Zbulohet mashtrim investimi me kriptovaluta në shkallë globale, operohej edhe nga Maqedonia e Veriut

Në një aksion të madh ndërkombëtar, u zbulua një mashtrim investimi duke përdorur kriptovaluta, i cili viktimizoi qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota. Një nga qendrat nga ku është kryer mashtrimi, sipas dyshimeve është edhe Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Bëhet fjalë për një aksion të koordinuar nga Eurodrejtësia dhe Europol ku dje dhe pardje (8 dhe 9 nëntor) aksioni është kryer në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji dhe Ukrainë. Janë kontrolluar 15 qendra të thirrjeve (call-center) dhe janë arrestuar pesë të dyshuar.

Nga institucionet tona, në aksion kanë marrë pjesë një prokuror i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe 28 policë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në një nga 15 qendrat e thirrjeve është kryer kontroll dhe deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar. Pesë të arrestuarit e raportuar nga Eurodrejtësia janë katër në Shqipëri dhe një nëë Gjeorgji .

Kërkimet në 14 qendrat e tjera të thirrjeve ishin në: Shqipëri – 6, Gjeorgji – 5 dhe Ukrainë- 3.

“Të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës të cilët me investime të vogla mund të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash. Në realitet, grupi i krimit të organizuar i mashtronte viktimat në një mënyrë që fitonte besimin e tyre nëpërmjet internetit dhe përmes qendrave të thirrjeve të ngritura në mënyrë profesionale apo mjeteve të tjera të të ashtuquajturave inxhinieri sociale. Duke e bërë këtë, ata inkurajuan viktimat që të investojnë përmes platformave të internetit që në fakt kontrollohen nga grupi kriminal dhe kështu të humbasin shuma të mëdha parash”, tha Eurodrejtësia .

Nga aty theksojnë se bëhet fjalë për hetim përmasat e të cilit janë të paprecedentë. Provat e mbledhura tregojnë se mashtrimet kanë nisur të paktën që nga viti 2016 dhe deri më tani vlerësohet se ka qindra mijëra viktima në mbarë botën. Vlerësimet janë se në nivel vjetor grupi ka shkaktuar dëme prej 50 milionë eurosh.

Hetimi për këtë mashtrim në internet ka vazhduar që nga viti 2018 dhe çështjet gjyqësore janë aktualisht të hapura në shtatë vende.

Gjatë kontrolleve të dy ditëve të mëparshme, mbi 500 pajisje elektronike (kompjuter, laptop, hard disk, USB), mbi 340 00 euro kesh, disa celularë, “portofol” me kriptovaluta, prona, dokumente personale, karta bankare dhe qindra dokumenta të tjera janë sekuestruar.

Në një deklaratë të publikuar pas aksionit, Eurodrejtësia këshillon investitorët e mundshëm që të jenë tepër të kujdesshëm kur bëjnë investime online në kriptovaluta dhe të kontrollojnë nëse platformat e internetit ku investojnë i përkasin kompanive ligjore apo jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button