Borrelli për propozimin franko-gjerman: Është imi e i Lajçakut, i mbështetur nga Gjermania e Franca

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka folur për propozimin franko-gjerman. Ai ka thënë se është propozim që është bërë nga vetë ai dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e që ka përkrahjen e Gjermanisë dhe Francës, raporton Koha.net.

“Propozimin që kemi prezantuar, e jam i lumtur të them, se Franca e Gjermania kanë qenë përkrahëse të propozimit, i ashtuquajturi propozim franko-gjerman, është propozim nga unë e Lajçaku, që përkrahet nga Gjermania e Franca. Propozimi evropian të them. Ne duam të dalim nga pozita e menaxhimit të krizave. Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë me menaxhim të krizave. Targa, apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duam një qasje më strukturore. Çështje më të thella, që të parandalohen krizat. Këto janë hapa para, qasje e re. Dua të them se dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo është shumë mirë”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se momentalisht është njs krizë e re mes Kosovës e Serbisë ajo e targave. Ai ka thënë se shpreson që të evitohet ndonjë përplasje.

“Nuk mund të hyjë në detaje të propozimit. Janë dy faqe, por mund të them se prezantojnë një rrugë për të shkuar te një zgjidhje që nuk varet te krizat e përditshme”, tha Borrell.

Ai ka thënë se është e qartë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel. Ai ka thënë se Serbia ka bërë rrugë para gjatë verës, duke arritur marrëveshje për letërnjoftime.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Kosova duhet të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave, ndërsa duhet të nisë edhe punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Borrell në konferencë për media pas takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm BE-së, ka thënë se situata në Kosovë është më e rrezikshmja që nga viti 2013.

“Duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme. Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e t’i ulin tensionet. Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkellë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Borrell.

Ai ka treguar se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë në Bruksel sonte për të biseduar për çështjen e targave e çështjet tjera. E po ashtu pritet të ketë bisedime edhe me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.

“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë. Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se Kosova e Serbia janë në udhëkryq.

“Duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së” tha Borrell.

Ai ka thënë se BE-ja është e shqetësuar me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë që ka pasur në këtë rajon. Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button