Kuvendi e miratoi propozimin që i lejon Maqedonisë së Veriut të marrë 530 milionë euro kredi

Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua propozim ligji që i mundëson vendit të marrë 530 milionë euro kredi me interes deri 4.66 për qind, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e tij, miratoi Propozim ligjin me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë në dispozicion 530 milionë euro nga Instrumenti për përkujdesje dhe likuiditet i FMN-së”, njoftoi Ministria e Financave.

Për këtë propozim votuan 53 deputet “për”, ndërsa 19 “të përmbajtur”, ndërsa ligji që i mundëson Maqedonisë s/ Veriut të marrë borxh te Banka Botërore u votua me 52 deputet “për” dhe 18 “të përmbajtur”.

Ndryshe, Komisioni parlamentar për financa dhe buxhet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dje i ka dhënë dritë jeshile vendit për të marrë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Kjo është vetëm një nga mënyrat se si është siguruar financimi i deficitit buxhetor këtë vit”, sqarojnë nga Ministria e Financave duke vlerësuar se në këtë mënyrë do të kursehen rreth 40 milionë euro sivjet.

Propozimi i miratuar do t’i mundësoje Maqedonisë së Veriut qasje në 530 milionë euro të FMN-së nga Instrumenti për përkujdesje dhe likuiditet.

“Bordi i FMN-së duhet t’i aprovojë mjetet deri në fund të këtij muaji. Parashihet që mjetet të shfrytëzohen gjatë 24 muajve të ardhshëm. Afati i shlyerjes së mjeteve që do të tërhiqen caktohet në tre vjet e tre muaj nga tërheqja e vlerës nga mjetet. Norma e interesit me të cilën janë siguruar mjetet në këtë moment është nga 3.66% në 4.66%”, sqarojnë nga Ministria e Financave.

Ministria theksoi që deri në fund të vitit duhet të tërhiqen 110 milionë euro nga Maqedonia e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button