Paradiplomacia në Ballkanin Perëndimor

Ndër termat e fjalorëve të diplomacisë që shënjon “bashkëpunimin ndërkombëtar të decentralizuar”, rrjetëzimin transnacional (transnational networking) është edhe paradiplomacia, të cilin e trajton libri i Rilind Dautit, “Paradiplomacia në Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë në periudhën pas vitit 1991”, që më 10 nëntor u promovua nga Klubi i Intelektualë të Dervenit. Bëhet fjalë një vepër risimtare në literaturën shqiptare të diplomacisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sociologjisë së diplomacisë, të prodhuar nga një kuadër i ri, me potencial, dinamikë të fuqishme kërkimore.

Përmes këtij hulumtimi Dauti hedh dritë mbi fenomenin e paradiplomacisë, që shkakton një “ngatërrim semantik”/semantic confusion (Duran), që perceptohet si diplomaci regjionale, e qeverive subnacionale (Tavares), si “aset ose si kërcënim ndaj shtetit sovran” (Chatterji & Saha, 2017). Përveç trajtimit teorik, autori kundron edhe mënyrën se si paradiplomacia është reflektuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga periudha e Shtetit Osman deri në në ditët tona, me theks të veçantë mbi hapësirën shqiptare.

Punimi i punuar me një qasje metodologjike të avancuar, duke shfrytëzuar metodën historike, analitike, krahasimtare, të rastit studimor, burimet klasike dhe ato elektronike, është strukturuar si vijon: hyrja, 6 kapituj tematikë, konkluzat dhe bibliografia. Në kapitullin e parë autori përkufizon paradiplomacinë si veprimtari e rajoneve, krahinave, qyteteve në nivel ndëkombëtar që frymëzohen nga qasja e kufijve të butë/soft-border approach (Dağ & Pajaziti, 2019), në të dytin shqyrton paradiplomacinë historike të Ballkanit Perëndimor, pra periudhën para vitit 1991, aktivitetet paradiplomatike të pashallëqeve të Shkodrës dhe Janinës, të Lidhjes së Prizrenit, paradiplomacinë e mbretërisë SKS, të  Jugosllavisë së parë, të republikave dhe krahinave e RSF të Jugosllavisë. Kapitulli i tretë fokusohet në paradiplomacinë e Republikës Federale te Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi 2003-2006), ndërsa i katërti shqyrton rastin e Kosovës prej para-pavarësisë deri te procesi i negociatave Beograd-Prishtinë. Kapitulli i pestë vë nën llupë entitetet dhe kantonet (zhupanitë) e BeH, kurse i gjashti merret me diplomacinë e qyteteve, gjegjësish me binjakëzimin e komunave.

Sipas Dautit monopoli kombëtar në politikën e jashtme shkon duke u zbehur apo lëkundur, gjithnjë e më tepër po aktivizohen qeveritë ndërshtetërore, kompanitë transnacionale, OJF-të, grupet e interesit po bëhen pjesë e politikës së jashtme, gjë që mund të quhet si diplomaci qytetare ose shoqërore. Paradiplomacia që si term ka lindur më 1961 (Rohan Batler), është metodë veprimi e popujve pa shtet dhe që luftojnë për vetëvendosje. Sot trendet janë pro federalizimit dhe protodiplomacisë që korrigjon dhe sfidon shtetin konvencional përmes veprimtarive “pas shpine” ose “nën tavolinë”. Si sinonime të këtij nocioni janë edhe shprehjet “diplomacia konstituive”, “diplomacia e qeverive nënkombëtare”, “diplomacia regjionale”, “mikro-diplomacia”, “diplomacia shumështresore”, “diplomacia me më shumë binare” etj.

