Në ITSHKSH u kujtua  Nata e Kristalt, ose paradhoma e Shoah (Holokaustit)

Nëse secili nga ne e luftojmë të keqen brenda nesh, dhe nëse tjetrin e trajtojmë me përkujdesje njerëzore, siç vepruan disa familje shkjupjane gjatë periudhës së LDB, kur hebrenjtë rrezikoheshin nga dora vrastare naziste, atëherë asnjëri nga ne nuk do të ketë nevojë për avokatë për të na mbrojtur nga padrejtësitë, sepse avokati më i mirë për njeriun human është ndërgjegjja e pastër e tij”, tha drejtori i ITSHKSH, Skender Asani.

Nata e Kristaltë (në gjermanisht Kristallnacht), është një ngjarje e ndodhur natën në mes të 9 dhe 10 nëntorit 1938 në Gjermani dhe Austri, kur nazistët dhe grupe përkrahëse të Partisë Naziste ndërmorën përndjekje të dhunshme ndaj tregtarëve dhe qytetarëve hebrenj në disa qytete, duke shkatërruar mbi 200 sinagoga dhe 7,500 biznese hebraike brenda natës. Nata quhet e Kristaltë, ose ndryshe Nata e Xhamave të Thyer, pikërisht prej xhamave të thyer që mbushën rrugët e qyteteve gjermane. Kjo datë shënon dhe fillimin e dhunës së organizuar shtetërore ndaj popullit hebre, që shënojnë edhe fillimin e historisë së Holokaustit. Numri i njerëzve të vdekur mbeti i paqartë, ndërsa regjimi nazist foli për 91 hebrenj të vdekur, ndërsa historianët thonë se më shumë se 1 300 persona humbën jetën si rezultat i masakrës. Ministri i propagandës naziste, Joseph Goebbels e quajti atë një “valë spontane të zemërimit publik”, ku pas saj fshiheshin paraushtarakët nazistë SA dhe SS. Rreth 30,000 hebrenj u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit brenda një nate. Shpeshherë, Nata e Kristaltë quhet ndryshe si paradhoma e Shoah (Holokaustit). Si pretekst për Natën e Kristaltë shërbeu vrasja një diplomati gjerman në Paris, nga një hebre i ri polak, pjesë e një familjeje, së cilës i ishte mohuar shtetësia gjermane dhe ishte përjashtuar si nga Gjermania, ku banonte, ashtu edhe nga Polonia. Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombëtar. Dyqanet e hebrenjve, filluan të mbuloheshin me grafite e mbishkrime antisemite.

Rreth kësaj ngjarje të tmerrshme që la gjurmë të thellë në memorien e njerëzimit, Departamenti për hulumtimin dhe edukimin e Holokoaustit i ITSHKSH-së organizoi një komemoracion me titull simbolik “Muzgu i Qytetërimit: Hyrje në vendosjen e shtetit të terrorit dhe frikës”, në shenjë të gjithë atyre hebrenjve që ishin viktimë e urrejtjes naziste që shpërtheu në Natën e Kristaltë dhe pas saj. Të pranishëm ishin, përpos ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, edhe ambasadorja e Izraelit, e Gjermanisë, ambasadori i Çekisë dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA, Francës, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Beti Azur, një zonjë mbi tetëdhjetëvjeçare e cila si fëmijë katër vjeçar i kishte mbijetuar deportimit nazist në vitin 1943, me ç’rast prindërit e saj dërgohen në Kampin famëkeq të Treblinkës, prej nga nuk kthehen, kurse ajo kalon nën përkujdesje të një familje shkupjane. Në fjalën e saj ajo falënderoi ITSHKSH për këtë evokim që po i bëhet Natës së Kristaltë dhe shprehu bindjen se ngjarjet e tilla nidkojnë më tepër në afrimin e njerëzve në mes veti.

Udhëheqësja e Departamenti për hulumtimin dhe edukimin e Holokoaustit Maja Susha falenderoi studentët e fakulteteve juridike në Shkup dhe në Tetovë të udhëhequr nga dhe Jusuf Zejneli dhe Ivanka Dodovska,  për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje, duke shprehur bindjen se ata nesër do të jenë bartës të një edukimi të drejt qytetar.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, tha se kriteri i parë që e shquan një shoqëri të civilizuar dhe të liruar nga paragjyimet, është evokimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe nxjerrja mësim prej tyre. Edhe ky evokim i yni i sotëm e ka këtë funksion, me çka ITSHKSH vazhdon traditën e shënimit të ngjarjeve të rëndësishme që lanë gjurmë në shiritin e kohës, u shpreh ai.

“Njerëzimi gjithmonë ka nevojë për shembuj që nxisin sensin e pastrimit të vetvetes nga e keqja. Edhe shoqëria gjermane kaloi nëpër këtë katarsë të madhe shpirtërore e morale, duke vendosur linja distancimi nga e kaluara e errët në favor të ardhmërisë e cila përvojat e këqija i shndërron në modele bashkëpunimi e mirëkuptimi. Kur kujtesa negative e një populli ndërtohet mbi ndjenjën e ndërgjegjësimit dhe pastrimit moral nga mbetjet e së kaluarës, atëherë një shoqëri e tillë është e denjë të quhet e civilizuar. Nëse secili nga ne e luftojmë të keqen brenda nesh, dhe nëse tjetrin e trajtojmë me përkujdesje njerëzore, siç vepruan disa familje shkjupjane gjatë periudhës së LDB, kur hebrenjtë rrezikoheshin nga dora vrastare naziste, atëherë asnjëri nga ne nuk do të ketë nevojë për avokatë për të na mbrojtur nga padrejtësitë, sepse avokati më i mirë për njeriun human është ndërgjegjja e pastër e tij. Guximi dhe sakrifica për të shpëtuar hebrenjtë gjatë LDB, mund të merret si model edhe nga politikanët, të cilët kanë nevojë t’i projektojnë vizionet e tyre mbi sensin e vetëmohimit për të mirëqenien dhe sigurinë e tjetrit. Me pastërtinë e ndërgjegjes ne krijojmë pasqyrën morale ku mund ta shikojmë vetveten, prandaj edhe ky evokim që po e shënojmë këtu në ITSHKSH le të jetë një pasqyrë që reflekton dritën e arsyes, si një udhërrëfim për të tejkaluar çdo keqkuptim dhe paragjykim”, tha Asani.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se Holokausti është ana më e errët e historisë njerëzor, prandaj sipas tij, po punohet që brezat e rinjë të pastrohen nga recidivat e këqinj të së kaluarës. Për këtë qëllim, tha Shaqiri, është menduar të instalohet procesi i integrimit dhe interkulturalitetit si mekanizma efikas që ndikojnë te zhvillimi i të rinjve sipas parametrave të shëndosh edukues e kulturor.

Me fjalë rasti para të pranishmëve u paraqitën edhe ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holstein, ambasadorja e Izraelit Simone Frankel, kryetari i Komunitetit hebraik në Maqedoni, Pepo Levi si dhe profesorët Zejneli dhe Dodovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button