Vepër e ushqyer nga tryeza e historisë

Poeti, shkrimtari, dramaturgu dhe publicisti Abdylazis Islami ka lënë një opus të pasur letrar. Ai ka botuar shumë libra për fëmijë, të rritur, vepra dramaturgjike dhe studime nga folklori. Disa vepra janë vënë në skenë ose janë ekranizuar. Për veprën e tij janë shkruar recensione, studime dhe monografi. Njëra nga veprat më të receptuara të Abdylazis Islamit është poema “Nica” (1995). Mbase ky receptim vjen sepse ajo flet artistikisht për historinë e lashtë të Pollogut.

Edhe pse shkrimtari, nëpërmjet imagjinatës, e krijon një realitet simbolik, të mundshëm, alternativ, të përfytyruar, ai ka huazuar, huazon dhe do të huazojë nga tryeza e mitologjisë dhe historisë.

Nga këndvështrimi letrar, Abdylazis Islami ka krijuar një poemë me vlera të çmuara artistike, e cila lexuesit i krijon kënaqësi estetike.

Ngjarjet që përshkruhen ndodhin në lashtësi. Aty ka imagjinatë, por edhe mbështetje te referencat nga historia. Emrat e vendeve, që përmenden në këtë poemë, i hasim në burime historike ose në gojëdhëna të shumta. Oeneumi është qytet i lashtë afër Tetovës dhe përmendet nga autorët e antikitetit. Arnjeti është vendi që e identifikojmë me vendbanimin e lashtë Orashën. Vratnica në këtë poemë është vendi i rënies së Nicës. Ra-Dusna ose Radusha është fshat pranë Orashës. Kodra e Mjaltit njihet edhe si Baltepe.

Historia thotë se Orasha ishte vend strategjik që në lashtësi. Pranë saj kalonin rrugë të rëndësishme, të cilat rajonin e lidhnin me Prizrenin, Shkodrën dhe bregdetin shqiptar. Rrugët mundësonin këmbime tregtare dhe kulturore. Arkeologu Ivan Mikulçiç, në librin Qytetet dhe fortesat mesjetare në Maqedoni (Shkup, 1996), shkruan se aty kishte kulla, bastione, një akropol, rrugë të gjera, rezervuare që u përdorën deri në mesjetën e vonshme dhe shtëpi me dhoma drejtkëndëshe. Imazhe të ngjashme shfaqen derisa e  lexojmë poemën.

Orasha ishte vend i rëndësishëm edhe në mesjetë. Kalaja e Orashës nuk u prek edhe kur zhupani Stefan Nemanja në shekullin XII i shkatërroi dy qytetet mesjetare: Leshkën dhe Gradaciumin. Këtë e thotë djali i tij Stefani i Kurorëzuari i Parë, vjehrri i fisnikut shqiptar Dhimitër Progonit, i martuar me Komnena Nemanjën.

Burimet osmane thonë se në kuadër të qytetit kishte katër timare. Një timar i pavarur ishte i Ilijazit, birit të Kuçuk Ballabanit – dizdarit të kalasë së Sobrit.

Orasha, sipas historianëve shqiptarë, një kohë ishte në zotërimin e trupave të Skënderbeut. Nëpërmjet saj ai e kontrollonte një pjesë të madhe të territorit të Pollogut e më gjerë.

Këtë vend e kanë përmendur shumë autorë të huaj, sikurse: August Grisenbach-u, Ami Bou-e, Spenceri etj…

Abdylazis Islami e shkroi poemën duke u nisur nga rëndësia historike e Orashës. Falë talentit dhe njohurive nga historia, ai e krijoi një vepër të çmuar, e cila duhet të ribotohet dhe të afirmohet, sepse na hap një botëshikim të ri për të kaluarën e këtyre viseve.

Vepra na fton të gjurmojmë për historinë e këtij rajoni, kurse në planin artistik mbetet me horizont të hapur të pritjes dhe si e tillë e pret lexuesin e ri.

Fatkeqësisht, në këtë gjendje anomie, lihen në harresë të përkohshme (assesi të përhershme) vepra të çmuara letrare, përfshirë edhe veprën e çmuar, shumëvëllimore e shumëpërmasore të Abdylazis Islamit. Pasi librat e shumë autorëve të rëndësishëm të letërsisë sonë nuk ribotohen, lexuesi i ri nuk mund t’i receptojë. Mbetet shpresa se institucionet kulturore ose shtëpitë botuese do ta ndërmarrin nismën për t’i botuar kompletet e veprave të shkrimtarëve nga mbarë hapësira kulturore shqiptare. Përfshirë edhe kompletin e veprave të Abdylazis Islami, sepse ato e nderojnë kulturën shqiptare dhe e paraqesin shumëpërmasinë e shpirtit të njeriut të Sharrit, Pollogut e më gjerë, kurse mesazhet universale të tyre vlejnë për çdo kohë dhe për çdo sistem kulturor…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button