COP 27: Objektivi kryesor i klimës për rritje të temperaturës me 1.5 gradë përballet me një sfidë të re

Emetimet e dioksidit të karbonit po rriten aq shpejt sa bota tani ka shans 50 për qind që të kalojë së shpejti një prag kyç të ndryshimit të klimës, raporton BBC, duke cituar një raport të ri të paraqitur sot në samitin e klimës COP27 në Sharm el-Sheikh, Egjipt.

Emetimet pritet të mbeten në nivele rekord në vitin 2022, të “ndihmuara” nga njerëzit që kthehen në udhëtimet ajrore pas uljes së pandemisë së Covid-it, por edhe nga përdorimi i qymyrit.

Një raport nga 70 shkencëtarë dhe i publikuar nga Projekti Global i Karbonit tha se nëse emetimet mbeten kaq të larta, bota përballet me një rrezik 50 për qind për të tejkaluar pragun kyç të rritjes së temperaturës prej 1.5 gradë Celsius brenda nëntë viteve, gjë që do të ketë pasoja të mëdha për më të varfërit dhe vendet në zhvillim.

Temperaturat mesatare janë aktualisht 1.1 gradë mbi nivelet para-industriale dhe kjo rritje ka shkaktuar tashmë katastrofa të mëdha klimatike këtë vit.

Kombet e Bashkuara thonë se nëse temperaturat mesatare globale rriten në më shumë se 1.5 gradë, kjo do të ekspozojë miliona më shumë njerëz ndaj ndikimeve potencialisht shkatërruese klimatike. Sipas një raporti të fundit të OKB-së, emetimet globale të gazeve serrë duhet të reduktohen me 45 për qind deri në vitin 2030 për të mbajtur temperaturat nën pragun 1.5 gradë Celsius.

Në samitin e klimës të vitit të kaluar në Glasgow, COP26, vendeve iu kërkua të përgatisnin plane më ambicioze, por vetëm 29 vende erdhën në Sharm el-Sheikh me plane të reja.

Samiti në Egjipt ishte gjithashtu përçarës pasi disa vende në zhvillim, si Senegali dhe Afrika e Jugut, njoftuan se do të shfrytëzonin burimet e tyre të gazit ndërsa kalojnë drejt burimeve të energjisë pa fosile.

Disa aktivistë të rinj me pankarta, shenja dhe megafona protestojnë në një sallë në Sharm el-Sheikh ku po mbahet konferenca vjetore globale për klimën.

“Ka fatkeqësi dhe shkatërrime klimatike dhe vendi im po merr hua para nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për t’u marrë me pasojat. Vendet tona nuk mund të zhvillohen për shkak të kostove të krizës klimatike”, tha një aktivist i ri afrikan gjatë një prej protestave të shumta, siç raportohet nga shërbimi i lajmeve i OKB-së.

Duke vënë në dukje padrejtësinë, aktivistët e rinj kërkuan nga liderët e vendeve të pranishme në COP 27 që të mos ua vjedhin të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button