Shtjellimi politologjik që autori i bën historisë tonë na mëson se shqiptarët që nga periudha e Perandorisë Osmane kanë ndjekur një vijë të këtij lloji të diplomacisë përmes “pashallëqeve shqiptare” (i Shkodrës dhe Janinës) që mbanin lidhje me shtete të ndryshme për të realizuar raison d’être-në e tyre. Si shembuj tipikë janë bashkëpunimi i Bushatllinjve me Francën, i Ali Pashës me Napoleonin, i Janinës me SHBA-të (1820), aktivitete këto që trazonin Portën e Lartë apo L’Homme malade sur le Bosphore (Të Sëmurin e Bosforit). Një shembull tjetër i këtij lloji të diplomacisë në atë kohë është Lidhja e Prizrenit që mundoheshte të sensibilizojë opinionin publik të shteteve europiane lidhur me kauzën shqiptare, që shprehte dëshirën për një vilajet (shtet) të vetëm shqiptar. Odiseja shqiptare në kuadër të Jugosllavisë shënohet me ndrydhje të formave të ndryshme nga faktori serb dhe të tjerë, që pengonin krijimin e raporteve me botën e jashtme. Kjo ishte kështu deri në vitin 1974 kur Kushtetuta e re iu dha krahinave kompetenca të afërta me republikat (f. 47), mes tjerash edhe për krijim të marrëdhënieve direkte me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, gjë të cilën e shfrytëzoi Kosova (bashkëpunim me Shqipërinë në sferën e kulturës, arsimit, ekonomisë – f. 48). Kjo vijë pozitive zgjati deri në vitin 1980, kur nis sërish një periudhë e errët për shqiptarët që do të zgjasë deri në çlirimin përfundimtar të vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe, kur u suprimua autonomia e Kosovës, dhe kur ndodhi aparteidi në punësim, shkollim, kulturë,  shëndetësi, shqiptarët kërkuan alternativa, kontakte me instancat europiane, amerikane dhe më gjerë (Rugova, Memorandumi i Konferencës së Londrës 1992, Dejtoni, Zyra e Shërbimit Informativ Amerikan, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, antarësimi në Organizatën e Kombeve dhe Popujve të Papërfaqësuar – 1991 etj.) Autori analizon edhe periudhën e UNMIK-ut, të antarësimit në CEFTA, në Paktin e Stabilitetit për EJL, në Mekanizmin Gjurmues të Stabilizim Asocimit, dhe konstaton se paradiplomacia kosovare përfundon me shpalljen e pavarësisë (2008) kur hapet një kapitull i ri, ai i diplomacisë së mirëfilltë (f. 90-98)

Dauti një pjesë të mirë të punimit ia kushton rastit të Bosnjë e Hercegovinës që ka një kushtetutë më fleksibile në fushat si tregtia, doganat, imigracioni, policia, Interpoli, trafiku ajror etj. Në këtë drejtim ai thekson çarjen e brendshme kapitale të BeH  Federata BeH dhe Republika Sërpska), duke nënvizuar se kjo e dyta ka nuk e ijnoron pushtetin qendor, se ka paradiplomaci më energjike, përfaqësi në Beograd, Moskë, Selanik, Jerusalem etj., lidhje me Abhazinë dhe Osetinë, marketing apo diplomaci ekonomike përmes siglës “Invest Srpska”, që në vend të domenit zyrtar për Bosnjë e Hercegovinën .ba përdor atë gjenerik .net. Diplomaci të natyrës së ngjashme zhvillon edhe komuniteti kroat (kantoni i Hercegovinës Perëndimore), “Invest Herzegovina County”, që mban lidhje shumë të afërta më Kroacinë.

Diplomacinë e qyteteve (city diplomacy) autori e trajton si një veprimtari që ka marrë shtytje nga koha e Eisenhowerit dhe themelimit të organizatës “Sister Cities International”. Është pra një aktivitet i komunave apo qyteteve që binjakëzohen ose bashkëpunojnë me qytete të huaja (Çairi: Këndi Arkivor i DPA të Shqipërisë, Sarajeva-Barcelona si qytete olimpike, Shkupi-Podgorica), të cilave iu hapet rruga edhe përmes IPA fondeve, agjendës së diplomacis klimaterike (aleanca ZEV) e të tjera.

Si përfundim mund të themi se: (1) autonomia politike e shteteve po rrënohet, ato përballen me humbje të sovranitetit; (2) paradiplomacia dallon nga diplomacia publike ngaqë e para bashkëpunon me entitetet politike të jashtme, kurse e dyta me publikun e huaj në një sens më të përgjithshëm; (3) diplomacitë alternative apo paralele janë mundësi të kohës që mund t’i ndihmojnë shumë asaj klasike-zyrtare shtetërore, andaj duhet të perceptohen edhe si komplementare; (4) vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i shfrytëzojnë përvojat e mira të huaja në këtë fushë (amerikane, franceze, gjermane, japoneze…)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button