SHA ESM siguroi gaz për ngrohtoret Lindje dhe Perëndim për deri në fund të nëntorit

SHA ESM ka siguruar sasinë e nevojshme të gazit natyror për funksionimin e ngrohtoren Lindje dhe Perëndim për periudhën nga 16 deri më 30 nëntor 2022. Gazin e siguron “Makpetrol” me çmim prej 1345 euro për 1000 nm3, informojnë nga kompania, njofton Portalb.

SHA ESM, siç thuhet, do të vazhdojë të bëjë blerje të gazit për periudha më të shkurtra kohore për të përfituar nga përfitimi financiar nga ulja e vazhdueshme e çmimit të gazit në treg.

“Siç informuam më parë, termocentralet do të vazhdojnë të punojnë me gaz natyror gjatë sezonit të ngrohjes si burimi bazë dhe më miqësor ndaj mjedisit. Ndërkohë, sistemi po përgatitet teknikisht për testimin e përdorimit të një karburanti alternativ, dizelit, si zgjidhje rezervë në rastet kur, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë, gazi do të bëhej i padisponueshëm në treg ose do të arrinte çmime jashtëzakonisht të larta. Testimi do të bëhet pas sigurimit të të gjitha lejeve përkatëse nga institucionet kompetente dhe respektimit të atributeve për procedurën”, thuhet në njoftimin e SHA ESM.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button