“Testamenti” i Xhelalit për tetovarët

IN MEMORIAM

Shkruan: Ismail Arsllani

Pas një sëmundjeje të shkurtër, ndërroi jetë dhe u varros me nderime fetare, të enjten (3 nëntor), në varrezat e Tetovës, Xhelal Husniu, stërnip i atdhetarit të madh, Sheh Mustafë Tetova, personalitet numër dy i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Xhelal Husniu, tashmë i ndjerë, la në trashëgimi një “testament rrëfimi” me vlerë të madhe historike për tetovarët, nëpërmjet autorit të këtyre rreshtave që në vitin 2018. Po të mos ishte ky rrëfim, asokohe, sot nuk do të ishin këta rreshta për një atdhetar të madh tetovar, siç ishte Sheh Mustafë Tetova.

* * *

Njërin nga pasardhësit e Sheh Mustafë Tetovës, Xhelal Husniun, pinjollin e këtij personaliteti të shquar kombëtar, të cilin e takojmë në Tetovë (maj 2018), ka marrë për mbiemër emrin e më të voglit prej dy djemve të Sheh Mustafës, atë të Hysniut. Xhelali, stërnip pas shumë brezash i Sheh Mustafës, tjerr me ngadalë rrëfimet e babait të tij, Mustafës, që i mbajti në kujtesë ndër vite rrëfimet për veprimtarinë e Sheh Mustafës, emrin e të cilit mbante Mustafa i riu. Disa vjet më parë, autori i këtij shkrimi bisedoi me Mustafën (të riun) derisa ishte gjallë, por nuk arriti të marrë më shumë dëshmi prej tij në atë moshë të shtyrë, për stërgjyshin Sheh Mustafa. Ndërkaq, stërnipin Xhelal, sikur po e ndjek një instinkt për të zbuluar sa më shumë detaje për stërgjyshin e tij, duke gjurmuar nëpër arkiva në relacionin Prizren-Stamboll.

Prej tij dëgjojmë për herë të parë për emrin e babait të Sheh Mustafës (1800-1893), që quhej Sheh Numan Efendiu, i cili merr familjen e tij, duke qenë Sheh Mustafa në moshën rinore, për t’u shpërngulur nga Follorina e Çamërisë për në Tetovë, diku në dekadat e para të shekullit 19. Sipas tij, Sheh Mustafa ka pasur dy djem: Sabriun dhe Hysniun. Hysniu ka pasur 3 djem: Hajriun, Abdylhalimin dhe Ibrahimuratin (ky i fundit nuk ka lënë trashëgimtar).

Hajri Efendiu ka pasur një djalë dhe 4 vajza: djali ka qenë më i vogli dhe ka mbajtur emrin e stërgjyshit, Mustafa, që ishte babai i Xhelalit, me të cilin zhvillojmë këtë bisedë. Mustafa (1925-2009) ka pasur 5 fëmijë, dy djem dhe tri vajza: Xhelali, Hysniu, Gjylsheni, Magbulja dhe Afërdita.

Vajzat e Hajri ef. kanë qenë Saimja 1922-2005 (e cila ka jetuar në Tetovë dhe ka pasur një djalë (Suatin) dhe tri vajza (Hamijeten, Meyben dhe Dyrijen), ndërsa Jyzidja dhe Nazija janë shpërngulur në Turqi.

Sipas rrëfimeve të Hajri Efendiut, që i ka mbajtur mend Mustafa i riu dhe i ka përcjellë të birit të vet, Xhelalit, në vitet e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, për veprimtarinë e ngjeshur politike të Sheh Mustafë Tetovës, përhapet opinioni se ky punuaka kundër interesave të Perandorisë Osmane, ndaj dhe një ditë ushtarët e kësaj perandorie prangosin Sheh Mustafën në Tetovë dhe në pranga e dorëzojnë te Sulltan Abdylhamidi II në Stamboll. Sulltani e merr në pyetje dhe nga biseda që zhvillon me Sheh Mustafën, vëren që ky kishte qenë me një kapacitet mjaft mirë të ngjeshur intelektual, ndaj dhe i propozon që të mbetet pranë tij në Stamboll, si vezir i tij personal.

“Haram më qoftë dita që t’i kanë vënë ushtarët e mi këto pranga në duar e këmbë. Hidhi prangat dhe eja pranë meje të punosh si këshilltar!”, kishte thënë Sulltani.

