Gazprom eksporton më pak, fiton më shumë, por kjo nuk do të zgjas

Eksportet e gazit rus kanë parë një rënie të ndjeshme në Evropë dhe një rënie e tillë vetëm do të rritet më tej vitin e ardhshëm si rezultat i mbylljes së Nord Stream 1 dhe 2, si dhe vendimit të Putinit për të zhvilluar një luftë energjetike me Perëndimin. Gazprom fitoi shumë para këtë vit për shkak të çmimeve të larta të gazit. Evropa mund të jetë në një ose dy dimër të vështirë me furnizim të vështirësuar, por kapacitetet ekonomike dhe financiare të kontinentit të vjetër janë shumë më të mëdha se ato të Rusisë dhe pyetja është se sa rehat është Kremlini me humbjen e tregut të tij më të madh të eksportit të gazit për vite me rradhë,në të ardhmen, shkruan Vërtetëmatësi.

Eksportet e monopolit shtetëror të Rusisë (i vetmi me licencë për të shitur gaz natyror jashtë vendit), Gazprom, jashtë vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik (vendet baltike, Ukraina, Bjellorusia, Kaukazi dhe Azia Qendrore) ranë për 43 për qind 10 muajt e parë të vitit.

Ky eksport arriti në vetëm 91.2 miliardë metra kub (miliard m³), ​​që është 67.6 miliardë m³ më pak se në vitin 2021. Vendet e BE-së kanë peshën më të madhe në rënien e këtij eksporti, me 36 miliardë m³ më pak dhe Britania e Madhe me 4 miliardë m³ më pak krahasuar me vitin 2021. Kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë vitin e ardhshëm, sepse gazsjellësi Nord Stream 1, e cila kishte kapacitet prej 55 miliardë m³ në vit, tashmë është pothuajse përgjithmonë e paaftë për transportin e gazit, që do të thotë se vitin e ardhshëm nuk do të mbërrijë gaz përmes tij, gjë që nuk ndodhi këtë vit, veçanërisht në 4 muajt e parë të vitit, kur gazsjellësi funksiononte pak a shumë normalisht.

Situata është e njëjtë me gazsjellësin binjak Nord Stream 2, i cili gjithashtu është i çaktivizuar dhe qëllimi i të cilit, ishte transportimi i gazit nga Rusia nën Detin Baltik në veri të Gjermanisë. Por Nord Stream 2, përveç sasive për provë, nuk ka funksionuar kurrë në baza tregtare përpara se këto dy tubacione të shkatërroheshin nga shpërthimet nënujore nga autorë ende të panjohur në fund të shtatorit të këtij viti.

KINA NUK ËSHTË ZËVENDËSUES I EVROPËS

Nga ana tjetër, niveli i eksporteve të gazit rus drejt Kinës, i cili kryhet përmes gazsjellësit trans-siberian me kapacitet 50-61 miliardë m³, po rritet këtë vit në krahasim me vitin 2021. Eksportet e gazit rus në Kinë nuk kanë arritur kurrë afër niveleve që do të ishin afër përmbushjes së kapacitetit të këtij gazsjellësi. Gjithashtu, ky eksport në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë atë evropian për shkak të kostove më të larta dhe çmimeve shumë më të ulëta të eksportit. Kina nuk është as e gatshme dhe as në gjendje të paguajë çmimet e tregut për gazin rus, siç bën Evropa. Përveç kësaj, kur bëhet fjalë për eksportin e gazit në Kinë, Rusia ka shumë konkurrencë nga vendet e Azisë Qendrore, të cilat gjithashtu kanë rezerva të mëdha gazi dhe eksportojnë në Kinë për një kohë të gjatë. Kështu, për shembull, Galkunush në Turkmenistan realizon furnzime në masën 27 miliardë (mijë miliardë) metra kub gaz dhe është fusha më e madhe e gazit në botë. Turkmenistani është furnizuesi më i madh i gazit në Kinë për më shumë se një dekadë me një sasi prej 34 miliardë m³ në vitin 2021, dhe kjo sasi pritet të rritet në 60 miliardë m³ gaz pasi të ndërtohet tubacioni i katërt i gazit midis dy vendeve prej 40-55 miliard m³ gaz në vit.

