77 autobusë të “Makekspres” në garazh, linja 19-të katër muaj nuk e ka plotësuar vëllimin e punës prej 80%

77 autobusë të transportuesit privat “Makespres” kanë mbetur në garazhe. Qyteti i Shkupit dje e shfuqizoi marrëveshjen e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. NQP thotë se do t’i zëvendësojë me autobusë dhe shoferë të saj këto linja, transportuesit privat po mbajnë mbledhje pas situatës së krijuar, shkruan Portalb.mk.

Pas 9 ditësh bojkotim të punës dhe akuzave mes “Makekspresit” dhe Ndërmarrjes Publike për Qarkullim Publik (NQP), me nënshkrim të kryetares së Shkupit Danella Arsovska iu dha fund bashkëpunimit me këtë kompani private, të cilës Qyteti i ka borxh gjysmë milioni euro.

Askush nuk na ka kontaktuar nga Qyteti i Shkupit në lidhje me vendimin e djeshëm për shfuqizimin e marrëveshjes, kështu deklaroi për Portalb.mk, pronari i “Makekspres”, Milorad Dimitrievski, në lidhje me situatën e krijuar, duke shtuar se po mbajnë takime me transportuesit për t’i përcaktuar hapat e mëtutjeshëm.

“Në përgjithësi, mbajmë mbledhje me një pjesë të transportuesve dhe kërkojmë ndonjë zgjidhje që do të ishte më e favorshme pa pasur pasoja më serioze. Jemi në fazë të bisedimeve, nuk kemi arritur marrëveshje se çfarë konkretisht do të bëjmë më tej. Ne me vetiniciativë nuk kemi dalë të vozisim, Qyteti i Shkupit t’i pastrojë borxhet dhe ne të vazhdojmë normalisht të punojmë”, thotë Dimitrievski.

Nga NQP Shkup sot deklaruan se linjat 19, 20, 22, 52 dhe 54 vazhdojnë të funksionojë normalisht edhe përskaj shfuqizimit të marrëveshjes me transportuesin privat “Makekspres” dhe se orari i qarkullimit, trasetë dhe stacionet e linjave mbeten njëjtë, vetëm se në vend të transportuesit privat, pesë linjat do t’i shërbejnë automjetet dhe shoferët e NQP Shkup.

“Marrëveshja me transportuesin privat “Makekspres” është shfuqizuar për shkak të mosrespektimit të obligimeve nga marrëveshje me të cilën janë rregulluar kushtet e transportit publik. NQP Shkup dhe Qyteti i Shkupit në asnjë moment nuk do të lejojnë që shfrytëzuesit e transportit publik të mbeten pa shërbim, pavarësisht të gjitha rrethanave”, thonë nga NQP Shkup.

Portalb.mk prej ditës së djeshme dërgoi pyetje deri te NQP në lidhje me atë se, me sa autobusë do t’i mbulojnë këto 5 linja, por prej atje sot na thanë se nuk kanë asgjë më tepër për të shtuar përveç kumtesës që e kanë publikuar.

Linja 19-të e parregullt

Në faqen e “Duam Çair të Pastër” është publikuar një vendim të nënshkruar nga Arsovska, në të cilin thuhet se prishet marrëveshje pasi që linja 19 gjatë muajve  maj, korrik, shtator dhe tetor nuk e ka plotësuar vëllimin e shërbimit sipas marrëveshjes prej 80%.

Gjatë muajit maj 2022 ka realizuar vëllim prej 78,87% dhe për këtë NQP ka dorëzuar njoftim deri te transportuesi privat.

“Edhe përskaj dorëzimit të njoftimit, nga raporti mujor nga Qendra Operative Kontrolluese në NQP Shkup, numër 15-667 prej 01.03.2022, dorëzuar në Sektorin për Monitorim në Sektorin për Komunikacion, është konstatuar gjendja e njëjtë edhe për muajin korrik 2022, gjegjësisht linja 19 ka realizuar vëllim prej 75,56%. Gjatë verifikimit të raporteve të Qendrës Operative Kontrolluese në NQP Shkup, K15-12/158/8 të 15.09.2022 dhe K15-12/158/9 të 14.10.2022 për muajt gusht dhe shtator, Sektori për Monitorim ka konstatuar se transportuesi sërish nuk ka siguruar transport në vëllim sipas marrëveshjes prej së paku 80%. Për muajin gusht linja 19 ka realizuar vëllim prej 71,99%, ndërkaq për muajin shtator 78,9%”, thuhet në vendimin e Qytetit të Shkupit.

Megjithatë, nuk ka të dhëna nëse ekzistojnë vendime të veçanta edhe për linjat tjera të “Makekspres”, apo për shkak linjës 19 kanë pësuar dhe ata.

Kjo linjë është 11.5 deri në 12 kilometra dhe nis nga Shuto Orizare deri në Karposh ose anasjelltas. Portalb.mk në disa tekste paraprake ka theksuar pikërisht për kaosin e kësaj linje 19-të, e cila nuk e ka respektuar orarin e qarkullimit, i cili është i publikuar në ueb-faqen e NQP-së.

Rast konkret kemi vëzhguar më 17 tetor të këtij viti kur prej 08:30 deri në 09:30 nuk kanë qarkulluar 7 autobusë të linjës 19, gjegjësisht në oraret 08:35, 08:43, 08:50, 08:58, 09:05, 09:15, 09:25.

Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022
Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022

Autobusi që duhej të vinte në orën 8.30, erdhi në orën 9 e 37 minuta. Pamja që mund ta shihni më poshtë është kaotike e aq më tepër e rrezikshme, në kohën e gripit sezonal e kur COVID-19-të ende nuk është larguar tërësisht. Shumica e qytetarëve që e pritën një orë, u pamundësuan sërish që të ngjiten, duke e pasur parasysh rrëmujën e madhe ku s’kishte vend as për “gjilpërën”.

Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022
Autobus 19, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk. 17.10.2022

Në maj të vitit 2022, Portalb.mk alarmoi se për shkak të mospagesës së mjeteve financiare nga Qyteti i Shkupit, shoferët e linjës 19-të dhe 20 pa paralajmëruar kanë ndërprerë qarkullimin e linjës. Me këtë u krijua kaos pasi që tërë Komuna e Shuto Orizares mbeti pa transport publik dhe një pjesë e Komunës së Çairit.

Portalb.mk, bëri vëzhgim të orarit të autobusit 19 gjatë javës së parë të muajit maj 2022. Sipas kontrollit orari i linjës 19 fare nuk është respektuar. Sipas orarit të publikuar në ueb-faqen e NTP-së prej orës 8 deri në orën 9-të, do të duhej të qarkullonin 8 autobusë, por në fakt kalojnë vetëm 3, apo në gjysmë orë, në 8, 8.30 dhe 9, të cilët ndonjëherë dinë edhe fare mos të vijnë.

Pas shkrimeve të Portalb.mk, përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit u takuan mepërfaqësuesit e kompanisë private “MAKEKSPRES” dhe deklaruan që janë marrë vesh që Qyteti t’ua paguajë 60% të borxhit dhe me këtë do të normalizohet linja.

Por, pavarësisht kësaj, linja 19, ka vazhduar të jetë e parregullt. Qytetarët vazhdimisht ankohen se qarkullimi jo i rregullt i kësaj linje atyre u shkakton probleme në përditshmërinë e tyre, gjegjësisht shkuar-ardhje në punë, shkollë apo spital. Arsyetimi nga kompania është “mospasja e mjeteve”, pasi u ka borxh Qyteti i Shkupit.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat qarkullojnë në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button