Nuk ka ilaç për pacientët me kancer dhe sëmundje të rralla, Qeveria pa përgjigje, ilaçi privat kushton 2000 euro për një dozë mujore

Të operuar nga kanceri, si dhe pacientë me sëmundje të rralla, prej muajsh alarmojnë se kanë mbetur pa terapitë e nevojshme për trajtimet e tyre, të cilat janë ilaçe që shpëtojnë jetë, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Biba Dodeva nga shoqata “Borka” thotë se janë mbledhur 27 shoqata dhe bashkërisht i kanë dërguar letra kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Nuk e di më se çfarë duhet të bëjmë që ata që krijojnë politikën të na marrin seriozisht, thotë Dodeva nga “Borka”.

Shumica e shoqatave qytetare për të drejtat e pacientëve të kontaktuara nga Sdk, thanë se qysh në janar ishin të vetëdijshëm se një situatë e tillë do të ndodhte, veçanërisht për ato barna që nuk janë në listën pozitive dhe blihen përmes një programi me buxhet të veçantë prej Fondit për sigurim shëndetësor të Maqedonisë (FSShM). Ata i kanë dërguar letra udhëheqësisë paraprake të Fondit dhe Klinikës së Onkologjisë, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët i kanë bindur se gjithçka është në rregull, duhen furnizime dhe gjithçka do të zgjidhet.

“Njerëzit kanë problem me furnizimin e vazhdueshëm. Lista pozitive duhet të ndryshohet. Na thonë: ‘Ato ilaçe që nuk janë në listën pozitive, nuk kemi as pse t’i sigurojmë’. Edhe pse është johumane – të kesh ilaç të mirë, të mësohesh me të dhe tani të mos e kesh. Për shumë pacientë, këto barna nënkuptojnë shërim të plotë”, thonë shoqatat.

Në shumë se dy muajsh nuk është ilaçi “Herceptin”, i cili u jepet pacientëve që janë operuar për kancer gjiri dhe i janë nënshtruar kimioterapisë. Bëhet fjalë për ilaç që përdoret prej tre vitesh në vend, nga gjenerata e fundit e imunoterapisë, i cili jep rezultate të shkëlqyera në trajtimin e kësaj sëmundjeje malinje. Ilaçi ishte i disponueshëm në Klinikën e Onkologjisë në kohën e ministrit Venko Filipçe, por sipas pacientëve, në atë kohë nuk disponohet përmes Klinikës , ndërsa blerja e tij privatisht kushton mbi 2000 euro në muaj.

Në shpjegimet për këtë ilaç thuhet se “ky zbulim është një nga arritjet kryesore në terapinë antikancerogjene dhe shkatërrimin e synuar të qelizave tumorale”.

“Ky ilaç nuk është në dispozicion prej disa muajsh. Herceptina nuk u jepet të gjithëve. Për t’u pranuar duhen disa provime, të cilat kryhen në Institutet e Fakultetit të Mjekësisë. Por edhe ata që duhet ta marrin nuk munden. Pyetëm se kur do ta merrnin, na thanë: “Do ta merrni kur të arrijë”, thotë një bashkëbiseduese për Sdk, paciente që kurohet nga kimioterapia dhe operacioni i kancerit të gjirit.

Klinika e Onkologjisë nga fillimi i këtij muaji ka drejtoreshë të re, doktoreshën Violeta Klisarova, pasi drejtori paraprak, doktor Nino Vasev, dha dorëheqje me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali.

Redaksia e Sdk.mk e ka pyetur drejtoreshën të mërkurën se kur do ta marrin këtë ilaç pacientët, ndërsa ajo u përgjigj: “Më duhet kohë të analizoj dhe të përgjigjem se kur do të jetë në dispozicion ilaçi. Kërkoj mirëkuptimin tuaj”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button