Nga frika e mungesës së gazit, BE-ja mbushi depot e saj me këtë energji në nivelin 94 për qind këtë vit, në ndryshim nga viti i kaluar kur kjo përqindje ishte 77 për qind. Kjo situatë bëri që çmimet e gazit të ktheheshin në negative javën e kaluar, që do të thotë se tregtarët po paguanin blerësit për të liruar gazin e tepërt që nuk mund ta shisnin, në mënyrë që infrastruktura e transportit dhe e magazinimit të mund të përdorej më pas për marrëveshje të tjera. Gjithashtu, kushtet atmosferike në të gjithë Evropën këtë vjeshtë janë shumë të favorshme, pa të ftohtë, gjë që nuk e favorizon presidentin rus Vladimir Putin në ushtrimin e luftës së tij energjetike me Perëndimin, pasi kërkesa për gaz ka mbetur e ulët.

Por kjo nuk do të thotë se BE-ja nuk do të përballet me probleme furnizimi nëse ky dimër rezulton i ashpër. Situata është gjithashtu e pasigurt kur bëhet fjalë për dimrin e ardhshëm, sepse ende nuk është e qartë nëse Evropa do të jetë në gjendje të prokurojë mjaftueshëm gaz dhe nëse do të jetë në gjendje të ndërtojë kapacitete të mjaftueshme për të kthyer gazin në gjendje të lëngshme (LNG – gaz natyrorë i lëngshëm ) mbërrin nga SHBA dhe Lindja e Mesme në cisterna të specializuara të ndërtuara vetëm për këtë qëllim. Pra, dimri i 2023/24 mund të jetë i vështirë, por më pas, kur bëhet fjalë për dimrin 2024/25, situata duhet të fillojë të stabilizohet edhe nëse mbetet e njëjtë si tani, pra nëse gazi rus vazhdon të mos furnizojë Evropën në sasi të konsiderueshme. E thënë thjesht, pas dy vitesh Evropa pritet të gjejë burime të reja gazi ose të rikalibrojë furnizimin me energji, pra t’i drejtohet burimeve të tjera të energjisë në afat të shkurtër ose të mesëm. Megjithatë, ka shumë më tepër gjasa që gazi rus të kthehet në kontinentin evropian në një formë dhe në sasi më të mëdha, por pyetja është vetëm kur, pra pas sa kohësh. Dhe nëse Evropa mund të përballojë të paguajë më shumë për gaz gjatë një periudhe prej dy ose tre vjetësh, Rusia vështirë se mund të përballojë të mbetet pa tregun e saj më të madh të eksportit të gazit për një periudhë të gjatë kohore.

100 MILIARDË DOLLAR FITIM

Ndryshe, përkundër faktit se eksportet e Gazprom-it, përveç vendeve të ish-BRSS-së, shënuan një rënie prej 43 për qind, dhe përkundër faktit se së fundmi pamë çmime negative të gazit, Gazprom pritet të shënojë fitime shumë më të mëdha këtë vit se vitin e kaluar. Ulja e disponueshmërisë së gazit ka shkaktuar goditje çmimesh, të cilat rrisin në mënyrë dramatike çmimin e tij. Pra, nëse vitin e kaluar me një çmim mesatar prej 310 dollarë për 1000 m³ gaz Gazprom shënoi një fitim prej 54 miliardë dollarësh nga eksportet, për këtë vit me një rënie të eksporteve prej 43 për qind, por me një çmim mesatar prej 1000 dollarësh për 1000 m³ gaz pritet që fitimi i gjigantit rus të eksportit të gazit të arrijë në 100 miliardë dollarë.

Para shpërthimeve të Nord Stream 1 dhe 2, analistët vlerësuan se Gazprom fitonte 250 milionë euro në ditë nga eksportet. Në gjysmën e parë të vitit 2022, Gazprom kishte një fitim neto prej 41.75 miliardë dollarë, krahasuar me 29 miliardë dollarë vitin e kaluar. Nga fitimi i këtij viti, Gazprom i dha shtetit rus dividentë në vlerën 20 miliardë dollarë.

Ndryshe, prodhimi i përgjithshëm i gazit të Gazprom-it, i dedikuar për të gjitha tregjet (vendore, ish-BRSS, Evropë, Azi etj.) për 10 muajt e parë ishte 344 miliardë m³, që paraqet një rënie prej 19 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Disklejmer i ri, baner, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button