Përfundoi pa asnjë vendim takimi i liderëve në Kuvend

Takimi i liderëve të partive parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pas katër orëve përfundoi pa asnjë vendim, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, pas takimit theksoi se në të nuk u morën vendime në bazë të të cilave do të mund të thonin se diçka që ishte propozua ishte pranuar.

“Megjithatë, arritja më e madhe ishte se të gjithë u ulëm në një tavolinë dhe mund t’i këmbenim mendimet dhe qëndrimet e çdo lideri politik në raport me rrugën evropiane të shtetit tonë”, theksoi Kovaçevski.

Në takim nuk morën pjesë liderët nga Lëvizja Besa dhe E Majta. Ndërkaq, të pranishëm ishin liderët BDI, PDSH, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët, VMRO-DPMNE, DOM, Bashkimi Demokratik, si dhe kryeminisri me kryetarin e Kuvendit.

Kryeministri Kovaçevski të shtunën pas mbikqyrjes së punimeve në rrugën Farish-Prilep tha se mbledhjen e liderëve e ka thirrur në mënyrë që të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend të diskutojnë së bashku për të ardhmen evropiane të vendit dhe të gjitha vendimet që duhet merren, të miratohen në konsensus të gjerë, social dhe politik.

“Jam i bindur se do të ofrojnë mbështetje në marrjen e vendimeve të shpejta dhe cilësore në Kuvend. Pjesë e bisedimeve do të jetë normalisht procesi i skriningut që zhvillohet pas konferencës së parë ndërqeveritare mes vendit tonë dhe BE-së, skriningu shpjegues dhe përgatitjet për skriningun dypalësh, më pas të gjitha ato aspekte kyçe që lidhen me integrimin e vendit në BE, ndërsa këto para së gjithash janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe aspektet ekonomike të bashkëpunimit tonë me BE-në”, tha Kovaçevski.

Ali Ahmeti nga BDI-ja theksoi që është debatuar për të gjitha temat, duke sqaruar që dallime ka pasur, me shpresë që ky nuk është takimi i fundit.

“Do të doja të veçoja nga ky takim, pas takimit të Përzhinos që ka zgjatur me orë të tëra, ku janë hapur të gjithë temat, një debat I hapur, një debat konstruktiv, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe përpjekjet për të ndërtuar qëndrime të përbashkëta”, deklaroi Ahmeti, duke kërkuar nga liderët mos të hapin tema nga e kaluara.

Udhëheqësi i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, vlerësoi që ky takim dëshmon se debati për ndryshimet kushtetuese është gjithëpërfshirës dhe transparent. Ai theksoi që Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër për ndryshimet kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shikohen si rrezik, por si mundësi. E para, futja e bashkësive tjera etnike që jetojnë në vend nuk e rrezikon askënd. Mendoj se duhet të bisedojmë dhe negociojmë edhe për heqjen e 20 përqindëshit në përdorimin e gjuhës shqipe”, deklaroi Taravari.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vlerësoi që deri te Qeveria dhe shumica nuk ka zë të mjaftueshëm për problemet reale të qytetarëve, duke vlerësuar që Qeveria ndryshimet kushtetuese i përdor për defokusimin e këtij problem.

“Shumica nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese, kështu që Kuvendi duhet të shpërbëhet, të formohet Qeveria teknike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte kërkuar nga ana jonë, derisa shohim që nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese”, deklaroi Mickoski.

Mickoski, të shtunën konfirmoi se do të marrë pjesë në takim, duke paralajmëruar se do të prezantojë qëndrimet e partisë.

“Do të vij në takimin e liderëve, do ta them qartë dhe me zë të lartë se arsyeja më reale për të cilën do të kishte përmbajtje një takim liderësh është një bisedë për problemet reale të njerëzve që janë të uritur dhe zgjidhja e të cilëve janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Mickoski në ngjarjen e partisë me titull “Panairi i ndryshimeve që sjellin të ardhmen!” me rastin e raportit njëvjeçar për punën e kryetarëve të komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ai shtoi se sa i përket ndryshimeve në Kushtetutë, ajo çështje është temë e mbyllur për VMRO-DPMNE-në, sepse, siç tha, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këto rrethana dhe pa garanci për të ardhmen tonë evropiane të mbrojtur nga kushtëzimet e ardhshme nga Bullgaria. .

