SKËNDERBEU DHE MEDINEJA (II)

Sipas vetë-perceptimit neorshqiptarist shqiptari i ri është joaziatik, arian, evropian për nga instinktet kombëtare (K.A. Dako), gjithnmonë i lidhur me Evropën (A. Frashëri), racë e vjetër europiane e mbuluar me pluhurin oriental (f. 176). Kjo është një përpjekje për inxhiniering social modernist, kopje e zbehtë e një koncepti perëndimor (“Në shqipëri shëtitej vetëm silueta e tij.” f. 152). S’mund të realizohej ideja për këtë profil të ri human në një Shqipëri konservatore, feudale e analfabete (Syrja Bej Vlora). Sipas botëkuptimit në fjalë shqiptaria si ideologji dhe “fe e re”  mirëqenien duheshte ta ofrojë këtu dhe tash e jo siç premton feja klasike atje, në parajsën e botës tjetër. Ideja kyç ishte superfamilja, vëllazëria kombëtare me prejardhje fiktive (f. 158). Ndërkohë, nga megaideja duhej të kalohej te megaprojekti, por tre përkatësitë fetare si të balancoheshin, si të gjendej kohezioni mes tyre? Kjo ishte një çështje që – për fat të mirë – ndër shqiptarë është zgjidhur: s’ka fërkime mes komuniteteve fetare.

Të tria besimet (jo tri fetë sepse orthodoksia dhe katolicizmi nuk janë fe por denominime) që i kanë shqiptarët rrjedhin nga fetë abrahamike, nga Ibrahimi që promovoi monoteizmin apo njëshmërinë hyjnore. Pra tre përkatësitë fetare nuk janë problem, madje janë model për të tjerët për convivencia, bashkejetesë. Sipas Sulejmanit, Skënderbeu ka qenë i bindur se Zoti është një, kurse Moisiu, Jezusi, Muhamedi dhe ndarjet e ndryshme si krishterimi lindor, perëndimor, sunni, bektashi janë krijuar në kontekste të ndryshme historike, pra tharmi i këtyre botëvështrimeve fetare është i njëjtë. (f. 169) Vetëm Zoti është jashtë kontekstit historik, ai është ahistorik, të gjitha qeniet dhe gjërat tjera janë të (për)kohshme. Tri përkatësitë fetare shqiptare kanë emërues të përbashkët: teuhid-in, njëshmërinë hyjnore. Ata që Skënderbeun e vendosin në pozicionin e heroit që e mbrojti Perëndimin prej Lindjes, krisherimin prej islamit, elimojnë dy vlera të shqiptarisë, janë reduksionistë, miopë sociologjikë, kulturologjikë. Edhe formula komuniste 3 (fe)x0 (pafesi)=1 (unitet),  eliminimi i feve, asnjë fe një komb i fuqishëm, ishte fatale sipas autorit.

“Triniteti konstruktiv” dhe bashkëpunues është formula për mbijetesën e kombit shqiptar, e kundërta shpie në tendosje, konflikte dhe dekompozim. Ne në kohën post-moderne kemi nevojë për një kulturë të lartë (high culture); na duhet një “nacionalizëm globalist shqiptar”, një gjykim i drejtë dhe pa ngarkesa për fetë monoteiste dhe civilizimet që do të garantonte një perspektivë dhe mirëqenie. Sot Fukuyama dhe Huntingtoni janë në komë akademike, tezat e tyre kanë dalë të dështuara. As historia ka mbaruar, as kemi qytetërime të dështuara. Shartimi i qytetërimit oksidental duke eliminuar një pjesë të shqiptarisë (islamin – Kadare dhe islamofobët e tjerë) është një mission impossible. Deus ex machina nuk ndodhi, legjenda për kalim en bloc doli e dështuar ngase nuk e njeh psikologjinë e masave, është imponim dhe dhunim i ligjeve sociologjike. Nga ana tjetër, komunzimi solli një vetëizolim deri në denigrim (f. 185), e dërrmoi identitetin dhe shqiptarin e brenda-Shqipërisë, krijoi një shqiptar fluid, kollaj të asimilueshëm dhe të prirur për të qenë pjesë e nëntokës dhe trafikimieve ilegale.

