Mbi llastimin çeshit të luftënxitësve 

Pas dështimit të planeve pushtuese millosheviqiane, pikësynimi i të cilave ishte zgjerimi i Serbisë në tokat e të tjerëve, askujt nuk i shkonte mendja se ajo, 23 vite më vonë, do të marë sërish guximin t’u kanoset me luftë të re popujve ndaj të cilëve ushtroi gjenocide të papara në kontinentin evropian, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndër ata që përjetuan masakrat e paramilitarëve  dhe çetnikëve të pashpirtë të Kasapit serb ishte dhe  popullata e pafajshme shqiptare (pleqtë, gratë dhe fëmijët e vegjël). Vetëm gjatë viteve 1998-1999 u masakruan 1380 fëmijë, u dhunuan mbi 20,000 gra dhe vajza shqiptare,  u vranë mbi 15,000 civilë, u dëbuan dhunshëm nga Kosova mbi 850,000 njerëz dhe u rrrënuan gjer në themel mijëra shtëpi dhe vendbanime shqiptare, për të cilat Serbia, jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por vazhdon t’i mohojë paturpësisht masakrat monstruoze, si ajo e Reçakut, ku, më 15 janar të vitit 1999, u vranë/therrën 45 qytetarë të paarmatosur shqiptarë. Për çudi, mohuesit më të zëshëm të krimeve të mësipërme nuk janë serbët e thjeshtë, po prijësit e tyre, si Vuçiqi dhe të ngjashmit me të, që përpiqen më kot ta shtrembërojnë të vërtetën e parë nga sytë e gjithë botës së qytetëruar, e cila këto skena krimi i sheh aktualisht në Ukrainën e sulmuar pa asnjë shkas nga padroni i presidentit serb.

Fatkeqësisht, e paparashikuara ndodhi. Vuçiqi, Daçiqi, Vulini…, që mbinë nga nënsjetullat e Millosheviqit dhe u frymëzuan nga bëmat e tij gjakatare, akoma pa u tharë lotët e nënave për bijtë e masakruar shtazërisht dhe për bijat e dhunuara në mënyrën më barbare  të mundshme, iu futën militarizimit të  sërishëm të popullatës serbe nëpërmjet ringjalljës së mitit dhe gënjeshtrave mbi Kosovën djep i Serbisë. Armët që shfrytëzuan për ta arritur këtë qenë mediet e verdha dhe opinionistët me mendësi çetnike, që nuk e ndërprenë kurrë përsëritjen e gënjeshtrave gjersa i kthyen ato në të vërteta të padiskutueshme, si në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Kjo ua mundësoi marrjen e pushtetit, tebdilosjen në viktima të luftërave në të cilat patën rolin e xhelatit, forcimin e vasalitetit të skajshëm ndaj Rusisë së Putinit dhe rikthimin e Serbisë në shtet autokrat të pispillosur me pupla demokratike. Gjatë tërë kësaj kohe parësia serbe ia doli të qëndrojë e ulur në dy karrige – në atë të aleatëve të vërtetë – Rusisë dhe Kinës, të cilët e kanë pajisur me armët më të sofistikuara sulmuese,  dhe në karrigen e shteteve evropiane, të cilat e kanë llastuar dhe ndihmuar më shumë se gjithë shtetet ballkanike të persekutuara prej saj. Këtë lloj llastimi ia bëjnë edhe atualisht, pa çka se shteti serb është i vetmi në Evropë që përkrah me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia; pa çka se Serbia e ka vënë sërish nën rrethim Kosovën, duke pritur urdhërin rus për destabilizimin e sërishëm të Ballkanit.

Trajtimi i privilegjuar i Serbisë nga ana e shteteve perëndimore vetëm sa i shtynë pak më tutje luftërat që do të rindizen në Ballkan nga çirakët e kasapit të madh, të cilët presin veshëngrehur epilogun e përshtatshëm të konfliktit ruso-ukrainas, zgjedhjen e ndonjë presidenti serbofil në SHBA dhe ndonjë përçarje eventuale ndërmjet shteteve perëndimore. Këto gjëra më së miri dhe ditëpërditshëm i shpjegon vetë parësia serbe. Mjafton vetëm ndjekja e disa programeve televizive proqeveritare serbe për ta pasur të qartë sa bie ora? Shi për këtë, sjellja e disa fuqive perëndimore ndaj një shteti konfliktuoz me gjithë fqinjët e tij duket tejet çeshite.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button