Strugë, shëtitorja buzë Drinit mbetet e shkatërruar, Merko ende nuk e ka realizuar premtimin

Boshti kryesor i këmbësorëve në zemrën e qytetit të Strugës me vite qëndron i copëtuar dhe i shkatërruar. Kryetari aktual i kësaj komune, Ramiz Merko gjatë fushatës elektorale premtoi se do të rindërtonte shëtitoren buzë Drinit të Zi megjithatë akoma nuk ka filluar ndonjë lëvizje konkrete në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Ajo që duhej të jetë atraksioni më i madh turistik i Strugës është në fakt turpi më i madh i qytetit. Natyra piktoreske në shëtitoren buzë Drinit të Zi, nga rrjedha e lumit deri tek Çarshia e vjetër e qytetit, merr pamje të mjerë nga gjendja aktuale infrastrukturore e shëtitores kryesore në qytetin e Strugës.

Qytetarët struganë shprehen të revoltuar nga gjendja aktuale e boshtit kryesor të këmbësoreve në Strugë.

“Është për të ardhur keq kjo situatë. Kjo shëtitore e shkatërruar paraqet figurë jo të këndshme për qytetin tonë para turistëve. Shpesh më ndodh të dëgjoj turistë, si vendas ashtu edhe të huaj, teksa komentojnë mjerimin e shëtitores në pjesën më të bukur të qytetit”, u shpreh një qytetar.

“Kjo shëtitore dikur ka qenë krenaria e qytetit ndërsa sot duhet të hapim sytë kur ecim sepse mundet të thyejmë kokën”, deklaroi një qytetar i moshuar.

“Përveç imazhit të keq për qytetin kjo pjesë e shëtitores vështirëson edhe lëvizjen e njerëzve. Nuk mundem ta kuptoj pse gjithë këto vite nuk ndërmerret asnjë hap për ta rregulluar”, u shpreh një e re nga Struga.

Gjatë garës për të parin e Komunës, rekonstruimi i shëtitores buzë Drinit ishte një nga premtimet elektorale e kryetarit aktual të Komunës së Strugës Ramis Merko. Edhe pas një viti në krye të Komunës së Strugës, udhëheqësia e Ramis Merkos akoma nuk ka bërë asnjë lëvizje konkrete në përmirësimin e gjendjes së shëtitores.

Programi parazgjedhor i Ramiz Merkos, premtimi konkret

Nga zyra e kreut të Strugës, bëjnë të ditur për Portalb.mk se kriza energjetike ka ndikuar në ngadalësimin e realizimit të premtimeve.

“Është planifikuar projekt për rikonstruimin e shëtitrores buzë Drinit të Zi, mirëpo punën e ka ngadalësuar situata financiare (kriza energjetike) e cila ka goditur njësitë e vetëqeverisjes lokale. Mirëpo në programin e investimeve të vitit 2023, është vendosur si projekt që duhet realizuar dhe në ndërkohë kemi bisedime me fondacione evropiane për grant që do të ndihmojë ky rekonstruim të jetë akoma më i suksesshëm dhe të ofrojë standarde evropiane. Gjithashtu do të shtojmë se nuk do rikonstruohet vetëm njëra pjesë e shëtitores, por të dy anët nga fillimi deri në fund, duke përfshirë këtu edhe shëtitoren kryesore të qytetit (korzon) nga ura deri tek shëtitorja e re te tregu i gjelbërt”, deklaruan nga Komuna e Strugës.

Ndërtimi i shëtitores buzë Drinit të Zi, në anën e djathtë, me gjatësi prej 400.00 m, kushtoi rreth 250.000.00 euro pa pjesën e pemëve dhe ndriçimit publik. Ky projekt u realizua gjatë kohës kohës kur Komuna e Strugës udhëhiqej nga Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti thonë se janë bërë gabime në përzgjedhjen e materialeve ndërtimore megjithatë për gjendjen aktuale të shëtitores e akuzojnë kryetarin aktual të Komunës, Ramis Merkon. Kryetari i degës së ASH-së, Lulzim Nasufi, thotë se shëtitorja në zemër të Strugës është lënë në mjerim për shkak të inateve dhe përfitimeve politike.

“Hipokrizia e këtij projekti dhe disa projekteve të tjera në Strugë tani dhe në të kaluarën, nxjerr në pah inatin e klasave politike, populizmin shqiptar në politikbërje, në këtë rast të BDI – së dhe të Ramis Merkos, ku për hir të përfitimeve politike dhe marketingut politik, lejon që gabimi i bërë në zgjidhjen e materialit zbatues të penalizoj Strugën. Bazuar në parimin se objekte të tilla infrastrukturore në qytet, nuk janë në pronë private të Lulzim Nasufit, Zijadin Selës apo Ramis Merkos, dhe asnjërit nga qytetarët e Strugës, ato obligojnë administratën komunale, që gabimet e ndodhura të cilat mund ti ndodhin çdo kujt që punon, mos ti zmadhoj dëmet qëllimisht siç mund të jetë përdorimi i makinave të rënda duke bërë pastrimin e bulevardit, të ndërmarrë masa dhe të bëjë meremetimin, sanimin dhe regullimin e këti bulevardi, për hir të nevojës dhe krenarisë së Strugës, struganëve dhe nevojës së biznesit në atë zonë”, deklaroi Lulzim Nasufi, kryetar i Degës ASH-Strugë.
Nasufi shton se është nevojë e kohës dhe në interes të qytetarëve, “që inatet politike ndaj paraardhësit për projektet e realizuara në mandatin paraprak me para të qytetarëve, për përfitime politike të lihen anash, të tejkalohet dhe nuk mund të tolerohet në pafundësi duke lënë elementet urbane domethënëse në agoni, një nga to edhe mos mirëmbajtja e Urës së Drurit, apo ndriçimin e saj, element tjetër karakteristik, sepse penalizon Strugën, struganët, biznesin Strugan dhe në fund edhe vetë penalizuesin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button