare – kremte, rite e simbole, (Plejad, Tiranë, 2008), i cili, sipas eruditit Moikom Zeqo, është “diturak, rikonstruktues, që i sistemon dijet nga mitologjia shqiptare, e cila është një thesar i madh dhe dëshmi për mbijetesën e paganizmit ilir te shqiptarët”.

Ky fjalor dëshmon se në kulturën shqiptare ka rite, kremte e simbole të lashta që kanë reflektuar dhe reflektojnë në jetën e popullit. Se njeriu, sado i “modernizuar” të jetë, thellë në vetvete i ruan reliktet e kohërave të shkuara, që nuk çrrënjosen lehtë. Mbase asnjëherë.

Azem Qazimi u referohet autorëve të shumtë që janë marrë me këtë aspekt të kulturës sonë, sikurse: Johan Hahni, Franz Nopça, Edit Durhami, Ndre Mjeda, Stefan Gjeçovi, At Bernandin Palaj, Hafëz Ibrahim Dalliu, Stavro Frashëri, Kolë Kamsi etj. Megjithatë, fjalori i tij nuk është sintezë e punës së dijetarëve të sipërpërmendur, të cilët kanë shkruar për këtë fushë të dijes, por një punë origjinale. Aty kemi edhe të dhëna që janë vjelë nga autori, veçanërisht nga rajoni i Strugës.

Fjalori i këtij krijuesi e studiuesi me kulturë të gjerë, ua lehtëson punën studiuesve që merren e do të merren me mitologjinë shqiptare dhe jo vetëm atyre, sepse ofron të dhëna të shumta e të thukëta për figura të ndryshme nga mitologjia jonë. Kemi edhe krahasime të figurave nga mitologjia shqiptare me figurat e mitologjive tjera. Ngjashmëritë janë si pasojë e kontakteve të të parëve tanë me kultura dhe qytetërime të ndryshme. Shqiptarët, nëpërmjet kontakteve, dhanë dhe huazuan edhe figura mitologjike.

Fjalorët e këtij formati janë të domosdoshëm për çdo bibliotekë personale dhe joshës për lexues profilesh e moshash të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button