Beteja kundër lajmeve të rreme, përrallë që përfundon me makth

Organizatën e dedikuar për verifikimin e fakteve në Norvegji e kanë themeluar gjashtë prej organizatave më të mëdha konkurrente të lajmeve në vend. Kryeredaktori i saj Christian Eggenberg thotë se beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk është fituar. Me të biseduam në Tiranë në konferencën e BE-së kushtuar mediave në Ballkanin Perëndimor, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Përrallë që përfundon me makth. Ky është qëndrimi juaj kur bëhet fjalë për shërbimet e verifikimit të fakteve, sepse nuk po e fitojmë luftën. Pse shihni një fund kaq të keq në këtë histori?

Në fillimet tona 6 vite më parë në Norvegji ne ishim paksa naivë, mendonim se po punonim në ngadalësimin e tendencës e cila vinte nga jashtë, nga SHBA, nga pjesë të tjera të botës, të diçkaje që nuk e kishim në Norvegji. Ne mendonim se lajmet e rrejshme, dezinformatat, në Norvegji nuk ishin një problem i madh. Por, tani, 6 vite më vonë, shohim se lajmet e rreme dhe dezinformatat janë një pjesë e madhe e diskursit publik dhe se janë nën sipërfaqe. E në sipërfaqe gjatë pandemisë së KOVID, zhvillimet në SHBA me lëvizjet QAnon (lëvizja politike e teoricienëve të konspiracionit), lëvizjen e antivakserëve. Njerëzit mendonin se telefonat celularë ishin bartës të virusit, dhe tani edhe lufta në Ukrainë, e cila zbulon shumë propagandë me të cilën ushqehen rrjetet mediatike alternative në Norvegji.

Sot shohim që problemi nuk është i mediave, por është një problem i madh për të gjithë shoqërinë. Në fillimet tona, shumë njerëz, përfshirë këtu Qeverinë dhe Kryeministrin, u shprehën publikisht se lajmet e rreme janë një problem me të cilin duhet të merren vetëm mediat. Sot, të gjithë pajtohen se lajmet e rreme dhe dezinformatat dhe teoritë e konspiracionit janë një problem me të cilin duhet të merret e gjithë shoqëria. Por, a jemi duke e fituar këtë betejë, mendoj se deri tani nuk udhëheqim në atë betejë, por tani mbase ndodhemi në atë pozitë që të veprojmë në mënyrë holistike me gjithë shoqërinë, të mos i lëmë gazetarët të bëjnë atë betejë të vetëm.

Si janë shanset për ta fituar këtë betejë?

Mendoj se kemi shans. Mendoj se tani njerëzit në përgjithësi, edhe publiku, janë shumë më të vetëdijshëm se po „ushqehen” me dezinformata, se ka teori të rrezikshme konspirative dhe se lajmet e rreme janë një problem real. Unë besoj fuqishëm se kjo është kështu për shkak të pandemisë me KOVID, se kjo është aq shumë në sipërfaqe sa njerëzit tani janë më të vetëdijshëm se ka njerëz të tjerë që i besojnë këtij lloji të propagandës. Ajo që duhet të bëjmë tani është që të ndërtojmë edukimin mediatik, që ata vetë të luftojnë kundër këtyre dukurive. Njësoj si me virusin, ne duhet të ndërtojmë një vaksinë, sepse mendoj që këtë luftë nuk e bëjnë dot vetëm as gazetarët, as qeveritë. Mendoj që vetë njerëzit mund të luftojnë kundër dezinformatave, të kenë më shumë edukim mediatik dhe të bëjnë më shumë kujdes se çfarë lexojnë në rrejtet sociale dhe në internet.

E përmendët pandeminë e KOVID, në Ukrainë ka luftë, në gjithë botën aktuale është edhe kriza ekonomike dhe energjetike. A mendoni se problemi me dezinformatat dhe lajmet e rreme u bë me evident për shkak të problemeve me të cilat po përballen njerëzit?

Absolutisht, të paktën mendoj se në vendin tim këto problem, me ndihmën e rrjeteve sociale, kanë bërë që teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme të depërtojnë në mediat kryesore. Nuk janë më jashtë, në margjina, por janë bërë pjesë e narrativit kryesor. U bënë shumë më të dukshme dhe njerëzit janë shumë më të ekspozuar ndaj narrativave të rremë dhe historive të rreme. Mendoj se është me rëndësi, sepse më parë njerëzit besonin se ishte një problem margjinal, tani e shohin se ky është një problem vërtet i madh.

Si mund të luftojnë gazetarët profesionistë kundër algoritmit të platformave sociale ku ka një përhapje të gjerë të dezinformatave dhe lajmeve të rreme që synojnë publikun?

Mendoj se mund të luftojnë në dy mënyra. Mënyra e parë është që të vazhdojnë me punën profesionale dhe t’i rezistojnë nevojës për të qenë pjesë e atij problemi me algoritëm duke bërë storie senzacionaliste dhe të padrejta. Ne duhet t’i përmbahemi profesionalizmit tonë dhe të besojmë se publiku do që të lexojë lajme të vërteta dhe cilësore, dhe jo vetëm lajme të shpejta, tabloide dhe të polarizuara, të cilat tani me ndihmën e platformave mediatike sociale kanë një akses më të madh tek publiku.

Mënyra e dytë është se ne duhet të kërkojmë një hapje dhe transparencë më të madhe nga kompanitë në pronë të të cilave janë këto platforma sociale për atë se si funksionojnë platformat e tyre. Nuk besoj se këtë betejë mund ta bëjnë gazetarët, por janë qeveritë ata që mund ta udhëheqin duke kërkuar një transparencë më të madhe për mënyrën e funksionimit të algoritmeve të tyre dhe mënyrën e shpërndarjes së lajmeve deri tek përdoruesit e tyre.

Dhe mënyra e fundit është me edukim mediatik. Duhet t’i mësojmë qytetarët që ta mbështesin gazetarinë cilësore, dhe jo vetëm fëmijët, por edhe qytetarët e moshuar të cilët kanë mungesë të edukimit digjital. Të paktën në vendin tim analizat tregojnë se qytetarët në moshë mbi 50 vjet, gjeneratat më të moshuara, kanë vështirësi të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të rreme, të bëjnë dallimin mes teorive konsirative dhe lajmeve të cilat kanë të bëjnë me një shkencë të vërtetë. Ata janë ndoshta njerëzit më të frustruar në internet, janë njerëz të moshuar dhe të frustruar që shfryjnë në Facebook ose në platforma të tjera sociale. Ata kryesisht janë të frustruar sepse nuk e kuptojnë këtë botë alternative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button