Gjykata e Strasburgut bllokoi ekstradimin nga Evropa drejt Kinës

Pas një vendimi të gjykatësve evropianë, mund të bllokohen të gjitha ekstradimet nga Evropa drejt Kinës. Zëri i Amerikës njoftoi që aktivistët e të drejtave të njeriut e konsiderojnë atë një vendim të rëndësishëm me pasoja globale.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg të Francës, vendosi në tetor se Liu Hong-tao, një shtetas tajvanez i akuzuar për mashtrim, nuk duhet të ekstradohet nga Polonia në Kinë, pasi mund të keqtrajtohet dhe mund t’i mohohet qasja tek një proces i drejtë gjyqësor.

Në dallim nga rastet e mëparshme të ekstradimeve të bllokuara nga gjykatat, zoti Liu nuk është aktivist politik, shpjegon avokati i tij polak Marcin Gorski.

“Pra rezultati i çështjes është se pavarësisht nga statusi personal, nëse je aktivist politik i përfshirë me ndonjë lloj aktiviteti opozitar në Kinë, ose jo, nuk duhet të ekstradoheni për në Kinë, pasi çdo person që dërgohet atje ka gjasa të keqtrajtohet”, thotë zoti Gorski.

Liu Hong-tao u largua nga Spanja drejt Polonisë, pasi autoritetet spanjolle arrestuan dhe ekstraduan mbi 200 të kërkuar nga Kina. Ata akuzoheshin për mashtrim nëpërmjet shërbimeve të telekomit. Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë Spanjën se ka injoruar paralajmërimet për keqtrajtimet në Kinë.

“Argumenti i qeverisë kineze ishte se do të japin garanci diplomatike, do të ketë një gjyq të drejtë, nuk do të ketë dënime me vdekje apo burgime të përjetshme; pra, ekstradimet mund të kryhen. Ky vendim gjithashtu thotë qartë se këto lloj garancish diplomatike nuk kanë ndonjë rëndësi”, thotë Jin-Jie Chen, nga organizata joqeveritare “Safeguard Defenders”.

Zoti Liu u ndalua në Poloni në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar. Gjykata e Lartë e Polonisë miratoi ekstradimin e tij. Prandaj, ai iu drejtua Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e së cilës mbizotërojnë mbi gjyqësorin polak.

46 vende kanë nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i së cilës mbikqyret nga gjykata në Strasburg. Edhe vendet që nuk janë palë e konventës, nxjerrin konkluzionet e tyre.

“Vendimi ka gjasa të ndikojë në çështje të tilla në mbarë botën. Kemi reagime shumë të mira për këtë vendim nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re”, thotë avokati Gorski.

Vendimi mund të ndikojë edhe tek marrëdhëniet Evropë – Kinë.

“Për shembull, ndikimi i këtij vendimi ndaj procesit që vazhdon të negocimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve tregtare me Kinën”, thotë zoti Gorski.

Kina refuzon vazhdimisht akuzat se shkel të drejtat e njeriut dhe thotë se e drejta për një proces gjyqësor është e sanksionuar me ligj. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se Pekini nuk ofron qasje në sistemin gjyqësor për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mbikqyrësit, dhe se tortura dhe rrëfimet e detyruara me forcë janë të zakonshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button