Këshilltari i Qeverisë për energjetikë me thirrje të dyfishtë për qytetarët: Edhe të jenë të qetë, edhe të kursejnë energjinë elektrike

Qytetarët të jenë të qetë, mjetet financiare janë të siguruara, likuiditeti i SHA ESM është i siguruar dhe do të ketë rrymë për të gjithë gjatë këtij dimri, tha sot këshilltari për energjetikë i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Viktor Andonov, transmeton Portalb.mk.

Andonov sot prezantoi të dhënat për periudhën 15-ditore, nga 15.10.2022 deri më 31.10.2022 dhe informoi se për këtë periudhë janë prodhuar gjithsej 199.830 megavat orë. Në të njëjtën periudhë janë shitur 600 megavat orë tepricë. Me këtë, siç nënvizoi ai, me prodhimin vendor të energjisë elektrike në periudhën prej 15.10.2022 deri më 31.10.2022 mbulohen 100% nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël.

Andonov prezantoi edhe bilancin ditor energjetik për 05.11.2022 dhe theksoi se dje janë prodhuar gjithsej 11.360 megavat orë, nga të cilat 8.242 megavat orë janë prodhuar në termocentrale, ndërsa nga burimet e rinovueshme të prodhuara nga ESM janë prodhuar 3118 megavat orë energji elektrike, e cila ka plotësuar plotësisht nevojat e konsumatorëve të vegjël dhe amvisërive.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, sepse sipas tij mjetet financiare janë të siguruara, likuiditeti i SHA ESM është i siguruar dhe do të ketë energji elektrike për të gjithë gjatë këtij dimri.

“Situata në të gjithë Evropën është komplekse dhe çdo vend është në kërkim të zgjidhjeve më optimale. Qëndrimet tona janë të qarta, po punohet për rritjen e prodhimit vendas dhe vënien në funksion të të gjitha kapaciteteve energjetike në vend. Prioriteti kryesor është sigurimi i kushteve sa më të favorshme dhe që qytetarët të mbrohen”, tha Andonov.

Ai porositi të gjithë qytetarët që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të kursyer energjinë elektrike, duke pasur parasysh se po vijnë ditë më të ftohta.

“Tani është koha kur ne duhet të përdorim racionalisht burimet e energjisë dhe të jemi solidarë,” tha Andonov.

I pyetur nëse dhe si do të sanksionohen kompanitë që kaluan në tregun e rregulluar, Andonov theksoi se trendi i keqpërdorimeve të tilla gjatë vitit të kaluar për herë të parë është vërejtur nga institucionet shtetërore, gjegjësisht nga Komisioni Rregullator i Energjisë dhe me këtë trendi do të trajtohet nga institucionet përmes masave të duhura që do të parandalonin abuzimin e mundshëm të energjisë elektrike, për të cilat publiku do të informohet në mënyrë sa më transparente.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike. Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button