Një siriane e dyshuar për sulmin në Stamboll – pranoi lidhjen e saj me një grup terrorist

Gruaja e arrestuar që dyshohet për sulmin me bombë në Stamboll është me kombësi siriane dhe punon për militantët kurdë, njoftoi policia turke një ditë pas sulmit me bombë që vrau gjashtë persona, tranmeton Portalb.mk.

Në raportin e policisë thuhet se një grua siriane 23-vjeçare e quajtur Ahlam Albashir pranoi se ishte urdhëruar të kryente sulmin nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

“Gjatë marrjes në pyetje, ajo pranoi se ishte trajnuar si oficere speciale e inteligjencës nga organizata terroriste PKK/PID/YPG dhe se kishte hyrë ilegalisht në Turqi përmes Afrin-Idlib për të kryer operacionin”, tha policia e Stambollit.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se sulmi ishte urdhëruar në Kobani, një qytet në Sirinë veriore ku forcat turke kanë kryer operacione kundër milicisë kurde siriane YPG në vitet e fundit. Ai ka bërë të ditur se policia ka arrestuar 46 persona, përfshirë edhe personin e dyshuar për vendosjen e bombës.

Ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag tha se një grua u ul në një nga stolat për më shumë se 40 minuta dhe më pas u ngrit. Një ose dy minuta më vonë, tha ai, ndodhi shpërthimi.

“Ose ka pasur një mekanizëm në çantë që është aktivizuar ose dikush e ka aktivizuar mekanizmin nga larg”, tha ministri.

Mediat turke raportuan mëngjesin e sotëm se i dyshuari për sulmin është arrestuar.

Ekipet e policisë në Stamboll e identifikuan të dyshuarin bazuar në pamjen e saj fizike, të përcaktuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë pranë vendit të shpërthimit që vrau gjashtë persona dhe plagosi 81 të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button