Kapitulli 28, dy nga tre rekomandimet e KE-së për RMV-në nuk janë zbatuar aspak

Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit vazhdon të mbetet fushë me përgatitje mesatare për Maqedoninë e Veriut vlerëson Komisioni Evropian në raportin e progresit për vitin 2022. Vendi ka pasur zhvillim shumë të kufizuar ndërsa nga tre rekomandimet më kryesore të vitit të kaluar është zbatuar vetëm njëri, dy të tjerët mbeten sërish për tu zbatuar vitin e ardhshëm. Komisioni në raport thekson në mënyrë të qartë se është bërë përparim i kufizuar në periudhën raportuese në lidhje me raportimin e kancerit dhe zbulimin e kancerit, por jo në rekomandimet e tjera të cilat ende vlejnë, transmeton Portalb.mk.

Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • të harmonizojë kuadrin ligjor me “acquisin” e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit dhe të forcojë strukturat operacionale që i shërbejnë mbrojtjes së konsumatorëve;
  • të intensifikojë përpjekjet për kontrollin e duhanit duke zbatuar në mënyrë efektive acquisin e BE-së për këtë dhe duke ratifikuar Protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit;
  • të sigurojë fonde adekuate dhe njohuri të specializuara për zbulimin e hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla bazuar në të dhënat nga regjistrat.

Mbrojtja e konsumatorit

Nuk ka pasur përparim në miratimin e Ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit dhe nuk është raportuar përparim në ngritjen e kapaciteteve apo investimeve publike në këtë fushë, megjithëse është bërë njëfarë progresi në përafrimin e rregullave kombëtare të sigurisë së produkteve me acquisin e BE-së. Strategjia e ardhshme trevjeçare për Mbrojtjen e konsumatorit ende nuk është miratuar. Inspektimet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut janë rritur në periudhën raportuese, në gjithsej 3 566 inspektime.
Platforma e internetit që ofron informacion mbi mbrojtjen e konsumatorit duhet ende të zhvillohet. Skema e ndërmjetësimit vazhdon të jetë e shtrenjtë dhe e vështirë për t’u aksesuar nga konsumatorët.

Në vitin 2021, Inspektorati kreu 473 inspektime sipas ligjit të përgjithshëm të sigurisë së produkteve (nga 428 në 2020) dhe 131 inspektime sipas ligjit për produktet ndërtimore (nga 20 në 2020). Pas këtyre kontrolleve, Inspektorati ka tërhequr nga tregu produkte të dëmshme, kryesisht lodra, drita, doreza mbrojtëse, helmetë motorike dhe veshje për fëmijë. Inspektorati ka 278 punonjës, por ka një numër të pamjaftueshëm të inspektorëve të licencuar (vetëm 171) dhe një pjesë e madhe e stafit janë afër pensionit. Për çështjet që nuk lidhen me sigurinë nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përcaktuar udhëzimin dhe procedurën për ankesat e konsumatorëve dhe mjetet e kompensimit.

"8 shtatori", spital, covid, corona, kovid, korona
Spitali “8 shtatori” Foto: Portalb.mk

Shëndeti Publik

Sektori i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut akoma përballet me humbje të stafit mjekësor, pasi infermierët dhe specialistët, të cilët po shpërngulen, ose shkojnë në sektorin privat ose largohen për të punuar jashtë vendit. Kjo kontribuon në çështjet e aksesit të specialistëve, kostot e kujdesit shëndetësor nga xhepi mbeten të larta dhe ka ende mungesë të trajnimit profesional për përdorimin e disa pajisjeve të avancuara shëndetësore. Strategjia Shëndetësore 2021-2030 dhe plani i saj aksional është hartuar për të adresuar disa nga këto çështje dhe për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor, efikas dhe efektiv, duke përfshirë kujdesin shëndetësor të bazuar në komunitet.

Nuk ka pasur përparim në kontrollin e duhanit. Organizimi institucional dhe ligjor është i vendosur dhe është në përputhje me acquisin e  BE-së, por nuk zbatohet në mënyrë sistematike – duhani në ambiente publike dhe restorante duhet të sanksionohet në përputhje me acquisin e BE-së. Maqedonia e Veriut ende nuk e ka ratifikuar Protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.

