Këshilltarët komunal vlerësojnë Kasamin për një vit qeverisje me Komunën e Tetovës (Video)

Më 4 nëntor të këtij vitit, Komuna e Tetovës bëri një vit që kur menaxhohet nga kryetari Bilall Kasami. Këshilltarët komunal, flasin për Nistorin mbi punën e udhëheqësisë aktuale. Sipas tyre, Kasami nuk ka përmbushur premtimet elektorale dhe nuk i ka dhënë fotografinë që meriton Tetova. Ata thonë se Kasami nuk e kalon testin si kryetar komune për këtë vit. Qentë endacakë, kaosi urbanistik, partizimi i arsimit, pastërtia e qytetit, si dhe probleme tjera mbeten prezente që e tangojnë Tetovën, transmeton Portalb.mk.

Liridon Disha nga radhët e BDI-së, këtë Këshill komunal e udhëhequr nga Lëvizja Besa, e cilëson me kapacitete të dobëta dhe se nuk e ka forcën e mjaftueshme politike e intelektuale për t’u përballur me problemet e shumta në qytet.

“Për një vit, vlen të theksojmë se Komuna e Tetovës ka rritur çmimet e parkingjeve zonale, nuk i ka realizuar projketet e premtuara në fushatë parazgjedhore, qentë endacakë janë problem serioz i Komunës së Tetovës, mbeturinat ende janë çështje e pazgjidhur, defektet e tubacionit për ujë të pijshëm janë për fat të keq përditshmëri e tetovarëve, legalizimet janë ende çështje e pazgjidhur, në aspekt kulturor Tetova ka ngecur këtë vit si asnjëherë më parë, arsimi është skajshmërisht i politizuar, rrugët nuk mirëmbahen, mungojnë hapsirat publike (parqet e gjelbruara) dhe ndriçimi publik len shumë për të dëshiruar. Komuna e Tetovës për një vit ka arritur të punësojë militantë partiakë në sektorë dhe institucione ku qeveris, duke e eltkrizuar edhe më shumë gjendjen politike dhe duke shkaktuar ndasi mes qytetarëve. Në shkolla fillore e të mesme ka insistuar që të punësohen arsimtarë, jo sipas meritokracisë, por sipas bindjeve partiake. Lirimin e hapsirave publike e bën në mënyrë selektive duke i prekur vetëm ato hapsira ku konsideron se janë kundërshtarë të tij politik, ndërsa zaptuesve të hapsirave publike që janë përkrahës të tij u lejohet ti mbajnë të uzurpuara hapsirat në fjalë”, deklaron Disha.

Këshilltari i LSDM-së, Gligorije Stojanovski shprehet i zhgënjyer me njëvjeçarin e menaxhimit të kryetarit Kasami me Komunën e Tetovës. Ai radhit një sërë problemesh që hasin qytetarët.

“Nëse e vlerësojmë me notë, mund të themi se, 1+, 2-. Premtimet e dhëna të kryetarit Kasami për qytetarët e Komunës së Tetovës, konsidero se, as 1% e tyre nuk janë realizuar. Projektet e mëdha që i premtoi si, garazhet në kate, vend-parkime falas, pikërisht për këtë e votuan qytetarët, por nuk i realizoi. Kemi shumë qen endacakë nëpër rrugë, kemi ajër të ndotur, trafik të ngarkuar. Nga qytetet më të bukura në Maqedoni, tani kemi një fotografi të qytetit nga më të këqijat. Edhe për nga infrastruktura, kemi kantier ndërtimesh, ndërtohet çdokund, pa kontrollë, kaos urbanistik. Mendoj se, qytetarët e kanë vërejtur atë dhe në mesin e tyre ka që ndjehen fajtorë pse e kanë votuar zotëri Kasamin në zgjedhjet lokale”, deklaron Stojanovski.

Faton Selami i Alternativës për Nistorin thotë përkundër se lista e premtimeve të Kasamit ishte e gjatë, gjëja e vetme që ka ndryshuar në Komunën e Tetovës është sasia e mbeturinave dhe mospastrimi i tyre. Në Tetovë ka ndryshuar vetëm emri i partisë dhe nuk merr notë kaluese për këtë 1-vjeçar.

“E vetmja gjë që ka ndryshuar aty, është sasia e mbeturinave dhe mospastrimi i një deponie inerte, e cila pas marrjes së detyrës u paraqit afër stadiumit të vjetër të Tetovës. Siç duket, për fat të keq, në Tetov1% ka ndryshuar vetëm emri i partisë, e cila qeveris. Edhe pse do të doja të kishte një notë kaluese, nuk mund ta marrë notë kaluese, por kjo ngelet ta vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme”, thekson Selami.

Këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Angell Karapetrov, partia e të cilit është në koalicion me Lëvizjen Besa në Këshillin komunal, thekson faktin se komuna ka pengesa nga pushteti qendror, por kjo nuk do të thotë se gjërat shkojnë në drejtim të keq.

“Përkundër pengesave nga pushteti qendror, problemet e trashëguara në të gjitha ndërmarrjet publike dhe borxhet e mëdha të trashëguara në komunë, mendoj se komuna e Tetovës po ecën në një drejtim të mirë, por sigurisht që mund të bëjë më shumë. Mirëpo, problemet janë ende të pranishme dhe më të theksuara janë në Ndërmarrjen Publike Komunale, e cila është ende në borxhe dhe me vështirësi në pagesën e pagave, si dhe me NP “Tetova Transport”, e cila ka probleme me rentabilitetin për shkak të shtrenjtimit të derivateve të naftës. Shpresoj se me punë të ndershme do të punojmë në realizimin e premtuar dhe që Tetova të ketë një kryetar komune për të gjithë qytetarët. Ne do të jemi këtu për të ofruar mbështetje, por edhe për të qenë korrektues kur është e nevojshme”, tha Angel Karapetrov.

Sipas këshilltarit të PDSh-së, Visar Palloshi, Bilall Kasami nuk e kalon provimin për këtë 1-vjeçar dhe punësimet partiake në administratën komunale, sipas Palloshit, ngelen një problem i vazhdueshëm komunës.

“Kryetari i komunës për këtë periudhë një vjeçare përveç se e privatizoi komunën duke e kthyer në seli partiake të partisë së tij dhe bëri punësime partiake në administratën komunale, asgjë nuk ndryshoi në të mirë të qyetatarëve, duke mos i realizuar as premtimet e dhëna gjatë kampanjës zgjedhore. Konsideroj se, nuk e kalon provimin si kryetar komune për këtë vit, sepse nuk i ka përmbush premtimet e dhëna: parkingjet në kate, pastërtia në qytet, strehimore për qentë endacakë, kaosi në trafik e shumë premtime tjera të pa realizuara”, deklaron Palloshi.

Këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Besa, Besa Kadriut thotë se 1-vjeçari i Kasamit ka rezultuar me iniciativa pozitive. Kadriu shton se, ka edhe shumë punë për t’u bërë, të cilat janë prioritet për Tetovën.

Borxhi i Komunës së Tetovës, aktualisht është 23 milionë e 400 mijë euro. Edhe pse qyteti përballet me shumë probleme të trashëguara, qytetarët presin nga Kasami që të përmbushen premtimet zgjedhore në tre vitet e ardhshme të qeverisjes me komunën.

Ndryshe, para dy ditësh Portalb.mk publikoi analizën me atë se çfarë u realizua e çfarë jo në Komunën e Tetovës për problemet më të mëdha të qytetit, si dhe anketën me qytetarët për atë se si e vlerësojnë punën e Kasamit në krye të komunës për këtë një vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button