Konferenca ndërkombëtare për dezinformatat rreth luftës në Ukrainë: Përgjegjësia e parë e gazetarëve është ndaj të vërtetës

Lufta në Ukrainë, veprimet agresore ruse, propaganda dhe dezinformatat që përhapen nga qendrat e ndikimit rus në hapësirën online dhe nëpër disa media, praktika e kundërshtimit të këtyre dezinformatave dhe gjysmë të vërtetave nëpërmjet përvojave të gazetarëve ukrainas, bullgarë madje edhe atyre rusë që e kanë braktisur vendin. Në mesin e tyre edhe dëshmi shqetësuese për situatën dhe vuajtjet në Ukrainë, raporton Meta.mk.

Për këto tema diskutuan një numër i madh gazetarësh, fotoreporterësh dhe kameramanësh, si dhe ekspertë nga Ukraina, Rusia, SHBA-të, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, në konferencën ndërkombëtareLufta në Ukrainë: Frontet e reja“ që u mbajt sot në Sofje, e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Evropianë – Bullgaria dhe Fondacioni Fridrih Nauman.

Përfaqësues të Fondacionit për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, si pjesëmarrës të vetëm nga Maqedonia e Veriut, morën pjesë në agjendë dhe në diskutime.

Duke folur nga përvoja e drejtpërdrejtë për veprimet ushtarake ruse dhe krimet mbi popullatën civile, nga të cilat privimi nga kushtet elementare për jetesë është forma më beninje e terrorit që e përjetojnë Ukrainasit, por edhe për përpjekjet për ta demaskuar propagandën dhe për të identifikuar dezinformatat e prodhuara nga aktorët rus të dezinformatave nën „shkopin dirigjues” të Moskës zyrtare dhe kanaleve nëpërmjet të cilëve ato përhapen kryesisht nëpër Ballkan dhe Evropë, pjesëmarrësit në disa nga diskutimet në panel para një numri të madh të pjesëmarrësve në konferencë formuan një pasqyrë mbi narrativat pro-ruse dhe propagandën e Kremlinit që e vërshojnë edhe Maqedoninë e Veriut nëpërmjet një numri të madh profilesh dhe faqesh nëpër rrjetet sociale dhe faqeve të „sapolindura” në internet.

Është interesante se dezinformatat në Rusi nuk kanë të bëjnë vetëm me fitoret dhe humbjet e palës ruse dhe ukrainase në luftën në Ukrainë, por shkojnë përtej, ose në rastin konkret, kanë të bëjnë me Maqedoninë. Andrej Zaharov nga shërbimi rus i BBC-së përmendi se në dezinformatat që i kanë identifikuar, mjaft e pranishme është edhe dezinformata e përhapur në Rusi se „nuk ekziston shtet që quhet Maqedonia e Veriut“ dhe se gjuha maqedonase, në përgjithësi, është vetëm një konstruksion artificial.

Gazetarët rusë dhe ukrainas që punojnë jashtë shtetit shprehën mirënjohje të veçantë për burimet e tyre në Ukrainë, por edhe ato në Rusi, të cilat duke e rrezikuar jetën ose duke rrezikuar që të zbulohen dhe të arrestohen, japin kontribut me informacion dhe material provues në formë të fotografive dhe video regjistrimeve që ndihmojnë të verifikohet e vërteta në këtë vërshim informacionesh të llojllojshme – nga ato të sakta, gjysmë informacione dhe dezinformata.

“Megjithatë, ato informacione dhe materiale më pas duhet ta kalojnë verifikimin klasik gazetaresk, gjegjësisht përpjekjet për t’i verifikuar materialet dhe informacionet e pranuara. Pjesa më e madhe e burimeve të cilëve mund t’u besohet më shumë sigurisht që janë ato që i keni njohur edhe para luftës dhe për të cilët tashmë keni një pasqyrë të mirë mbi karakteristikat dhe besueshmërinë e tyre“ theksoi Zaharov.

Si mjet posaçërisht efikas për shpërndarjen e demaskimit të propagandës dhe dezinformatave ruse, Andrej Zaharov dhe Margarita Shurupova, gazetare nga qyteti rus Tomsk e cila pas fillimit të luftës është arratisur në Bullgari, i theksuan emisionet në radio dhe përhapjen e prezantimeve audio dhe video që i demaskojnë dezinformatat, si forma më të lehta për „konsumim“ nga publiku qytetar.

