Mbi esencializmin

Autori Greg McKeown ka shkruar dy libra shumë domethënës. I pari quhet “Essentialism” dhe i dyti quhet “Efortless”. Tezat të cilat ai i zhvillon në këto libra janë shumë domethënëse dhe të veçanta për kohën moderne ku ka aq shumë gjëra, aq shumë mundësi dhe aq shumë informata sa që njerëzit shpesh përfundojnë në ambiente dhe në jetë të mbingarkuara ku gjithçka duket si një lëmsh i madh që të zë frymën. Lajtmotivi i atij lëmshi është se koha asnjëherë nuk mjafton për të bërë gjithçka që duhet bërë. Librat e McKeown ofrojnë një alternativë në të cilën koha mjafton, bile edhe mund të teprojë, nëse arrijmë ta dallojmë esencialen prej joesenciales.

Të qenit i zënë është standardi kryesor i kohës moderne. Të gjithë janë tmerësisht të zënë duke bërë shumë gjëra, pa çka se mund të përfundojnë pa bërë asgjë me rëndësi. Të zënë jemi me ekranet që na i zënë sytë sapo i kemi hapur, të zënë jemi me oblgimet rutinore të përditshme një pjesë e mirë e të cilave janë pa kuptim dhe pa qëllim të caktuar, të zënë jemi me gjithçka përveç me atë që na bën të ndihemi mirë me vetveten. Të qenit i zënë nuk do të thotë automatikisht që je edhe i suksesshëm në atë që bën. Ndoshta të qenit i zënë tërë kohën tregon diçka tjetër për ne: se nuk arrijmë të vendosim se çfarë saktësisht është e rëndësishme në jetën tonë.

McGeown argumenton se esencializmi na mundëson të kuptojmë pikërisht këtë, çfarë është e rëndësishme në jetën tonë, në punën tonë dhe në raportet tona shoqrërore. Identifikimi i esenciales është hapi i parë drejt një jete me kuptim. Nuk është lehtë të identifikohet esencialja në një botë ku gjithçka duket e rëndësishme. Nuk është lehtë të vendosen kufijtë në atë se ku dëshirojmë ta kalojmë kohën tonë. E koha është resursi më i çmuar që e kemi sepse është resurs i pakthyeshëm dhe jeta nuk ka reprizë.

Pasi ta kemi identifikuar esencialen McKeown thotë që duhet t’i eliminojmë të gjitha gjërat tjera që nuk janë esenciale. Duhet të bëhemi kopracë me kohën tonë dhe të mos e shpërdorojmë atë. Duhet të mësohemi të themi “jo” për gjërat të cilat nuk kanë rëndësi esenciale në jetën tonë. Duhet ta ruajmë me xhelozi kohën tonë dhe të vendosim prioritete sipas zgjidhjes sonë. McKeown thotë që nëse ne nuk vëmë prioritete mbi kohën tonë, dilkush tjetër do ti vendosë ato prioritete. Dhe këtu fillon rrokullisja e gurit të Sizifit. Shoqëria na mëson që duhet domosdoshmërisht të bëjmë punë që mund të mos na pëlqejnë, për të fituar para që nuk i duam, për të blerë gjëra që nuk na duhen, për t’u bërë përshtypje njerëzve që nuk na pëlqejnë. Kjo thënie përsëritet edhe në shkrime të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e kohës moderne që quhet Minimalizëm. Esencializmi ofnon zgjidhje të këtij problemi përmes identifikimit të esenciales në jetët tona dhe përmes eliminimit të gjërave joecenciale aty.

Përfundimisht, personi që arrin ta identifikojë esencialen dhe arrin t’i heqë nga rendi i ditës gjërat joesenciale në jetë, duhet të vazhdojë që me disciplinë të ashpër ta ndjekë këtë rrugë dhe të mos lejojë që gjërat joesenciale të rikthehen në jetën e tij dhe sërish ta zënë kohën e tij të çmuar. Është proces i gjatë që nënkupton ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe vendosjen e qartë të prioriteteve në jetë.

Pasi e tregon këtë proces në detaje në librin e tij të parë, McKeown argumenton në librin e dytë se kur arrijmë të shohim çka është esenciale në jetë atë që e kemi identifikuar si të tillë mund ta realizojmë suksesshëm dhe pa shumë mund, sepse do të jemi në gjendje që gjithë energjinë tonë ta koncentrojmë te gjërat më esenciale në jetë të cilat do t’i japin kuptim eksistencës tonë dhe do të na bëjnë që të lëmë gjurmë të vlefshme në këtë botë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button