Sheh Mustafa nuk pranon menjëherë ofertën për të qenë vezir i Sulltanit, me arsyetimin se kishte do punë të pakryera në Prizren dhe se është i detyruar që të kthehet. Sulltani e liron që të shkojë i lirë. Pas një kohe kthehet (1881) në Stamboll dhe aty mbetet deri në fund të jetës së tij.

Sheh Mustafa kishte lënë një pasuri të patundshme në Stamboll. Në gjysmën e parë të shekullit 20-të, nipi Abdylhalimi shkon në Stamboll, ndërsa vëllai i tij, Hajri Efendiu, po ashtu, në vitin 1937, bashkë me familjen shpërngulet nga Tetova për në Stamboll, ku pritet mjaft mirë dhe gëzon shumë privilegje. Familja ishte vendosur në do pallate të bregdetit, në rrugën “Sutlice sok.” nr. 8, në lagjen Balikeser të Stambollit. Sheh Mustafës, të cilët kanë nxjerrë shumë nxënës (talebe), përkundër jetës luksoze në Stamboll, nuk ka mundur të qëndrojë më gjatë kohë dhe pas 5 vjet qëndrimi në mërgim, vendos të kthehet në Tetovë me familjen në vitin 1942, për të vazhduar misionin e vet arsimues. Shumë ulema të Tetovës dhe të Vilajetit të Kosovës kanë dalë nga duart e Hysni Efendiut dhe Hajri Efendiut. Në bisedë me Xhelal Husniun, mësojmë se Sheh Mustafa jo vetëm që ka pasur një bibliotekë të pasur librash me shumë vlerë, por edhe vetë ka shkruar dhe ka botuar libra. Sipas tij, është mjaft me vlerë libri i pakryer, i titulluar “Ditari” apo “Kronika”, të cilin ai e ka shkruar në vazhdimësi gjatë jetës, duke shënuar ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Libri është shkruar në osmanishte (turqishte e vjetër) dhe është në pronë të trashëgimtarëve të sotëm në Tetovë.

Hajri Efendiu, i cili ka qenë hoxhë, sikundër babai i tij Hysniu, i biri i Xhelali thotë se ky libër prej afër 500 faqesh ka mbetur i pakryer, sepse pas shkrimeve të fundit kanë mbetur edhe shumë faqe të pashkruara. Shumë libra nga biblioteka personale e Sheh Mustafës janë dorëzuar për ruajtje në Xhaminë e Madhe të Çarshisë së Epërme të Tetovës, disa relikte fetare, si dhe një orë muri që ende ekziston. Në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, në shtëpinë e familjes Mustafa, pas disa gërmimeve, është gjetur statuja miniaturale ilire nga periudha e p.e.s., e cila është sekuestruar nga shteti, e njohur si “Menada tetovare”, figura e së cilës është vendosur në bankënotën 5000 denarësh.

Sipas disa të dhënave, Sulltan Abdylhamidi II ka ftuar Sheh Mustafë Tetovën në vitin 1881, që të shkojë të jetojë bashkë me familjen në Stamboll. Pas vdekjes së tij, në vitin 1893, në moshën 93 vjeç, është varrosur në Teqenë e Jahja Efendiut në Stamboll. Në të vërtetë, Sheh Mustafë Tetova ka qenë gjithnjë në lëvizje në relacionin Tetovë-Prizren-Selanik-Stamboll, sidomos gjatë përgatitjes dhe mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit (1878), por edhe më vonë, kur është ftuar nga Sulltan Abdylhamidi II, që të jetojë e punojë në Stamboll, ku edhe qëndron nga viti 1881 e deri në fund të jetës së tij, në moshën 93 vjeç.

KUSH ISHTE SHEH MUSTAFË TETOVA

(1800-1893)

Sheh Mustafë Tetova, apo si e quanin ndryshe edhe Ahmet Ruhi Mustafa (Nakshibendi), si një personalitet i shquar dhe me autoritet në Vilajetin e Kosovës, ishte ngarkuar me disa detyra të rëndësishme në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Kështu, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes e kishte angazhuar që të mbajë kontakt dhe konsultime të vazhdueshme me përfaqësuesit e Portës së Lartë, përkatësisht me Sulltan Abdylhamidin e Dytë, në favor të interesave shqiptare, para aspiratave sllavo-ruse që t’i grabisin tokat shqiptare.

