Mbi 100 zyrtarë policorë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet me shkrim

Mbi 100 zyrtarë policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, kanë dorëzuar të dielën dorëheqjet e tyre me shkrim në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, i kanë thënë disa burime Radios Evropa e Lirë.

Mitrovica e Veriut, bashkë me Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Sot u protestua në këto vende.

Lajmi për dorëheqjet e zyrtarëve policorë vjen pas vendimit të 5 nëntorit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe institucionet në veri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar përmes një komunikate se ka pasur paraqitje të dorëheqjeve në veri.

Sipas komunikatës, zyrtarët policorë i kanë dorëzuar pajisjet e tyre.

Policia ka thënë se ka kapacitet për menaxhim të situatës dhe do të veprojë në përputhje me autorizimet ligjore për të garantuar sigurinë.

Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

Kështu ka thënë të dielën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Hill për televizionin N1.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, dhe dorëheqjet i kanë shpallur edhe deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Në paraditen e së dielës, njëjtë kanë vepruar edhe katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Kurti: Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas pyetjeve lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”.

Ai ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen.

“Ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë. Nuk do të ketë, dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm sesa shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të veprave të tyre penale”.

I pyetur për vendimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, Kurti ka përsëritur thirrjen e një dite më parë që serbët të mos veprojnë ashtu, sepse do të dobësojnë shërbimin për qytetarët.

Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj se të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht më shumë strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët të vendit tonë, të cilët janë serbë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button