Mickoski sot shkoi në mbledhjen e liderëve, por mbetet kundër ndryshimeve kushtetuese

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në një prononcim për MIA-në, theksoi se përfaqësues të partisë do të marrin pjesë në takimin e liderëve të iniciuar nga kryeministri Kovaçevski.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e momentit që po kalojmë, si shoqëri dhe si shtet, mendoj se është e drejtë të mbahet një takim i tillë, sepse situata është serioze dhe meriton përgjigje dhe përgjegjësi serioze nga të gjitha partitë politike, sidomos aq më tepër kur kemi parasysh se për agjendën evropiane, amendamentet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve imponojnë një ulje të nevojshme në një tryezë, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përbashkët të partive politike parlamentare”, tha Ademi.

Sa i përket iniciativës së Besës për mbledhjen e partive politike shqiptare për të diskutuar ndryshimet kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe, Ademi ka treguar se nuk kanë dallime me ta për çështje kyçe dhe janë në komunikim të vazhdueshëm.

Nga Alternativa bënë të ditur se nuk kanë dyshim nëse duhet të mbështesin propozimin për fshirjen e formulimit “20 për qind” për përdorimin e gjuhës shqipe dhe për këtë arsye nuk ka nevojë për një takim të veçantë.

“Partitë joshqiptare tashmë janë të përgatitura për këtë çështje dhe kjo nuk është më një temë që imponon ndonjë takim të veçantë të partive politike shqiptare. Nëse ka rrethana të tjera dhe tema të tjera, ftesa të tilla do të merren parasysh”, thanë nga partia lidhur me nismën e Besës për një takim të partive shqiptare nga vendi.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët konfirmuan se do të marrin pjesë në takimin e liderëve të iniciuar nga kryeministri, duke shtuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë e Majta, Dimitar Apasiev ka informuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve.

“Me ne nuk mund të negociojnë. Ne jemi një arrë e fortë”, tha Apasiev.

Në takimin e liderëve nuk do të marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Gjatë një konference për media që zhvilloi sot, ai njoftoi për vendimin e mos-marrjes pjesë në këtë takim.

“Lëvizja BESA nuk merr pjesë në takimin e  sotëm të liderëve sepse vlerësojmë  se ky takim është thirrur për të shpëtuar  BDI-në nga përgjegjësit e marra”, tha Kasami.

Ai shtoi se edhe Lëvizja BESA është pro ndryshimeve Kushtetuese, dhe se do të kërkoj që në këto ndryshime të përfshihet dhe të zgjidhet njëherë e përgjithmonë edhe çështja e 20 përqindëshit.

“Ftesa e kryeministrit menjëherë pas ftesës së Lëvizjes BESA mund të themi se është një sabotim. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese ne si Lëvizje BESA kemi deklaruar se jemi të interesuar që të ndodhin, andaj edhe e thirrëm tryezën shqiptare. Megjithatë ne në këtë hapje të kushtetutës kërkojmë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e 20 përqindëshit”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Ideja për mbajtjen e një takimi të partive shqiptare për të diskutuar amendamentin 5, i cili do të ndryshonte formulimin “gjuha e folur nga 20 për qind e qytetarëve” në “gjuhë shqipe”, është bërë e ditur nga nënkryetari i Besës Arjanit Hoxha në një konferencë për media më 2 nëntor.

Ai bëri të ditur se Besa do t’u dërgojë ftesë të gjitha partive shqiptare për një takim të përbashkët.

Hoxha më pas në një dalje televizive deklaroi se disa nga palët kanë kërkuar që të konsultohen me autoritetet partiake para se të paraqesin qëndrimin e tyre për idenë e Besës dhe nga disa parti nuk kanë pasur përgjigje, por vetëm konfirmim se e kanë marrë ftesën për takim.

Ndryshe, Parlamenti do të duhet të mbledhë shumicën e kërkuar prej dy të tretash për të miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria. Kjo nuk dihet se si do të ndodhë, pasi pushteti nuk ka numra, ndaj kjo është edhe arsyeja e ftesës së kryeministrit për takim liderësh.

Nga ana tjetër, nëse hapen këto ndryshime kushtetuese, partitë shqiptare duan që edhe 20% në Kushtetutë të zëvendësohet me “shqiptarë”, duke e paralajmëruar edhe si kushtëzim për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. ASH paralajmëroi se gjatë javëve të ardhshme do të prezantojë pakon e kushteve për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button