Dështim ishte edhe saga jugosllave për shqiptarët: shqiptari elitar titist ishte më tepër një oportunist, një marksist-leninist që prodhoi nacionalistin integrist që ia ka gërryer varrin bashkimit kombëtar (f. 197). Identiteti mbietnik, kosovar është një subidentitet i rrezikshëm. Sot kemi arritur te faza kur s’ka djtahtizëm, s’ka ideologji me bazë fetare-konservatore sepse konteksti global (miqtë SHBA dhe BE) nuk lejojnë bashkimin kombëtar, ka vetëm pushtet, grabitje. Nga objektivat idealistë është kaluar te ata materialistë. Zaten nga materialistët e dikurshëm nuk mund të pritet sakrifikim për ideale. Sot “në politikë shkohet jo për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të qytetarëve por për të kontrolluar dhe grabitur paratë e popullatës”- shprehet Sulejmani. Partitë politike organizohen si banda për të sulmuar bankën më të madhe, thesarin e shtetit. (f. 2005), jo për të realizuar idealet kolektive.

Është fakt empirik se një pjesë e historisë dhe identitetit nuk mund të fshihet si me shpuzë; ne kemi nevojë për një identitet organik, ku do të mund të frymojë edhe nacionalisti edhe liberali, edhe besimtari edhe jobesimtari, edhe universalisti edhe partikularisti… Pas dështimeve të neoshqiptarizmës, të shqiptarit ateist, integrist europian, kur po bie miti europian, duhet të mendojmë për shqiptarin globalist apo post-europian. Duhet të vetëaktualizohemi, të mos bëhemi monedhë kusuri për të tjerët, të heqim dorë nga tradita e të qenët me pushtuesit sundimtarë jashtëballkanikë kundër pushtuesve, asimiluesve lokalë ballkanikë. (Feraj, 2010: 147) Sot sikur dikur Samiu si nacionalist osman që dyshonte në Perandorinë Osmane, shumë njerëz dyshojnë në integrimet europiane, kur shndërritja e Perëndimit ka filluar të zbehet dhe po aktualizohet Lindja, po zgjohet kureshtja për një kërkim të ri të orientimit politik e identitar. Tre ethoset shqiptare të shekullit tonë  kanë dallimet e veta: në Shqipëri internacional dhe material, kundërfe, në Kosovë më tepër kosovar se sa shqiptar, proamerikan, prirjet islame ndrydhen nga inteligjencia, në RMV shqipari është religjioz, filoturk, punëtor që s’futet në rreziqe.

Ballkani dhe identitetet vazhdojnë të mbeten si rasti i anekdotës me avokatin dhe mollën në megjë, që djali i shkolluar i avokatit e pret, ndërkohë që me paratë e padive ushqehet dhe jeton në luks. Për momentin shqiptarët kanë dy shtete e gjysmë (Rugova), dhe pyetja është se a do të krijojnë tre kombe apo do të jetojnë me shumë kombe por pa shqiptarinë? Çfarë ardhmërie i pret nëse mbeten dhe pa Europën dhe me një Amerikë të hutuar për të cilën dilema ka edhe Joseph Nye. Sot shqiptarët jetojnë me histori por mund të përfundojnë pa ardhmëri. Ata duhet të arratisen nga ideologjia ndarëse e civlizimeve dhe feve, duhet të ndërtojnë një botëkuptim ku do të komunikojnë e bashkëveprojnë vlerat civilizuese që për bazament kanë besimet (f. 244). Ata nuk duhet të jenë si grimcat  mbi letër që lëviz një dorë e fshehtë që poshtë mban magnetin (Hayek). Shqiptarëve iu duhet një narracion i ri, një filozofi e re politike.

Skënderbeu shpatën nuk duhet ta ketë të drejtuar kah Lindja, as të varur në brez, por duhet ta ngulë në dhe, si shenjë se luftërat fetare kanë mbaruar. Duhet të jetojmë në një botë në paqe e harmoni të përbashkët globale pa kufij por me kuptimësi. Shqiptari globalist monoteist është qendra, aty bashkohen Meka, Jerusalemi dhe Roma. Fobitë intra dhe eksterne shpien në destruktivitet.  Në vendë taxis-it, duhet të krijojmë kosmos. Nacionalizmat dalëngadalë po zëvendësohen me çështje si ambienti jetësor, AI (inteligjenca artificiale), astropolotika e të tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button