ShGM: Vendim skandaloz i Gjykatës së Apelit kundër gazetarëve Meri Jordanovska dhe Predrag Petroviq

Këshilli i Gjykatës së Apelit në Shkup, i përbërë nga gjykatësit Tatjana Dukovska si kryetare e Këshillit, Tanja Mileva dhe Jusuf Ajrullahi, ka sjellë aktvendim skandaloz dhe të turpshëm kundër gazetarëve Meri Jordanovska dhe Predrag Petroviq, kumtuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM).

Gjykata e Apelit në Shkup me aktvendimin e 8 nëntorit e shfuqizon aktgjykimin e Gjykatës themelore penale në Shkup dhe e kthen lëndën në rigjykim. Bëhet fjalë për një padi private penale të deputetit dhe njëherit kryetar të partisë politike „E majta”, Dimitar Apasiev kundër koleges Jordanovska dhe kolegut Petroviq dhe personit juridik ONLINE MEDIA Sh.P.K. nga Shkupi për veprën penale „Publikim i paautorizuar i shkrimeve personale”.

Shkak për padinë e Apasievit kundër gazetarëve ishte teksti i publikuar i titulluar si „Sorospii” dhe „Kurirxhii” – Apasiev agresiv ndaj gazetarëve të ,,A1on” pasi iu parashtrua pyetja se a do t’i mbajë paratë e buxhetit”, i publikuar më 07 dhjetor të vitit 2020 në median online „A1on”.

„Rikujtojmë se në procedurën mbi këtë rast e cila zgjati rreth një vit, paditësi nuk u paraqit personalisht as edhe një herë në seancat gjyqësore, ndërsa gazetarët disa herë morën pjesë nëpër seanca në gjykatë ku e përfaqësonin mbrojtjen e tyre. Gjykata themelore penale në Shkup gjykoi në favor të gazetarëve në shkurt të këtij viti, ndërsa me aktvendimin e Apelit të Shkupit e sjell në rigjykim dhe gazetarët tashmë kanë edhe ftesë për seancë këtë muaj”, shkruan në njoftimin e ShGM-së.

Nga ShGM-ja theksojnë se vendimet e këtilla të gjykatësve të Gjykatës së Apelit në Shkup dhe praktika e këtillë gjyqësore, kur bëhet fjalë për padi private të liderëve të partive dhe deputetëve kundër gazetarëve, pasqyrohen negativisht në lirinë e shprehjes dhe nxit një autocensurë.

„Edhe një herë bëjmë me dije se paditë e këtilla shërbejnë që të shkaktohet frikësim dhe shpenzime të ndryshme ose thjesht rraskapitje e gazetarëve të paditur. Qëllimi nuk është që të fitohet e drejta, por të maltretohen të paditurit me qëllim që të demotivohen ose të heqin dorë nga kritika publike. Paditë e këtilla në kontekst të Këshillit të Evropës janë të njohura si padi strategjike për ndalimin e pjesëmarrjes publike (SLAPP). Këto padi, posaçërisht kur janë të iniciuara nga politikanë dhe bartës të funksioneve publike, mund të shkaktojnë censurë tek gazetarët, e me këtë të cenohet e drejta e informimit të qytetarëve”, thonë nga ShGM-ja.

ShGM-ka për këtë aktvendim të Apelit të Shkupit do ta njoftojë Federatën Evropiane të Gazetarëve (FEG) ku ShGM-ja është anëtare dhe do të bëjnë me dije se bëhet fjalë për presion kundër gazetarisë së lirë nëpërmjet gjykatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button