Ky njeri, intelektual, i cili kishte në shtëpinë e tij në Tetovë një bibliotekë të tërë librash, shpesh hynte në konfrontim me sulltanin rreth politikave që i zhvillonte në Rumeli, kryesisht në dëm të shqiptarëve, së këndejmi sulltani e konsideronte si të padëgjueshëm, por e respektonte për shkak të dijenisë që kishte. Ai hamendej nëse duhet ta ndëshkonte këtë shqiptar që vinte nga Tetova dhe punonte për mbarëvajtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mos u bindur urdhrave të sulltanit. Për atë shkak, kur Mehmet Ali Pasha ishte nisur për në Kosovë bashkë me Sheh Mustafë Tetovën, gjatë rrugës pashai tentoi t’ia ndryshojë mendjen këtij shqiptari, por kjo ishte e pamundur.

Sheh Mustafë Tetova luante rolin e një diplomati të rryer në relacionin Prizren-Stamboll dhe anasjelltas. Paria shqiptare që ishte mbledhur në Prizren, në vigjilje të mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm, në fillim të qershorit të vitit 1878, prisnin me padurim ardhjen e Shehut nga Stambolli, që të njihej për të rejat që do t’i sillte prej andej e që ishin vendimtare për punimet e kuvendit. Disa muaj më parë, në Kongresin e Berlinit, nën ndikimin ruso-francez, ishin marrë disa vendime shumë të dëmshme kundër shqiptarëve, tokat e të cilave duhej t’u jepeshin fqinjëve. Shqiptarët me të gjitha forcat diplomatike që kishin në atë kohë, kundërshtonin këto vendime dhe pritnin ndihmën e sulltanit. Por, ky jo vetëm që nuk u ndihmoi në këtë rrafsh, por kërkoi nga shqiptarët dhe krerët e Lidhjes së Prizrenit që të mos ndërmerrnin asgjë kundër këtyre vendimeve.

Edhe pas mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor të vitit 1878, Sheh Mustafë Tetova nuk i këputi lidhjet me Stambollin, kështu që më 3 gusht të atij viti, pas një takimi me Sulltan Abdylhamidin e Dytë, kthehej në Prizren, për të njoftuar me qëndrimet e Portës së Lartë. Burimet e huaja dëshmojnë se Sulltani kishte kërkuar ndihmën e Sheh Mustafë Tetovës që të ishte në krah të Pashait në Prizren, i cili ishte dërguar nga sulltani me një detyrë të caktuar, përkatësisht për dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, por Shehu nga Tetova fare nuk kishte shkuar në Prizren dhe kishte refuzuar që të ndihmojë në favor të qëndrimeve të Portës. Pas hamendjeve të shumta, Sulltani, në rrugë për kthim në vendlindje, me njerëzit e vet e kishte arrestuar në Selanik dhe e kishte kthyer në Stamboll, ku ishte mbajtur dy muaj në izolim të plotë, në ambientet e Jëlldëz Sarajit. Ky fakt zbulohet nga një korrespondencë që kishin pasur Abdyl Frashëri me kryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Iljaz Pashë Dibrën.

Sheh Mustafë Tetova, pas kthimit nga Stambolli, fshehu dëshpërimin e tij nga bisedat që i kishte zhvilluar me Sulltan Abdylhamidin e Dytë, kështu që në kontaktet me paritë e qyteteve të ndryshme të Vilajetit të Kosovës ishte deklaruar gjithë me fjalë të mira për Sulltanin, duke dëshmuar edhe me Fermanin që e kishte marrë prej tij, në të cilin tregonte gatishmëri për ndihmë në punët e shqiptarëve. Në ndërkohë, Lidhja e Prizrenit me qëllim që ta mbante në dorë Sheh Mustafën, atij i besoi komandimin ushtarak të forcave shqiptare. Në këtë rrafsh, diçka nuk shkonte si duhet: në njërën anë propagandohej ndihma që duhej ta jepte Porta e Lartë, ndërsa në anën tjetër asgjë nga kjo nuk ishte në dukje, gjë që shkaktoi shumë dyshime tek popullata. Kjo situatë, me kohë, shkonte në dëm të aspiratave që dolën nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për t’i ruajtur tokat shqiptare nga grabitja e vendeve fqinje.

Të gjitha këto që ndodhën, luhatën dukshëm autoritetin e Sheh Mustafë Tetovës, i cili zuri të mbështesë disa pikëpamje të Portës kundrejt themelimit të një vilajeti shqiptar, me autonomi dhe në varësi nga Perandoria, si fazë e parë e themelimit të shtetit, por edhe nuk kundërshtoi dorëzimin e Plavës dhe Gucisë. Ai konsideronte se do të ishte me rrezik të hapej një front kundër Malit të Zi. U duk fare qartë se sa më shumë që anonte në mbështetje të qëndrimeve të Portës së Lartë, Sheh Mustafë Tetova po humbiste gjithnjë më shumë autoritetin dhe ndikimin e tij në popullatë.

