Kasami kërkoi që Kazerma të shndërohet në park të qytetit, kritikuan nga nisma “Tetova do Park”

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot kërkoi nga pushteti qendror që  hapësira ku ndodhet Kazerma në qytet t’i jepet komunës me synimin që ajo zonë të kthehet në park të qytetit. Reaguan nga nisma “Tetova do Park”, thonë se siguria është po aq e rëndësishme sa parku, duke kritikuar Kasamin, shkruan Portalb.mk.

Kasami për park të qytetit dje në konferencë për shtyp tha se nëse Qeveria nuk ka zgjidhje tjetër për hapësirën te Kazerma e qytetit, ku tashmë në qytetet tjera kazermat i janë dhënë pushtetit lokal, kërkoi që në rastin e Komunës së Tetovës t’i jepet komunës dhe premtoi për ta kthyer atë në park urban modern dhe të bukur që të gjithë tetovarët ta shfrytëzojnë.

“Po ashtu bëj publikisht thirrje dhe për iniciativën “Tetova kërkon park”, sepse ne e dimë se disa prej tyre janë zyrtarë të pushtetit aktual për të na ndihmuar së bashku që tetovarëve t’u japim mundësinë që të kenë park të bukur modern”, theksoi Kasami.

Nga ana tjetër, nisma “Tetova do Park” thotë se plotësimi i nevojës për park të qytetit në Tetovë është me interes publik, ashtu siç është edhe siguria, e cila kushtëzohet me ekzistimin e kazermës “Kuzman Josifoski-Pitu” në Tetovë.

“Nga ana tjetër, i bëjmë me dije kryetarit se objektet që janë planifikuar për në  “Shik Jellak”, “Monopoll”, “Qendrën Sportive, në hapësirat e fundit të pandërtuara dhe kryesisht shtetërore, janë ekskluzivisht në interes privat, tërësisht të dëmshme për interesin publik. Me këtë rast i rikujtojmë kryetarit të komunës se edhe pas gjysmë viti jemi në pritje të realizimit të premtimit të tij për takim në nivel profesional ndërmjet ekspertëve tanë dhe komunës, ku do të flasim për mënyrat e zbatimit të propozimit tonë”, thanë nga “Tetova do Park“.

Reaguan nga Lëvizja Besa – Dega Tetovë, thonë se është për t’u habitur është reagimi i OJQ-së “Tetova do Park” e cila tashmë në vend të parkut kërkon kazermë ushtarake. Potencojnë se është absurde kërkesa e tyre në kohën kur jemi në NATO dhe aspirojmë BE-në.

“Shtrohet pyetja, a duhet të frikësohen shqiptarët, ose më sakt çka fshihet pas kësaj kërkesë që shqiptarët nuk e dinë. Është një kërkesë që nuk i shërben stabilitetit në vend e as relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike. Ne vlerësojmë se kjo kërkesë mund të ketë prapavijë politike dhe destruktive në momentin kur e gjithë Evropa po punon për të qetësuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i largojë ata nga ndikimi rus. Pavarësisht gjitha reagimeve, ne konsiderojmë se kërkesa e kryetarit Kasami për të bërë park është ne frymën e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qytetit të Tetovës që më në fund të kemi parqe e jo kazerma të sistemit monist. Parku do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve e sidomos i nevojshëm për fëmijët tanë që duan paqe dhe siguri”, thonë nga Lëvizja Besa- Dega Tetovë.

Kjo iniciativë, sipas Lëvizjes Besa, është mjaft fisnike dhe me këtë, siç thonë, po transformojnë një pjesë të qytetit.

“E dimë se në shumë qytete tjera si Manastiri, Kërçova etj. kazermat vetëmse i janë dorëzuar pushtetit lokal dhe shtrohet pyetja pse Tetovës nuk duhet t’i jepet. Nga OJQ “Duam Park” kërkojnë sqarim publik pse është kundër kësaj iniciative sepse reagimi i tyre, siç thonë, bie ndesh me emërtimin që e kanë dhe në thelb është iracional dhe i çuditshëm”, shtojnë nga Lëvizja Besa- Dega Tetovë.

Nga “Tetova do Park” kanë reaguar duke thënë se sot e kësaj dite presin takim në nivel profesional e cila është dakorduar gjatë takimit me Kasamin (19.04.2022), me qëllim të shqyrtimit të propozimit të tyre me mundësi të qarta, në kushte kur komuna publikisht deklarohej se ka vullnet, por nuk ka të holla.

“Cili është qëllimi i Kasamit në përmendjen e Kazermës ‘K.Josifovski-Pitu’? Pas kësaj është e mundur të qëndrojë plani i tij i vjetër kur në vitin 2017 në fushatën zgjedhore në mënyrë bombastike me vizualizim paralajmëroi urbanizim të kazermës me mbi 35 ndërtesa banimi. Mundësia e dytë është blerja manipulative e kohës, dhe anulim të realizimit të pritjeve”, reagojnë nga “Tetova do Park“.

