Shteti në hak të Ulfetes

Si njeri dhe profesioniste preferoj që sa më shume persona të pranohen dhe ta gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Maqedonisë, sepse vlerësoj se kështu rritet numri i miqëve tanë dhe forcohet shteti. Mirëpo, Ulfetja  60 vjet jeton në Shkup dhe ende nuk ka shtetësi, sepse verifikimet e shërbimeve të sigurisë e kanë nxjerrë të rrezikshme për shtetin, pa pasur asnjë njollë ne jetën e saj, por ja që këto shërbime japin mendime pozitive për persona të huaj me dosje të mëdha kriminele. Rasti Onishçenko nga interesi nacional në turp dhe dëm nacional.

Ulfetja nuk është imagjinatë por, nje zonjë e nderuar që jeton në Shkup mbi  60 vite, qyshse  me familjen e saj nga Kaçaniku si foshnjë ishte shpërngulur në Shkup. Shkollën fillore e ka kryer në ,,Rajko Zhinzifov,, ndërsa në vitin 1992 është martuar me shtetas të Maqedonisë, poashtu nga Shkupi. Kanë pesë fëmijë, tanimë persona madhorë, të lindur në spitale të Shkupit dhe të gjithë janë të pajisur me shtetësinë e  këtij vendi. Por, Ulfetja ende nuk ka shtetësi. Ajo, asnjëherë nuk ka kërkuar letërnjoftim për të huaj, sepse vlerëson se në shtëpinë e saj nuk mund të konsiderohet si e huaj. Në procedurat e njëpasnjëshme që ka zhvilluar, shërbimet e sigurisë kanë konstatuar se ajo është e rrezikshme për rendin kushtetutes dhe sigurinë e shtetit. Shteti deri në fyt i ka hy në hak Ulfetes. Në Maqedoni ka shumë raste që e ndajnë fatin e Ulfetes, që në asnjë mënyrë nuk mun t’a bindin shetin se i takojnë këtij vendi.

Ky shkrim është i nxitur nga afera skandaloze aktuale, se një kriminel ndërkombëtar Aleksandar Onishçenko një prorus nga Ukraina gjatë vitit të kaluar paska arritur që të fitojë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, dhe atë për shkak të interesit nacional të shtetit. Verifikimet e Agjencisë për siguri kombëtare në procedurë urgjente kanë treguar se personi në fjalë nuk paraqet kurrfarë rreziku, madje pranimi i tij në shtetësinë e Maqedonisë paraqet interes nacional për vendin, vetëm pse paska famë të kalërimit.

Asgjë e çuditshme që një i huaj të pranohet në shtetësinë e Maqedonisë në bazë të interesit nacional të vendit,  kur dihet se në neni 11 të Ligjit për shtetësi  të Maqedonisë është përcaktuar se ,,një i huaj mund ta fitojë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut me natyralizim  nëse një gjë e tillë paraqet interes të posaçëm shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv ose interes tjetër nacional,,. Sipas Ligjit, edhe kjo kategori i nënshtrohet verifikimit të sigurisë dhe rrezikshmërisë. Rasti Onishçenko interesin nacional e ka shëndruar në turp dhe dëm nacional, për vendin. Na ka bërë të skuqemi para partnerëve tanë strategjik dhe interesave tona strategjike dhe gjeopolitike. Maqedonia i ka bërë strehë  një krimineli me dosje të gjërë kriminele, që kërkohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nga Ukraina, por edhe nga shtete tjera. Nuk është fjala  për një kriminel të thjeshtë.

Të kujtojmë se për shkak të interesit nacional të Maqedonisë, shtetësinë e saj e ka kërkuar vite me radhe edhe sportisti i njohur shqiptar me famë botërore Enver Idrizi i cili  është fitues i disa medaljeve të arta në karate. Enveri i cili është shkolluar dhe rritur në Saraj dhe ka lidhje efektive dhe lidhje të ngushta familjare me Maqedoninë, u pa si armik nga shërbimet e sigurisë. Fatmirësisht, Enveri është përfituesi i parë që e mori shtetësinë e Maqedonisë nga  ndryshimet e Ligjit që u bënë në korrik të viti 2021. Edhe kësaj here shërbimet e sigurisë u munduan të përziejnë çull, por ndryshimet ishin të qarta se kjo kategori historike si Enveri dhe shumë të tjerë nuk u nënshtrohen verifikimeve të sigurisë. Ky ishte qëndrim i ngurtë edhe i Avokatit të popullit.

Edhe gjatë këtij viti në zyrën e Avokatit të popullit të Republikës së Maqedonisë së Veriut çdo ditë arrijnë ankesa që kanë të bëjnë me problemin e shtetësisë. Gjatë procedurave të shtetësisë pengesë kryesore edhe mëtutje paraqet dhënia e mendimit për rrezikshmërinë e personit ndaj  sigurisë.  Agjencia për siguri kombëtare pothuajse te çdo aplikant të shtetësisë trillon armik të shtetit. Agjencia gjithashtu nuk respekton afatin ligjor prej 6 muajve për tu deklaruar për kushtin e sigurisë, por verifikimet zgjasin me vite edhe për njerëzit e thjeshtë, si për gra, nëna dhe të moshuara.  Kushti i sigurisë,  nga një kusht ligjor si kushtet tjera ka marrë përmasa të kushtit vendimtar.

Në cilësinë e profesionistes mundohem të bëjë dallimin në mes UBK-së e para tre viteve dhe të ANB-së aktuale. Nuk shoh asnjë reformë dhe asnjë ndryshim kur janë në pyetje procedurat e shtetësisë.

(Autorja është Zëvendëse Avokate e popullit)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button