Duke e sjellë përmbajtjen e sulmeve ruse në terren dhe online në kuadër të Ballkanit, por edhe në përgjithësi në skenën mediatike, Goran Rizaov, kryeredaktori dhe përgjegjës i Meta.mk dhe një pjesë e ekipit pjesëmarrës nga Fondacioni Metamorfozis, pastaj fotoreporteri dhe kameramani bullgar Georgi Kozhuharov dhe gazetari bullgar Dimitar Kenarov, në konferencën ndërkombëtare që u ndoq nga disa nga mediat bullgare më me ndikim para publikut i përcollën përvojat e tyre nga Ukraina, si dhe për gjendjen në Maqedoninë e Veriut.

Konferenca nderkombetare per lajme te rrejshme
Goran Rizaov, foto: Meta.mk

Në fillim të panelit u projektua „videoja freelancer-e“ e Georgi Kozhuharov dhe Georgi Totev, e krijuar nga regjistrimet shqetësuese në mars në Kiev dhe disa vende të tjera në Ukrainë, me dëshmi nga qytetarët të cilëve lufta ua ka marrë jo vetëm ekzistencën, por shpeshherë edhe shpresën. Kenarov gjithashtu foli edhe për përjetimet e tij pak më të vjetra në përpjekje për të pasqyruar edhe situatën e Bullgarëve në Ukrainë dhe Moldavi.
„E vërtetë e pakëndshme është se një pjesë e madhe e Bullgarëve në Moldavi janë të orientuar pro Rusisë. Por, kjo është e vërteta“, tha Kenarov.

Goran Rizaov në përfundimin e konferencës së sotme ndërkombëtare i prezantoi elementet kryesore të mbulimit të luftës në Ukrainë nga ana e mediave maqedonase.

“Mbulim direkt nuk ka, sikur nuk ekziston, përveç se një shembulli prej para 6 muajsh, kur një ose dy media kishin gazetar në Poloni, i cili kaloi disa ditë edhe në Ukrainë, dhe kaq. Çdo gjë përfundon tek transmetimi nga burimet ndërkombëtare“, theksoi Rizaov.

Në Maqedoni, tha ai, posaçërisht dëshpëruese është edhe mungesa e të rinjve të interesuar për të studiuar gazetari, por edhe situata financiare e mediave në përgjithësi është shumë e keqe, që krijon hapësirë për gjysmë informata dhe dezinformata.

Ai foli edhe mbi shembujt më të dukshëm lidhur me përhapjen e dezinformatave dhe propagandën e Kremlinit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “Vërtetmatësi“, si projekt i “Metamorfozis“, më shumë se 10 vite udhëheq me betejën kundër dezinformatave dhe rëndësia e përpjekjeve të tilla bëhet evidente pikërisht tani në këtë vërshim dezinformatash dhe propagande lidhur me tragjedinë ukrainase.

“Sidoqoftë, tek ne, në Maqedoninë e Veriut, thuajse të gjitha informacionet lidhur me Ukrainën na vijnë nga jashtë“, theksoi ai.

Rizaov tregoi shembuj dezinformatash që janë zbuluar nga Vërtetëmatësi, si ato mbi masakrën në Buça, ku pretendohej se nuk ka pasur masakër, por skenat janë të sajuara, gjegjësisht të aktruara dhe me regji. Shembulli tjetër që e tregoi ishte për pretendimet për shkatërrimin e tankeve të dhuruara nga ana e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, në mungesë të provave të besueshme.

Duke iu përgjigjur një pyetje të një gazetari nga Fakulteti i gazetarisë në Sofje për gjendjen e mediave në Maqedoninë e Veriut, Rizaov tha se në luftën për klikime, gjegjësisht për para nga reklamat, shkelen masovikisht standardet dhe predispozitat e gazetarisë, gjegjësisht verifikimet dhe puna klasike e gazetarisë janë pothuajse të harruara.

„Unë mendoj se mediat në Maqedoninë e Veriut, një pjesë shumë e madhe, shpejtojnë të publikojnë diçka në përpjekje për shikueshmëri, në luftë për klikime, pa e verifikuar atë që e publikojnë. Ky është gabimi më i madh që mund ta bëjë një gazetar dhe një redaktor. Në gazetari nuk duhet të shpejtohet, doemos duhet t’i respektojmë standardet. Përgjegjësia e parë e gazetarit është ndaj të vërtetës“, tha kryeredaktori i Meta.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button