MPJ bullgare reagoi për ndryshimet ligjore në RMV që ndalojnë përdorimin e emrave të lidhur me fashizmin

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Bullgarisë përmes një deklarate shprehu shqetësimin se me ndryshimet ligjore për shoqatat, fondacionet dhe për partitë politike në Maqedoninë e Veriut kufizojnë të drejtën e asociimit të bullgarëve në vend pasi ka interpretim të njëanshëm të fakteve historike,  transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për ndryshime ligjore që ndalojnë përdorimin e emrave, nofkave, pseudonimeve që kanë lidhje me fashizmin, nazizmin, gjenocidin, Rajhun e Tretë etj., për shoqatat, fondacionet dhe partitë politike në vend, të cilat u votuan dy ditë më parë në Parlament.

“Ekziston shqetësim serioz se ato (amendamentet ligjore) synojnë kufizimin diskriminues të së drejtës së shoqërimit të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, që është për shkak të interpretimit të njëanshëm të fakteve historike. Kërkimi legjitim për të kundërshtuar të gjitha format e ekstremizmit dhe urrejtjes nuk mund të instrumentalizohet për të kufizuar qëllimisht të drejtat e grupeve të caktuara. Kufizime të kësaj natyre ishin vendosur tashmë për bullgarët në Maqedoninë e Veriut në të kaluarën. Me argumente të ngjashme, në vitin 2001 organizata Radko, e cila është pseudonimi i Ivan Mihailov, u ndalua. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) tashmë ka marrë vendim për këtë çështje”, reagoi MPJ bullgare.

Bullgaria konsideron se fakti që do të kërkohet mendim pozitiv nga një organ konsultativ i krijuar në Ministrinë e Drejtësisë për të mundësuar përdorimin e emrit, mbiemrit, nofkës, pseudonimit, shkurtesës ose inicialeve të një figure historike, ngre shqetësimin se në interpretimin e figurave dhe ngjarjeve historik do të jetë dominant interpretimi zyrtar që ka Maqedonia e Veriut.

“Një qasje e tillë shpjegon logjikisht hezitimin për të zhbllokuar punën e komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore”, thotë MPJ bullgare.

Sofja ankohet edhe në atë se ndalimi i komunizmit nuk ishte përfshirë në ndryshimet ligjore.

“Problem i veçantë është vendimi i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut që në amendamentet të mos përfshihet komunizmi si ideologji totalitare dhe represive. Nuk ka ende asnjë masë apo mekanizëm ligjor për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e të vrarëve dhe të plagosurve gjatë regjimit komunist në Republikën e dikurshme të Maqedonisë, të cilët u persekutuan dhe u shtypën vetëm për shkak të identitetit të tyre bullgar”, thuhet në reagim.

Më tej, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë vlerëson se këto ndryshime ligjore pengojnë zbatimin efektiv dhe gjithëpërfshirës të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe thotë se pret që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të garantojnë të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë bullgarët.

“Në frymën e strategjisë “Një shoqëri për të gjithë”, autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të sigurojnë kushtet e nevojshme që përfaqësuesit e bashkësive etnike të jenë në gjendje të ruajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe elementet kryesore të identitetit, traditave dhe trashëgimisë kulturore të tyre”, thuhet në deklaratën e MPJ-së bullgare.

Reagimi nga Sofja përfundon me mesazhin se e drejta e organizimit të lirë, tubimeve paqësore, liria e fjalës dhe liria e besimit duhet të garantohet për të gjithë qytetarët e vendit.

Ndryshimet në Ligjin për shoqata, të cilat u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e qeverisë, i dorëzoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, pas hapjes së shoqatave dhe klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut që mbajnë emra të figurave të diskutueshme historike.

Propozimin e opozitës e përkrahën edhe deputetët e qeverisë. Pro ndryshimeve votuan 67 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Më pas, LSDM-ja në pushtet dorëzoi ndryshime në Ligjin për partitë, me tekst pothuajse identik me Ligjin për shoqata, të cilat dënojnë fashizmin. Edhe për këto ndryshime “për” votuan 67 deputetë.

Ndryshimet në ligjin për shoqatat parashikojnë që organizatat me emra të diskutueshëm të mos mund të regjistrohen në të ardhmen.

Me ndryshimet ligjore, partive politike u lihet një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, për të harmonizuar emrin, simbolet, programin, statutin dhe objektivat, me përcaktimet e këtij ligji.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button