Nga atje thonë se e vetmja gjë që ndoshta nuk është arsyeja për anulimin e këtillë është vullneti i vërtetë që Tetova të fitojë park, sepse, siç potencojnë, ai që ka vullnet i kërkon aktivistët për takime, lufton për konfirmim të dedikimit të parkut, kërkon interesi publik të mbizotërojë, i rregullon hapësirat e zbrazëta ekzistuese të gjelbra. Kërkojnë nga të zgjedhurit e popullit dhe këshilltarët menjëherë të dalin me qëndrim lidhur me këtë çështje.

Nisma për shndërrimin e Kazermës në park përkrahet edhe nga Më mirë për Tetovën, por me kusht që të mos keqpërdoret për biznes-interesa për ndërtime.

“Derisa qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut gëzojnë hapësira të mëdhaja si parqe, Tetova ka gati dhjetëfish më pak parqe se Strumica. Shkupi 670,000 m2 (vetëm parku i qytetit), Manastiri 96,000 m2 për parqe, Strumica 82,000 m2 për parqe, Tetova vetëm një park me 8,500 m2 afër Stacionit të autobusëve”, thonë nga Më mirë për Tetovën.

MMPT pyet kryetarin e Komunës përse qëllimisht lihet pas dore dhe nuk pastrohet nga ferrat Qendra Sportive që mund të shndërrohet në hapësirë të dobishme publike për qytetarët? Siç thonë, në vend të kësaj ai jep propozime që edhe vet nuk e di kur mund ta kenë përfundimin.

“Pse u manipilua opinioni me mjetet e punës që para zgjedhjeve qëndronin në Qendrën Sportive për të krijuar përshtypjen se kinse po punohet diçka, dhe pastaj kjo u la pas dore pa ndonjë zgjidhje? E rikujtojmë Kryetarin e Komunës që idenë për shndërrimin e Kazermës në park e ka parashtruar sektori civil qysh në vitin 2016. Në vitin 2017 kjo ishte kërkesë e parashtruar në formë të memorandumit ndaj gjithë kandidatëtëve të atëhershëm për kryetar komune. Çuditërisht kryetari i tanishëm nuk e nënshkroi këtë memorandum, duke ofruar një plan tjetër që parashihte ndërtimin e ndërtesave te kazerma. Ai fillimisht duhet të tregojë nëse është tërhequr nga ideja e ndërtesave në Kazermë, apo jo?”, pyesin nga Më mirë për Tetovën.

Reagimin e Nismës “Tetova do park” se kazerma duhet të mbetet aty ku është për shkaqe sigurie, MMPT e vlerësojnë si jo të menduar mirë. Siç potencojnë, sipas standardeve të NATO-s, pjesë e së cilës është edhe Maqedonia e Veriut, kazermat nuk duhet të jenë brenda qyteteve.

Ndërkaq, aktivisti ekologjik Arianit Xhaferi  theksoi se ideja që Kazerma e qytetit të shndërrohet në Park të qytetit është bërë publike nga Eco Guerilla për herë të parë më 5 dhjetor 2016, për t’u risjellë në vëmendje edhe më 9 tetor 2017 ku u nënshkrua një dokument për angazhimin e partive politike dhe udhëheqësisë lokale në këtë drejtim.

“Pavarësisht një plani krejtësisht tjetër që Bilall Kasami (si kandidat për kryetar të Tetovës) kishte në vitin 2017, sot mediat lajmërojnë se Bilall Kasami (tashmë kryetar i komunës) ka kërkuar që Kazerma e Qytetit të shndërrohet në park të qytetit, theksoi Xhaferi duke shtuar se pajtohet që Kazerma të shndërrohet në park.

Përndryshe, nisma “Tetova do park” filloi në muajin shkurt me dorëzimin e një propozimi në Komunën e Tetovës për themelimin e parkut të parë real prej rreth 16 hektarësh në qytetin e Tetovës. Sipas planit, parku parashikohet të formohet në anën e djathtë të bulevardit “Video Smilevski-Bato” nga udhëkryqi me rrugën “29 nëntori”, rruga “Boris Kidriç, si dhe në anën e majtë dhe të djathtë të të njëjtit bulevard deri në udhëkryqin me rrugën “Pish” apo hapësira e njohur si Qendra sportive, parku i gruas, Monopoli dhe hapësira “Shik Jellak”. Ideja për këtë park të qytetit përfshin katër blloqe urbane dhe për këtë është e nevojshme ndryshimi i planit gjeneral urbanistik. Por deri tani kuk ka asgjë konkrete nga kjo nismë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button