Ekonomia e pyjeve Vojvodinë alarmon: Panterë e zezë po shëtitet në Apatin

Pasi banorët e fshatit Sonta në komunën serbe të Apatinit gjetën një gjurmë putre tejet të madhe për të qenë e ndonjë kafshe lokale, Ndërmarrja Publike Pyjet e Vojvodinës lëshoi një paralajmërim për një panterë të zezë që ishte shfaqur në territorin e komunës Apatin.

“Ndërmarrja publike Pyjet e Vojvodinës, degë e PK “Sombor” i njofton të gjithë qytetarët se në territorin e komunës Apatin është vënë re një panterë e zezë (leopard)”, thuhet në njoftim.

„Grabitqari është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të kujdesen për veten dhe të afërmit e tyre. Nëse dikush vë re një panterë të zezë, menjëherë duhet të lajmërojë stacionin policor kompetent”, apelojnë nga Pyjet e Vojvodinës.

Ky njoftim u është dërguar edhe shoqatave të gjuetarëve që tani janë në kërkim të panterës. Por, gjuetarët nga Shoqata e Gjuetisë „Fazan” për RTV Vojvodina thonë se nuk e kanë parë ende.

Mihajllo Ličina, gjuetar nga klubi i gjuetisë nga Sonta, i cili e gjeti gjurmën e putrës, beson se për shkak të madhësisë së saj, ajo nuk mund t’i përkasë asnjë kafshe lokale, qoftë ajo e egër apo e butë, shkruan Dnevnik.
„Shenja është bërë para disa ditësh, por nuk mund të them nëse bëhet fjalë për gjurmën e grabitqarit për të cilin po flasin dëshmitarët. Gjurma është tepër e madhe për të qenë e qenit më të madh, ose e ndonjë nga kafshëve të egra lokale si çakalli ose rrëqebulli, por nuk mund të jemi 100 përqind të sigurt se atë gjurmë e ka bërë një kafshë si leopardi. Vetëm nëse dhe kur ta shohim, vetëm atëherë do mund ta konfirmojmë ekzistencën e tij“, përfundoi Liçina.

Siç raporton Subotiçke.rs, autoritetet serbe besojnë se bëhet fjalë për të njëjtën kafshë për të cilën raportuan mediat hungareze në fund të vitit të kaluar, pasi e panë në pamjet e sigurisë në afërsi të kufirit me Serbinë.
Së fundmi një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Mal të Zi. Këtë verë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor të Malit të Zi njoftoi se pas pesë muajsh qëndrimi në këtë vend, luani Simba i cili u kap duke shëtitur në rrethinën e Budvës, fillimisht do të dërgohet në Holandë dhe sapo të forcohet, kjo kafshë e egër do të dërgohet në strehimoren e madhe të organizatës „Four Paws” në Afrikë.

Policia e Malit të Zi arrestoi tre persona për shkak të dyshimeve se kanë marrë pjesë në importimin ilegal të kafshëve në Mal të Zi.

Përndryshe, në shtator të vitit të kaluar një rast i tillë u regjistrua edhe në Maqedoni, kur një këlysh luani, i cili poashtu quhej edhe Simba, përfundoi në duart e kumanovarëve.

Pas një sërë shkrimesh të cilat Meta.mk i publikoi në kërkim të kësaj kafshe të egër ekzotike, në tetor policia arrestoi një person kundër të cilit u ngrit kallëzim penal për ruajtjen dhe tjetërsimin e një kafshe të egër. Por, deri më sot, autoritetet ende nuk na kanë dhënë përgjigje se ku ndodhet për momentin Simba dhe nëse e kanë gjetur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button