Shqetësime në BE për mundësinë që tensionet në Kosovë të barten në rajon

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë në konferencën për shtyp se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.

Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth fatit të propozimit franko-gjerman për marrëveshje, dhe zhvillimeve të fundit në veri, ka thënë se “prioritet është ulja e tensioneve”.

“Ende po i studiojmë përgjigjet nga palët, por tani prioriteti kryesor është që të ulen tensionet në terren. Ditëve të fundit kemi parë rrezikun e madh të një eskalimi, si dhe zhvillime që sjellin në rrezik të gjitha të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane”, ka thënë Stano.

Stano ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës që të bëjë hapa të menjëhershëm drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj. Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, ka thënë ai, duke nënvizuar se për këtë, Borrel gjatë fundjavës kishte diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“BE-ja dëshiron t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga eskalimi momental. Kjo është rruga që çon deri te perspektiva evropiane për të dy partnerët”, ka theksuar ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe ka shtuar se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Stano ka folur edhe për shqetësimin e BE-së se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim edhe më gjerë në rajon.

“Sa herë që ka jostabilitet lokal, ky jostabilitet eksportohet dhe ka ndikim edhe në rajonin më të gjerë. Kemi parë këtë edhe në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një agresion brutal të një shteti ndaj tjetrit, por pasojat nuk janë të kufizuara vetëm në këto dy vende, mirëpo ndikojnë te të gjithë, në tërë botën”.

Stano nuk e ka përjashtuar mundësinë që dhuna eventuale nga tensionet e krijuara në terren, të përhapet më gjerë, duke ua rikujtuar vendeve se duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Nëse kemi shpërthim të ri në tokën e Evropës, mes Kosovës dhe Serbisë, nëse tensionet vazhdojnë, askush nuk mund të përjashtojë [mundësinë] se kjo mund të sjellë deri te dhuna. Pra, nëse ndodh diçka në nivel lokal, kjo mund të ndikojë më gjerë”.

“Këtë Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes, Serbia e Kosova nuk mund t’ia lejojnë vetes e as rajoni. Prandaj, u bëjmë thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi të parandalojnë eskalimim e mëtejmë, të ndërmarrin më shumë hapa në frymën evropiane dhe të ulen tensionet”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Bashkimi Evropian vazhdon të ftojë palët që në mënyrë konstruktive t’i qasen dialogut dhe përmes tij t’i adresojnë të gjitha mospajtimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë.

Ai tha se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga “individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”.

Konjufca: Dorëheqjet e deputetëve serbë nuk e rrezikojnë Kuvendin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se për dorëheqjen e dhjetë deputetëve serbë do t’i ndjekë procedurat e parapara me ligj.

“Unë do t’i drejtohem presidentes [të Kosovës, Vjosa Osmani], e pastaj procedurat tjera thonë që presidenca i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e pastaj KQZ i përgjigjet me propozimet për deputetë që vijnë nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa t’i plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe”, tha Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Më 7 nëntor, dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – dorëzuan mandatet në Kuvendin e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Sipas kryeparlamentarit Konjufca, dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe, në aspektin procedural dhe ligjor, është e njëjtë me dorëheqjen edhe të deputetëve të tjerë.

Ai tha se procedurat janë të qarta dhe nuk rrezikohet Kuvendi i Kosovës.

“Nuk dua të mendoj që [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq mund ta dërgojë në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të dojë”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe i Vuçiqit që të shkaktojë në Kosovë zgjedhje, apo ndonjë lloj destabilizimi, atëherë kjo nuk është e mundshme.

“Serbia ka në plan që ta shkëpusë veriun nga Kosova, por nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha ai.

Deputetët e Listës Serbe, por edhe zyrtarët e tjerë në katër komunat në veri të Kosovës janë larguar nga institucionet e Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin e Qeverisë në Prishtinë lidhur me targat.

Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, se dorëheqjet e deputetëve të Listës Serbe kanë “ndërlikuar shumë situatën dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”.

“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem për shkak se tani KQZ-ja duhet të trajtojë në listë njerëzit e tjerë për të përmbushur, dhe ata nuk do të marrin mandate. Do të vijmë në një situatë kur Parlamenti nuk do t’i ketë 120 deputetë. Do të kemi një vakum kushtetues, që duhet ta interpretojë [v.j. Gjykata Kushtetuese] Kushtetuta”, tha ai.

Vuçiq: Serbët në Kosovë nuk do të mbesin pa mbështetjen e Serbisë

Populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë sepse është e rëndësishme që ata të jenë të sigurt, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ai shtoi se beson që “ne do të kemi sukses në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për popullin tonë dhe Serbinë tonë”.

Kurti: Kërcënimet e Vuçiqit u intensifikuan për shkak të refuzimit të planit franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.

“… për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.

“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kështu deklaroi Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serb nga institucionet e Kosovës.

Për planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.

Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Gjatë konferencës Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.

Ndërsa ministri Sveçla tha se aktualisht situata në veri është e qetë dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës edhe më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button