Arrestime të shumta pas sulmit të rëndë në Stamboll

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, njoftoi herët në mëngjes të hënën se shërbimet e sigurisë kanë arrestuar dhjetëra persona që dyshohen për sulmet me lëndë shpërthyese në zonën e këmbësorëve në qendër të Stambollit. “Sipas njohurive tona, organizata terroriste PKK është përgjegjëse për sulmin”, theksoi ai. Në të njëjtën kohë, Soylu njoftoi hakmarrje. Ministri i Brendshëm nuk ka konfirmuar ende deklaratat e mëparshme të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe zëvendësit të tij Fuat Oktay se “një grua” ishte përgjegjëse për atentatin. Ndërkohë flitet për 21 arrestime të tjera, transmeton DW.

Si pasojë e një sulmi me lëndë shpërthyese në shëtitoren Istiklal janë vrarë gjashtë persona të dielën, ndërsa janë plagosur më shumë se 80 persona të tjerë. Në kohën e sulmit në këtë shetitore kishte shumë njerëz. Ndonëse e dielë, dyqanet në këtë pjesë të Stambollit janë të hapura.

Partia PKK – Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit – lufton kundër shtetit turk që nga mesi i viteve 1980. Në të kaluarën, ajo u fajësua vazhdimisht për sulme të përgjakshme. PKK është e klasifikuar edhe si një organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.

“Vendstrehimi i terroristëve”

PKK është aktualisht në qendër të mosmarrëveshjes për anëtarësimin në NATO të aplikuar nga Suedia dhe Finlanda si rezultat i luftës në Ukrainë. Udhëheqja në Ankara akuzon Suedinë në veçanti si një “vendstrehim për terroristët” – që po vonon edhe pranimin e dy vendeve të Evropës veriore në aleancën veriatlantike ushtarake, NATO.

Turqia, anëtare e NATO-s, ndërmerr rregullisht veprime ushtarake kundër pozicioneve të PKK-së në juglindje të vendit dhe në veriu të Irakut dhe Sirisë. Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve gjatë dekadave të fundit. Përpjekja për vendosjen e një armëpushimi ka dështuar në verën e vitit 2015.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button