Maqedonia e Veriut është pjesërisht e përafruar me acquisin e BE-së për sëmundjet ngjitëse. Strategjia Kombëtare 2019-2023 për kontrollin e rezistencës antimikrobike është në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut gradualisht po rimëkëmbet nga pandemia COVID-19 dhe numri i rasteve pozitive, pacientëve të shtruar në spital dhe vdekjeve ka rënë vazhdimisht. Vendi ka hequr shumicën e masave parandaluese. Autoritetet raportojnë se 75% e popullsisë është shëruar nga COVID-19 dhe konsiderojnë se kanë fituar imunitet natyror, 47% e njerëzve kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19 dhe 7% kanë marrë dozë të tretë.

Maqedonia e Veriut u bë anëtare e Marrëveshjes së përbashkët të prokurimit të BE-së për kundërmasat mjekësore dhe vëzhguese në Komitetin e BE-së për Sigurinë shëndetësore. Ajo siguron informacion për sistemin e mbledhjes së të dhënave të Komisionit për COVID-19 dhe emëroi korrespondent në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ligji për sigurinë e furnizimit me gjak është në përputhje me acquisin e BE-së. Nuk ka qendër për grumbullimin e plazmës dhe as impiante të fraksionimit të plazmës, megjithëse plazmaferezat kryhen në Institutin e Mjekësisë Transfuzive. Numri i transplanteve të kryera u rrit sërish në vitin 2021. Është krijuar një bankë e indeve kockore, e cila mbledh materiale që do të përdoren për transplantim. Për të drejtat e pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar, legjislacioni kombëtar ende nuk është në përputhje me acquisin e BE-së.

Për pabarazitë shëndetësore, programi për kujdesin shëndetësor aktiv lejon disa target-grupe të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, duke përfshirë komunitetin rom, dhe njerëzit që jetojnë në zona të largëta mund të marrin vizita nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë ka program për personat me HIV/AIDS që siguron fonde për testime dhe analiza bazë monitoruese, dhe terapia antiretrovirale është në dispozicion për të gjithë pacientët e diagnostikuar. Megjithatë, buxheti i përgjithshëm për parandalimin e HIV/AIDS u shkurtua me 40%, duke kërcënuar trajtimin e personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe përpjekjet për parandalimin e HIV/AIDS. Përfituesit kryesorë të këtyre fondeve janë organizatat joqeveritare që punojnë drejtpërdrejt me grupet e rrezikut. Strategjia e re për të luftuar HIV-in nuk është miratuar ende. Financimi për skriningun e kancerit mbetet i pamjaftueshëm. Regjistri kombëtar i kancerit është funksional dhe ushqehet rregullisht me të dhëna të reja.

Programi kombëtar për zbulimin e hershëm të kancerit është funksional. Për barnat për përdorim njerëzor dhe veterinar, legjislacioni kombëtar duhet të përafrohet më tej me acquisin e BE-së. Strategjia kombëtare 2021-2030 mbulon aspektet e shëndetit mendor, promovimit të shëndetit, të ushqyerit dhe aktivitetit fizik. Regjistrat kombëtarë të sëmundjeve të rralla janë funksionale dhe përkufizimet përkatëse janë në përputhje me standardet e BE-së.

Ambient i brendshëm në Spitalin e Strugës, foto nga Portalb

Me kapitullin 28, rregullat e BE-së mbrojnë interesat ekonomike të konsumatorëve dhe në lidhje me sigurinë e produktit, imitimet e rrezikshme dhe përgjegjësinë për produktet me mangësi. BE-ja siguron gjithashtu standarde të larta të përbashkëta për kontrollin e duhanit, gjakut, indeve, qelizave dhe organeve, si dhe ilaçe për përdorim njerëzor dhe veterinar. BE-ja siguron gjithashtu standarde të larta të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar dhe trajtimin serioz të kërcënimeve shëndetësore ndërkufitare, duke përfshirë sëmundjet ngjitëse.

Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.

Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli –  Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.

KE-ja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, përkatësisht lëvizja e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësisë intelektuale, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit. Në Kapitullin 1, BE-ja thekson qartë  se vendi nuk ka pasur progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. E njëjta gjë nënvizohet edhe për Kapitullin 2, ndërsa Kapitulli 3 ka pasur progres të kufizuar.

Kujtojmë se raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button