Në fillim të vjeshtës, më 20 tetor 1878, Sheh Mustafë Tetova qëndroi në Prizren, për të publikuar dhe propaganduar fermanin e ri që kishte marrë nga Sulltani, për zgjidhjen e çështjes shqiptare për një autonomi të shtetit shqiptar, por ai gjeti aty tek njerëzit disa fërkime e kontradikta, një thyerje uniteti, një dobësim thelbësor të idealeve, ndonëse në disa pika kyçe, megjithatë, tregonin se janë bashkë dhe qëndrojnë të patundur. Shehu bëri disa përpjekje shtesë që t’i bind njerëzit e Lidhjes me zgjidhjet e ofruara të çështjes shqiptare, por u përballë me një refuzim dhe dëshpërim, gjë që tronditi moralin e tij për të ecur përpara.

Sipas burimeve diplomatike angleze dhe austro-hungareze, Sheh Mustafë Tetova, i cili, më vonë, kishte arritur të bëhej kryetar i Lidhjes së Prizrenit, për ta shpëtuar atë nga letargjia e mbërthyer pas kontradiktave dhe interesave të gërshetuara dhe jo të njësuara, i kishte hyrë punës për riorganizimin dhe forcimin e Lidhjes. Ai tentoi të mbajë edhe një kuvend të Lidhjes së Prizrenit nën drejtimin e tij, ftoi parinë nga më shumë krahina, por ata nuk iu përgjigjën kësaj ftese.

Shehu nga Tetova, i cili tashmë ishte në krye të Lidhjes, në momentet më të vështira për të dhe për organizatën, kur ishte tundur besimi për të, bëri edhe një gabim në dëm të përgjithshëm, kur favorizoi disa qytete me shumicë të përkatësisë islame. Shehu humbi edhe më shumë në autoritetin që kishte më parë, sa që njerëzit dyshuan në sinqeritetin e tij për t’i shpjerë punët përpara drejt zgjidhjes, kësisoj ai humbi jo vetëm besimin dhe autoritetin që kishte, por edhe pasurinë e tij, duke shitur tokat e Teqesë Nakshibendi në afërsi të Tetovës, që i shpenzoi për qëllimet e Lidhjes së Prizrenit.

Sheh Mustafë Tetovës
S. Fotografia e Sheh Mustafë Tetovës ishte në arkivin familjar të Xhelal Husniut dhe është botuar për herë të parë në librin tim “Tetova në dosjen e kohës” (2018).

Megjithatë, Sheh Mustafë Tetova mbeti në qëndrimet e tij që të mbajë një kuvend të ri të Lidhjes së Prizrenit, por ky kuvend përçau shqiptarët, sepse duke favorizuar qytetet me shumicë përkatësie islame, në atë kuvend nuk erdhën ata të besimeve të tjera. Kësisoj, kuvendi u mbajt vetëm me përfaqësuesit e përkatësisë islame nga Shkupi, Prishtina, Prizreni, Dibra dhe Tetova. Në delegacionin e Tetovës ishin tre përfaqësues që morën pjesë në atë kuvend: pos Sheh Mustafë Tetovës, morën pjesë edhe Rexhep Voka dhe Hasan Pashë Deralla.

Sido që të jetë, Sheh Mustafë Tetova ka qenë dhe mbetet një ndër figurat kyç të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u angazhua me gjithë shpirt për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ato vite kur ndahej fati i kombeve, sidomos të atyre më të dobët dhe pa mbështetje të fuqishme nga aleatë me ndikim. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me shumë autoritete të kohës, sidomos me Abdyl Frashërin dhe Haxhi Ymer Prizrenin, për ta ndryshuar gjendjen që ishte shkaktuar nga aleanca të ndryshme të fuqishme, por, mjerisht, forcat e Lidhjes së Prizrenit ishin të papërfillshme dhe nuk kishin ndonjë mbështetje më të fuqishme, sidomos nga Porta e Lartë, e cila, realisht, e kishte marrë tatëpjetën, por edhe nga anglezët, prej të cilëve një numër i përfaqësuesve të Lidhjes pritnin ndihmë konkrete për zgjidhjen e çështjes. Për këtë, në fund, u bind edhe Sheh Mustafë Tetova, i kthyer tepër shumë nga Porta e Lartë, në mënyrë indirekte angazhohej për të gjetur një aleat të ri, siç ishte ai anglez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button