Rimarrja e Hersonit “historike” për Ukrainën, por Kievi përballet me rreziqe të reja

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar rikthimin e forcave të tij në qytetin juglindor të Hersonit si “ditë historike”, por zyrtarët kanë paralajmëruar se do të ketë përpjekje të vështira në të ardhmen, edhe pse liderët e instaluar nga Rusia më në lindje të Ukrainës kanë sinjalizuar për një tërheqje të re të forcave ruse.

“Sot është ditë historike. Ne po kthehemi në Herson”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 12 nëntorit. Ai shtoi se “mbrojtësit tanë janë në periferi të qytetit”, ndërkaq “njësitë speciale veçse janë në qytet”.

“Banorët e Hersonit kanë qenë në pritje për këtë”, tha ai. “Ata kurrë nuk e braktisën Ukrainën. Shpresa për Ukrainën është gjithmonë e justifikuar dhe Ukraina do të marrë atë që i takon”, transmeton REL.

Zelensky i përshkroi si “ferr” betejat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.

Atje, siç sugjerojnë raportimet, forcat ruse dhe ato pro-Moskës thuhet se po vazhdojnë luftimet e ashpra për të mbajtur territoret nën kontroll.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e tij kanë neutralizuar afër 650 trupa ruse më 12 nëntor, por ky pretendim nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Megjithatë, ky pretendim lë të kuptohet se Kievi po vazhdon me vetëbesim kundërofensivën për të marrë territorin e pushtuar nga forcat ruse.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë pretendimet e asnjërës palë në zonat ku ka luftime të ashpra.

Njoftimi i zyrtarëve rusë se forcat e tyre po tërhiqen nga Dnjepër, lumë që gjendet në rajonin e Hersonit, u pa si sukses i madh i kundërofensivës ukrainase në jug të vendit.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar tërheqjen e Rusisë nga Hersoni si “fitore të jashtëzakonshme” për Ukrainën.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, parashikoi se “dështimi strategjik” i Moskës në Herson do të ndjellë mëdyshje në mesin e publikut rus lidhur me luftën në Ukrainë.

Autoritetet ukrainase thanë se kanë “stabilizuar” zonën, teksa po përballen me detyrën e vështirë në Herson për të çaktivizuar bombat dhe po ashtu për të siguruar ujë dhe rrymë dhe nevojat bazike për qytetarët.

“Para se të largoheshin nga Hersoni, pushtuesit shkatërruan të gjithë infrastrukturën kritike: komunikimet, ujin, ngrohjen dhe rrymën”, tha Zeleneksy.

Një tjetër shenjë e presionit ukrainas ndaj forcave pushtuese është se administrata e instaluar nga Rusia në qarkun Hahovka, në lindje të Novaja Herson, tha se po largon stafin “në një territor më të sigurt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button