Mbështesim Shqipërinë për lidership më të madh në rajon, mesazhi i Bidenit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të thellojnë partneritetin strategjik me Shqipërinë dhe do ta mbështesin atë të marrë rol më të madh lidershipi në rajon, raporton REL.

Kështu thuhet në mesazhin që presidenti amerikan, Joe Biden, u ka dërguar presidentit shqiptar, Bajram Begaj, dhe kryeministrit Edi Rama, me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Letra e kreut të Shtëpisë së Bardhë iu dorëzua krerëve të shtetit shqiptar, më 7 nëntor, nga përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield.

“Ne dëshirojmë ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi në rajon, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë, si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, vazhdon letra, ku vlerësohet edhe ndihma e Shqipërisë për strehimin e shtetasve ukrainas dhe atyre afganë.

Edhe ambasadorja Thomas-Greenfield vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.

Ambasadorja vizitoi Shqipërinë më 6 dhe 7 nëntor, ndërsa vazhdon vizitën në Poloni më 8 dhe 9 nëntor.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Tiranë qëllimi i këtyre vizitave është përsëritja e mbështetjes për këto dy vende aleate, të vendosura për të punuar së bashku me SHBA-në për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të votojë një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia, më 25 shkurt, vetëm një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button