21 marrëveshje dhe memorandume mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë: Rruga e vetme e përbashkët BE-ja (VIDEO)

Pas mbarimit të mbledhjes së dytë të përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve mes dy vendeve, kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama mbajtën konferencë për shtyp në të cilën e rikonfirmuan bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian dhe mbështetjen dhe solidaritetin reciprok gjatë kohës së krizës. Ata disa herë ritheksuan vendosmërinë e të dyja vendeve për anëtarësimin në BE, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se mbledhja e dytë ndërqeveritare e sotme iu kushtua zgjidhjeve konkrete për çështje aktuale për qytetarët dhe për shtetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.

Edi Rama - Dimitar Kovaçevski
Edi Rama – Dimitar Kovaçevski

“Ne kemi nënshkruar disa memorandume për avancimin e bashkëpunimit pothuajse në të gjitha fushat, sigurisht me fokus të veçantë në energjetikë, ku është e drejtuar vëmendja e mbarë botës”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu siç është synim strategjik i Republikës së Shqipërisë.

“Së bashku filluam procesin e skriningut dhe së bashku kemi mundësinë të përfundojmë negociatat dhe të bëhemi anëtarë të plotë të BE-së. Faleminderit për mbështetjen e madhe miqësore nga Republika e Shqipërisë gjatë anëtarësimit tonë në NATO. Është një tjetër pikë lidhjeje mes dy vendeve tona, ashtu si kujdesi për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kujdesi për qytetarët maqedonas në Shqipëri”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Rama tha se e ardhmja duhet të jetë e respektit të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Më vjen shumë mirë që me Maqedoninë e Veriut kemi hedhur themele të mira dhe të forta për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, e cila duhet të jetë një e ardhme e respektit të ndërsjellë të të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe një e ardhme e shëndetshme për gjeneratat e tjera”, tha Rama.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese në RMV, Rama tha se vetëm ligësia, dritëshkurtësia, dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes veti dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme për këtë vend, ndërkohë që ky vend ka nevojë të vrapojë si vendet e tjera për të kapur kohën e humbur.

“Në dijeninë time, Kushtetuta juaj ka një sërë minoritetesh të përcaktuara. Që do të thotë që është një model i njohur, nuk është një shpikje dhe nuk është nj rast unikal në bibliotekën e kushtetutave të planetit dhe që duhet plotësuar”, tha Rama.

Mbledhja e dytë ndërqeveritare 

11:45 – Në sallën solemne në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt mbledhja ndërqeveritare mes qeverive të Maqedonisë së Veriut. Të dy qeveritë nënshkruan 21 dokumente, gjegjësisht 12 memorandume bashkëpunimi, 5 marrëveshje 3 protokolle dhe 1 program, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me fjalimin  hyrës e filloi mbledhjen ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut - Shqipëri, foto: Qeveria e RMV-së
Mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut – Shqipëri, foto: Qeveria e RMV-së

Në fjalimin e tij, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë së bashku në rrugën evropiane dhe  bashkërisht me bashkëpunim të ndërsjellë ballafaqohen me sfidat e krizës energjetike.
Në vazhdim e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski.

“Marrëdhëniet e ndërsjella mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë asnjëherë nuk kanë qenë më të mira se sot. Ne lirisht mund të themi se jemi shembull se si mund dhe duhet të bashkëpunojnë dy fqinjë. Sot, ne po i tejkalojmë  me sukses sfidat aktuale të krizës globale në  mënyrë solidare, si në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, në kuadër të Procesit të Berlinit, ashtu edhe përmes avancimit të marrëdhënieve dypalëshe. Bashkëpunojmë në mënyrë aktive për sigurinë, si partnerë të barabartë të besuar të NATO-s dhe SHBA-ve”, tha Kovaçevski.

Kryeministri Rama theksoi që Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes dhe për të kuptuar se si mund ta kapërcejmë të sotshme dhe për të projektuar të ardhmen.

Mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut - Shqipëri, foto: Qeveria e RMV-së
Mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni e Veriut – Shqipëri, foto: Qeveria e RMV-së

“Ne takohemi në këtë mbledhje të dy qeverive, në aspektin e interesave tona për tu bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së. Sot të dyja vendet tona kanë hapur procesin e negociatave dhe kanë hedhur një hap shumë të madh përpara. Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimorë dhe ne do të jemi aty me të gjitha problemet dhe sfidat tona, të cilat janë të ngjashme me ato të vendeve të BE-së. Besoj që Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes dhe për të kuptuar se si mund ta kapërcejmë të sotshme dhe për të projektuar të ardhmen, që të përfitojnë nga një hapësirë shumë të madhe se sa hapësira jonë e përvetshme gjeografike”, tha Rama.

Ai shtoi se Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit i shohin të dyja bashkë si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës.

Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit

Në fund të mbledhjes ministrat e dy qeverive janë nënshkruar 21 dokumente, gjegjësisht marrëveshje dhe memorandume të cilat i referohen bashkëpunimit në fushën e procesit të integrimit evropian, mbrojtjes, sigurisë, infrastrukturës, energjisë, kulturës, luftës kundër krimit ndërkombëtar, lidhjes hekurudhore të dy vendeve, standardizimit të shërbimeve në fushën e teknologjisë digjitale, transportit ujor ndërkombëtar në liqenin e Ohrit, për bashkëpunim në fushën e financave publike, zhvillimin e sipërmarrjes dhe të tjera.

Video nga nënshkrimi i marrëveshjeve dhe memorandumeve:

Lista e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara mes dy vendeve:

Takim bilateral Kovaçevski – Rama
11:30 – Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ka zhvilluar takim kokë më kokë me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në takim, kryeministrat e dy vendeve theksuan rëndësinë e nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, i cili është ende në nivel të lartë. 

“Kryeministrat diskutuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit në segmente të shumta, veçanërisht në këto kohë të trazuara të trazirave ushtarake dhe krizës energjetike botërore. Në takim u diskutua edhe për proceset integruese evropiane të dy vendeve dhe rëndësinë e një angazhimi të fokusuar, të gjitha me synimin që vendet të bëhen anëtarë të plotë deri në vitin 2030. Në takim, kryeministrat Kovaçevski dhe Rama theksuan se seanca e sotme ndërqeveritare është e një rëndësie të jashtëzakonshme, nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet dhe qytetarët, pothuajse në të gjitha fushat ku ka potencial për avancimin e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kryeministrat Kovacevski dhe Rama u pajtuan se marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik, si dhe për thellimin e bashkëpunimit afarist mes afaristëve nga të dyja vendet. Rritja e marrëdhënieve të mira, lidhja e popujve, forcimi i infrastrukturës mes dy vendeve është me rëndësi të madhe për përparimin e mëtejshëm, u konkludua në takim.

Pritja zyrtare e kryeministrit Rama

09:45 – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot ka pritur Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake delegacioni qeveritar i RMV-së i udhëhequr nga kryeministri Kovaçevski, e priti delegacionin shqiptar qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Rama.

Video nga pritja zyrtare:

 

Përbërja e delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut: Artan Grubi, zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Punëve, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, Nikolla Tupançeski, ministër i Drejtësisë, Fatmir Besimi, ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë, Bekim Sal, ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës, Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Risto Penov, ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska ministre e Kulturës, Bllagoj Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje, Naser Nuredini,  ministër i Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Xhemail Çupi, ministër pa portofol i ngarkuar për Diasporën, Abdylshyqyr Abedini, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Metodija Dimovski, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Tahir Hani, zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.,

Përbërja e delegacionit të Shqipërisë: Belinda Balluku – zëvendëskryetare e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi – ministër i Mbrojtjes, Olta Xhaka – ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Delina Ibrahimaj – ministre e Financave dhe Ekonomisë, Bledar Çuçi – ministër i Punëve të Brendshme, Mirela Kumbaro – ministre e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor, Elva Margariti – ministre e Kulturës, Bora Muzhaqi – ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Edona Bilali – ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrësisë, Ronaldo Risto – zëvendësministër për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ulsi Manja – ministër i Drejtësisë, Ogerta Manastirliu – ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Kushi – ministër i Arsimit dhe Sportit, Milva Ekonomi – ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimit, Elisa Spiropali – ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Majlinda Duka – ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore me BE-në dhe Fatos Reka – ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fotografi nga pritja zyrtare:

Ndryshe, mbledhja e parë ndërmjet qeverive të RMV-së dhe Shqipërisë është mbajtur më 15 dhjetor të vitit 2017-të, në kohën derisa kryeministër i RMV-së ishte Zoran Zaev. Asokohe, Rama ishte nikoqir i mbledhjes që u mbajt në Pogradec.

Në seancë janë nënshkruar disa dokumente për bashkëpunim, përfshirë edhe planin për konsultime mes Ministrive të Punëve të Jashtme, memorandum mes Ministrive të Punëve të Brendshme për bashkëpunim në sferën e kontrollit të brendshëm, si dhe për formim të komitetit të përzier për bashkëpunim ekonomik. Nga sfera e arsimit dhe shkencës, do të nënshkruhet memorandum për bashkëpunim intensiv bilateral përmes Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve nga Republika e Maqedonisë. Në mënyrë shtesë janë nënshkruar edhe memorandum për bashkëpunim në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe marrëveshje për bashkëpunim në parandalimin e krizave.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë pjesë e “Ballkanit të Hapur“, bashkë me Serbinë, të cilat pretendojnë të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur këtë nismë, ndonëse kanë përsëritur se për të qenë e suksesshme, në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet. Deri tani nuk kanë pranuar të anëtarësohen në këtë iniciativë, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në ndërkohë, të dy shtetet, bashkë me të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e “Procesit të Berlinit“, e cila është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në mbledhjen e fundit të 21 tetorit ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin arritën marrëveshje për lëvizje të lirë pa letërnjoftime mes këtyre vendeve si  dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në BE.

Qeveria e Maqedonisë së veriut, paraprakisht ka mbajtur mbledhje edhe me atë të Bullgarisë dhe Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button