Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup u hap „Fabrika e parë për mësim”

Në mjediset e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike pranë UKM-së javën që shkoi u mbajt një punëtori me temë: „Gatishmëria e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) për Industrinë 4.0 dhe Smart specializimi”, nikoqir dhe organizator i të cilës ishte Qendra për Hulumtime, Zhvillim dhe Arsim të Vazhdueshëm (CIRKO), shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Shkup informuan se qëllimi kryesor i këtij projekti është formimi i „Fabrikës së parë për mësim“ në vendin tonë, sipas shembullit të shumë vendeve evropiane të cilat tashmë disa vite e praktikojnë këtë koncept të arsimit, trajnimit dhe hulumtimit. Fabrika fokusohet në teknologjitë e Industrisë 4.0 dhe filozofisë „Lean“ të prodhimit.

Për momentin laboratori konsiston në stacion manual dhe smart „Poka Yoke“ për montim pa gabime, ndërsa së shpejti pritet që e gjithë „Fabrika për mësim“ të kompletohet me transportues, kamera për vizion makinerik 2D, robot dhe magazinë.

„Dedikimi i këtillë ka për qëllim simulimin e linjës reale të prodhimtarisë, ndërkohë që me ndihmën e një sërë eksperimenteve me pajisjet të zgjidhen problemet nga lëmia e inxhinierisë dhe menaxhmentit industrial, më saktësisht Lean menaxhimi, planifikimi dhe drejtimi i prodhimtarisë, sistemet për matjen e performancës, modelimi dhe simulimi i proceseve afariste, sistemet për menaxhimin e cilësisë, etj.”, thonë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – Shkup.

Ideja për fabrikën është që ajo të rritet dhe të bëhet një qendër e njohur për digjitalizim në vend. Nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike u bëjnë thirrje të gjitha kompanive të interesuara të cilat duan ta kthejnë zhvillimin e bizneseve dhe punonjësve të tyre drejt transformimit digjital përmes teknologjive të Industrisë 4.0 dhe drejt optimizimit të prodhimtarisë me ndihmën e „Lean“, t’i bashkëngjiten këtij projekti.

Përveç prezantimit të „Fabrikës për mësim“, në punëtori i mbajtën edhe një sërë trajnimesh, si dhe u prezantuan edhe qëllimet nga projekti shkencor hulumtues „DigiTS-ME“, i cili është pjesë e bashkëpunimit me Universitetin Teknik të Vjenës, i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së RMV-së dhe OAED.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button