Lavrov: Perëndimi dëshiron të militarizojë Azinë Juglindore

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Perëndimi po “militarizon” Azinë Juglindore në përpjekje për të penguar interesat ruse dhe kineze, duke krijuar terren për konfrontim midis Rusisë dhe liderëve perëndimorë në samitin e G20-s që mbahet në Bali.

Lavrov do të kryesojë delegacionin e Rusisë në këtë samit – i pari takim qëkur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt – pasi Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është i zënë dhe nuk mund të marrë pjesë në samitin në Bali.

Ukraina pritet të jetë tema kryesore në agjendën e liderëve perëndimorë dhe ata ka gjasa që publikisht të konfrontohen me Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe të shtyjnë Kinën dhe Indinë – që më herët kanë shprehur shqetësime mbi luftën – që të kritikojë veprimet e Moskës, transmeton REL.

Duke folur gjatë konferencës për media në përmbyllje të samitit të Shoqatës së shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Kamboxhia, Lavrov kritikoi Shtetet e Bashkuara për veprimet e saj në rajon, të cilin edhe Rusia edhe Perëndimi e shohin si një fushëbetejë strategjike gjeopolitike në dekadat e ardhshme.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO po tentojnë të zotërojnë këtë hapësirë”, tha Lavrov për gazetarët.

Ai tha se strategjia e Indo-Paqësorit e presidentit amerikan, Joe Biden, ishte një përpjekje për të shmangur “strukturat gjithëpërfshirëse” për bashkëpunim rajonal dhe do të përfshinte “militarizimin e këtij rajoni me synimin e dukshëm të frenimit të interesave të Kinës dhe Rusisë në Azi-Paqësor”.

Biden u tha liderëve të Azisë Juglindore se Uashingtoni është i përkushtuar që të ndërtojë një “Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, të qëndrueshëm dhe prosperuar, të fortë dhe të sigurt”, teksa ai paraqiti Partneritetin Strategjik Gjithëpërfshirës midis SHBA-së dhe rajonit.

As SHBA-ja, e as Rusia nuk janë anëtare të ASEAN, një grup prej dhjetë anëtarësh të shteteve të Azisë Juglindore. Megjithatë, disa liderë botërorë morën pjesë në samitin e këtij grupi, para se të shkojnë në Bali për të marrë pjesë në samitin e G20-s.

Rusia ka kërkuar që të krijojë lidhje më të ngushta ekonomike, politike dhe të sigurisë me shtetet në Azi, pasi Perëndimi goditi Moskën me sanksione të paprecedentë në kundërpërgjigje të pushtimit të Ukrainës.

Putin i portretizon Rusinë dhe Kinën si lidere globale të rebelimit kundër dominimit botëror post-sovjetik të SHBA-së dhe Perëndimit. SHBA-ja e sheh Kinën dhe Rusinë si dy prej kërcënimeve kryesore botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button